+355 4 22 29 765 info@insq.gov.al

Inspektori i Përgjithshëm paralajmërim të fortë bizneseve. Standardet ndaj Covid-19

Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari ka paralajmëruar se bizneset do të përballen me penalitete të forta nëse nuk marrin masa për parandalimin e koronavirusit.

Në një intervistë për Top Channel, Hajdari u shpreh se gjithë bizneset duhet të zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe qeverisë.

Në studion e emisionit “Top Talk’ të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar kryeispektori i republikës Shkëlqim Hajdari. Ai u shpreh në studio se do të mblidhen në një takim të hënën së bashku me drejtuesit e dhomës së tregëtisë.

Denis Dyrnjaja: Çfarë territoresh po mbulon tashmë inspektorati. Është i kushtëzuar në qytetet që ka ndikimin koronavirusi apo në të gjithë territorin e vendit, është shtrirë ky veprim i juaji.

Inspiktoriatet shtetërore të drejtuara nga inspektoriati qëndron, janë duke punuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kuptohen që pesë Inspektoriatet janë në punë, siç jua thash janë: Inspektoriati shëndetësor, Inspektoriati i Mbikqyrjes së Tregut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit së shpejti dhe Inspektoriati I Barnave që mbulon farmacitë janë nën drejtim. Unë të hënën do të orjentoj në një urdhër se si do të kontrollojnë inspektorët e barnave farmacitë. Me të gjitha pikat që në çdo inspektim që do ë bëjnë në farmacitë, të kërkojnë përmbushjen e kushteve të sigurisë si për ato që I shërbejnë shërbimet si për ato që i marrin. E njëjta urdhër do të shkojë dhe për Drejtuesit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili do të spostojnë të gjitha inspektimet e planifikuara. Edhe të gjithë inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në të gjithë territorin e Shqipërisë në 12 qarqet, do të punojnë për të ndjekur të gjithë linjat e prodhimit, që do të prodhojnë me standard dhe linjat e shitjes, në bashkëpunim me Inspiktoriatin e Mbikëqyrjes së Tregut. Ne nga njëra anë t’I sigurojmë publikut ushqime pa ndërprerje, por nga ana tjetër nëpërmjet trupave inspektuese të kërkojmë zbatimin e përpiktë, të gjithë kushteve që duhen në këtë situatë të jashtëzakonshme që ndodhemi.

Gjatë fjalës së tij Hajdari paralajmëroi një takim ditën e hënë së bashku me forumin ekonomik mbarëkombëtar Shqiptar, të përbërë nga boshti Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë. Qëllimi i këtij takimi sipas kryeinspektorit është të nxisin bizneset prodhuese që të prodhojnë dhe nga ana tjetër t’i “detyrojë” ato që të shesin produkte po me të njëjta çmime si më parë dhe të mos përfitojnë nga kjo situatë emergjente.

Denis Dyrnjaja: Zoti Hajdari në fakt gjuha që ju përdorini është mjaft strikte edhe duke i bërë një lloj paralelizmi me situatën na krijon një lloj represioni psikologjik po them. Duke pasur parasysh edhe gjendjen e rënduar psikologjike nga vetë sëmundja, nga vetë situate ku ndodhemi. Si do të veproni që të mos ndihet kjo lloj presioni mbi biznesin mbi sipërmarrjen, pra në përgjithësi të mos e kemi këtë lloj peshe psikologjike.

Shkëlqim Hajdari: Mesa jam në dijeni në fillim të javës, forumi ekonomik mbarëkombëtar shqiptar, Shqipëri, Kosovë Maqedoni, të treja vendet janë në karantinë do të mblidhen nën drejtimin e kryetarit zotit Nagip Fezi. Do të diskutojmë me njëri-tjetrin sesi ti sensibilizojmë kolegët e tyre prodhues, në territoret e Shqipërisë Kosovës dhe Maqedonisë. Që nga njëra anë të vazhdojnë të prodhojnë dhe të vazhdojnë t’i ofrojnë publikut me ato çmime siç kanë punuar. Mos të përfitojnë nga situate për të rritur çmimet. Nga ana tjetër të sensibilizojnë të gjithë drejtuesit që punonjësit e tyre që nga mënyra që i marrim nëpër shtëpia, në mënyrën sesi punojmë dhe mënyrën sesi I kthejmë nëpër shtëpia, të jenë ato masa sigurie të cilat nuk janë masa që nuk zbatohen. Këtu nuk ka vend për panik. Janë masa sigurie shumë të thjeshta, vetëm se duan pak durim, duan qetësi, janë çështje standard që na mësojnë ne që të qëndrojmë në rrallë.

 

“Shqiptarët në karantinë”, Shkëlqim Hajdari ndërmerr masat e rrepta

Si pasojë e koronavirusit, Shqipëria do të futet në karantinë. Kryeministri Edi Rama përcolli mesazhet publike lidhur me zbatimin e masave të reja, e ndërsa mesazhi ishte i qartë; kjo luftë fitohet vetëm duke u ndërgjegjësuar dhe duke u përshkallëzuar me masa të forta deri në ekstrem. Po kështu, Inspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari, ka urdhëruar sot zbatimin e një sërë masash, të cilat janë në shërbim të mbrojtjes nga koronavirusi.

1- Marrjen e masave të gatishmërisë për inspektorët e Inspektorateve Shtetërore në Republikën e Shqipërisë, për përballimin e situatës së krijuar nga infeksioni COVID-19.

2- Inspektorët të cilët janë prindër kujdestarë, si dhe inspektorët në prag pensioni të punojnë online në distancë.

3- Grupet e gatishmërisë të inspektorëve nga Inspektoratet Shtetëtore të akreditohen  pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për përdorimin e automjeteve në funksion të situatës së krijuar.

4-Ngarkohen Drejtuesit e Inspektorateve Shtetërorë, për zbatimin e këtij Urdhri dhe për njoftimin e Inspektoratit Qëndror për caktimin e grupeve të gatishmërisë.

Sikundër u njoftua edhe më herët, edhe sot ka vijuar puna intesive për mbylljen e lokaleve, bareve, restoranteve e pishinave nga Inspektorët e Shëndetësisë dhe Mbikqyrjes së Tregut.

Nga ana tjetër, Inspektorati Shtetëror i Punës ka ushtruar inspektime në ndërmarrje me shumë punëtorë, call center dhe fasoneritë. Në ato ndërmarrje që janë konstatuar mungesa të sigurisë së shëndetit të punonjësve, është vendosur pezullimi i aktivitetit me shirit.

Në ditët në vijim, Inspektoratet Shtetërorë do punojnë sipas urdhërit të lëshuar. Në një komunikim online me median, kryeministri Rama njoftoi se 3 ditët e ardhshme do të jenë “shtetrrethim”.

Kreu i qeverisë njoftoi mbylljen e call center-ave, dhe fasonerive në vend ditën e nesërme, duke paralajmëruar pronarët e kompanive se nëse nuk do të zbatojnë masat, do t’u mbyllen bizneset dhe do të mbajë përgjegjësi për kostot.

Ai u shpreh se ndryshe nga çdo grip i zakonshëm që kalon pa trauma, ku grip luftohet me masa shtrënguese që përshkallëzohen me masa drastike.

Masat drastike që ka marrë qeveria shqiptare për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ka bërë që një pjesë e madhe e shqiptarëve të evitojnë grumbullimet, madje të qëndrojnë në shtëpi.

Një 73-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit. Tirana dhe Durrësi me një njoftim të dhënë nga kryeministri Rama, janë vendosur në karantinë, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. 8 raste të reja janë zbuluar me koronavirus, duke e çuar kështu në 23 totalin e të prekurve nga ky virus. Rastet e reja janë identifikuar në Rrogozhinë, Durrës dhe Elbasan.

 

“Shqipëria lider në Europë, për inspektimet online”, deklarojnë 5 kryeinspektorët e Ballkanit.

Për herë të parë është zhvilluar pranë ambienteve të Hotel Tirana, konferenca e nivelit të lartë për reformimin e inspektimeve në Ballkanin Perëndimor, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. E organizuar nga Inspektorati Qendror i Shqipërisë. Të pranishëm ishin drejtues të inspektorateve qendrore nga Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kosova dhe Serbia, së bashku me stafet e tyre. Po ashtu, Drejtues të Bankës Botërore, të BERZH, të USAID; si edhe drejtues të dhomave të tregtisë dhe industrisë të huaja dhe vendase. Konferenca është hapur me mbajtjen e një minutë heshtje në nderim të viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit. Ekspertë të delegacionit të BE-së që punojnë pranë qeverisë shqiptare për reformën e inspektimeve.
Drejtuesi i Inspektoratit Qendror Shkëlqim Hajdari theksoi teknologjinë e lartë dhe ndryshimet rrënjësore që ka pësuar procesi i inspektimit. Duke mundësuar veprimtari më të lehtë të bizneseve të ndershme, sigurimin e konkurrencës, uljen e korrupsionit dhe barrierave administrative. “Pas 6 muaj përgatitjesh Inspektorati Qendror mbledh nivelet më të larta teknike dhe profesionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar, shkëmbyer përvojat më të mira në fushën e enteve rregullatore dhe posaçërisht inspektimit. Inspektoratet të mos kujtojnë se janë ato që kanë në dorë jetën e biznesit dhe nëpërmjet veprimeve korruptive të shkatërrojnë biznesin e ndershëm në Shqipëri. Jam munduar ta kryej deri më tani këtë detyrë duke qenë në mes, nga njëra anë duke ec me reformën e inspektorateve dhe nga ana tjetër duke mbështetur biznesin e ndershëm dhe duke bashkëpunuar me të, me qëllim që nëpërmjet trupave të inspektimit jo të rritet barra e biznesit, por të ulet barra ndaj tij. Trupat e inspektimit nuk mund të vazhdonin të ishin barrë ndaj biznesit, duke i shkuar ditën e natën pa asnjë lloj procedure. Duke i hyrë kur gjenin derën mbyllur nga dritarja, duke bërë korrupsion të hapur, duke goditur biznesin e ndershëm dhe duke mbajtur në lojë atë të pandershëm. Sot situata ka ndryshuar, kryerja e inspektimeve mbi bazën e analizës së riskut me dokumente standarde, me check-lista me tableta, pranë biznesit me njoftim paraprak, me sistem GPS dhe me kamera, ka gjetur përkrahjen e biznesit të ndershëm, ka ulur korrupsionin dhe i ka formalizuar inspektoratet shtetërore”, tha ai.
Pjesë e konferencës po ashtu ishte edhe ish-zëvendëse kryeministrja Senida Mesi. E cila ka udhëhequr reformën e institucioneve të varësisë. Përfshirë edhe atë që ka të bëjë me fushën e inspektimeve. “Së bashku me z.Hajdari dhe me ekspertë të fushës dhe me pjesën e biznesit ne kemi qëndruar shumë herë në tryeza, për të përcaktuar cili do të ishte një model që do i përshtatej më së miri Shqipërisë, legjislacionit në fuqi, por edhe nevojave të biznesit. Ne arritëm të krijonim një model i cili në një farë mënyre kishte një funksion matricor nëse mund ta quaj kështu, ku inspektimi duhet të jetë në 7 linja kryesore. Pra të grupohet sipas funksionalitetit, ku nga njëra anë strategjitë, misionin dhe orientimin për standardin duhet t’i marrë nga Ministria e linjës, por nga ana tjetër për të implementuar edhe parimin e famshëm të kontrollit dyfish, ne të kishim monitorimin, kontrollin e procesit, pra mënyra se si bëhet inspektimi nga Inspektorati i Përgjithshëm. Reforma e parë që u punua me Inspektoratin e Përgjithshëm ishte pikërisht rishikimi i metodologjisë së inspektimit, duke filluar nga inspektimi online. Detyrim për të gjithë inspektorët dhe inspektoratet që kur të shkoni në biznes të plotësoni direkt online inspektimin, përmirësimi i check-listave, ku një pjesë e tyre u dakordësua që të ishte e përgjithshme për të gjithë bizneset”,- tha ajo.
Në konferencë ishin të ftuar edhe disa nga drejtuesit më të lartë të institucioneve evropiane. Si inspektori i përgjithshëm i administratës publike franceze, Jean Pierre Dalle. Përfaqësuesi i OECD, Florentin Blank., etj. Si edhe ekspertë të delegacionit të BE-së që punojnë pranë qeverisë shqiptare për reformën e inspektimeve. Inspektori i Përgjithshëm i Administratës në Republikën Franceze, Jean Pierre Dalle: “Prej dy vjetësh, Inspektorati i Përgjithshëm i Administratës Publike Franceze, bashkëpunon me Inspektoratin Qendror të Shqipërisë. Shumë specialistë tanë kanë ardhur në Tiranë dhe janë përfshirë në diskutime, studime. Dhe ka dhënë asistencë për reformën në fushën e inspektimeve dhe jemi të kënaqur që reforma online është në majat evropiane, praktika më e mirë. Reforma duhet të vazhdoj me përmirësime ligjore. Që të sigurojnë organizim eficent të inspektorateve, ndërtimin e sistemit të rekrutimit, karrierës dhe profesionalizmit. Me qëllim që inspektimi të jetë i ndershëm, i drejtë, parandalues, të ulë korrupsionin dhe barrën ndaj biznesit të ndershëm” tha Jean Pierre Dalle.
Përfaqësuesi i OECD-së, Florentin Blank u shpreh se: “OECD, është përfshirë dhe ka dhënë asistencën e saj në reformën e inspektorateve, nëpërmjet ekspertëve të saj. Jemi shumë të kënaqur me inspektimet online, por reforma duhet të vazhdojë për ngritjen e strukturave inspektuese, profesionale, të pavarura, të pa ndikuara nga politika”. Ndërsa Presidentja e Këshillit të Inspektorateve të Maqedonisë së Veriut, Magdalena Filipovska Graskoska, vlerësoi punën e Inspektoratit Qendror të Shqipërisë. “Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Inspektoratin Qendror të Shqipërisë prej 1 viti dhe po punojmë që këtë reformë ta implementojmë në vendin tonë”. Drejtori për Reformën e Inspektimit në Serbi, Dragan Pusara tha: “Arritjet e Inspektoratit Qendror të Shqipërisë, na gëzojnë dhe na e lehtësojnë punën, për të bërë dhe ne një reformë në Serbi, sipas standardeve të BE-së”.
Drejtori i Administratës Federale për Çështjet e Inspektimit, Republika e Bosnje Hercegovinës, Anis Ajdinović: “Jam i surprizuar nga reforma që ka Inspektorati Qendror i Shqipërisë, për sa i përket kryerjes së inspektimeve, bazuar në metodologjinë e analizës së riskut, me dokumente standarde dhe check lista( listë verifikimi). Me tableta të inkorporuar brenda tyre sistemin e GPS dhe video-kamera, online. Që nga fillimi i procesit të inspektimit dhe deri te përfundimi. Ju siguroj të nderuar pjesëmarrës se kjo teknologji e kryerjes së inspektimit nuk është e implementuar në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe në asnjë nga vendet anëtare të BE-së”.
Pjesë e konferencës ishin edhe përfaqësues të biznesit dhe tregtisë, vendas por edhe nga vende të rajonit. Ku si rrallë herë i gjithë Ballkani Perëndimor u ul në një tryezë të përbashkët. Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Mucostepa u shpreh: “Ky model inspektimi ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit duke ulur barrierat administrative, si dhe duke minimizuar nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë. Këtë përvojë do të donim ta sugjeronim pikërisht edhe për implementim në vendet e tjera të Ballkanit. Kjo konferencë sot duhet të ndihmojë në unifikimin e procedurave inspektuese sipas këtij modeli: Rritjen e ndërveprimit midis vendeve tona, përmirësimin, formalizimin e klimës në ekonomi, uljen e barrierave administrative dhe korrupsionin në vendet e Ballkanit. Më lejoni të vlerësoj edhe iniciativën e themelimit të shoqatës së inspektorëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jam e bindur që kjo shoqatë do të jetë një organizim i ri, me veprim të drejtpërdrejtë edhe në përmirësimin e klimës të të bërit biznes në rajon”. Kryetari i Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, Nagib Fejzi: “Organizmi i kësaj konference ballkanike të nivelit të lartë e çon në një nivel më të lartë bashkëpunimin e ngushtë rajonal, duke unifikuar procedurat ligjore teknike të inspektimit sipas standardeve të Komunitetit Evropian. Janë për t’u vlerësuar standardet e ngritura nga Inspektorati Qendror i Republikës së Shqipërisë. Kjo konferencë ka pikërisht qëllimin e reformimit të inspektimeve në Ballkanin Perëndimor sipas standardeve të BE-së. Duke bërë të mundur formalizimin e ekonomive të vendeve tona dhe lëvizjes së lirë të mallrave brenda këtij rajoni. Duke lehtësuar kështu edhe barrierat që sipërmarrësit hasin në ushtrimin e aktiviteteve të tyre eksportuese”.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka: “Është momenti i duhur që ne të ulemi në tryezë jo vetëm për të diskutuar me njëri-tjetrin, por edhe për të hartuar një platformë të përbashkët. Unë ndjehem prapë i lumtur që në fund të axhendës shohim që inspektoratet do bëjnë edhe do krijojnë shoqatën e tyre, që do jetë edhe një organizim që mundëson dhe stimulon komunikimin dhe implementimin e metodave më të mira të implementuara në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha: “Tregjet e hapura mes shteteve të Ballkanit Perëndimor do të sjellin mirëqenie të qëndrueshme ekonomike në vendet e lartpërmendura. Për ta arritur këtë duhet që të ndërmarrim hapa konkretë rreth realizimeve të synimeve që i kemi të përbashkëta për t’u kyçur në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye duhet të jemi unik, të jemi në komunikim dhe bashkëpunim të shpeshtë që të mund të identifikojmë problemet dhe ngecjet e shumta, të cilat mund të ndodhin gjatë eksportit dhe të gjejmë mënyra të reja dhe efikase për t’i minimizuar apo eliminuar ato. Shpresoj që kjo konference do të japë mesazhin e vet në qeveritë tona, të cilat duhet të jenë edhe ata që në fund të japin mundësinë që këto institucione të modernizohen dhe ne si biznese të kemi qarkullim sa më të shpejtë dhe më të lirë të produkteve tona”.
Presidenti i ‘Biznes Albania’, Luan Bregasi përfundoi fjalën duke thënë që: “Ne e kemi mbështetur si sipërmarrje iniciativën e inspektoratit shtetëror për të bërë reformën e inspektoratit. Të gjitha inspektoratet që janë këtu dhe shoh shumë inspektorë këtu kanë ndryshuar, sepse kanë ndryshuar këta vetë që ka ndryshuar trupat e inspektimit. Kanë reflektuar në ndërmarrje kur vijnë për kontrolle d.m.th nuk vijnë më si policë, si xhandarë por vijnë si njerëz që komunikojnë me biznesin, që paraqesin planin e kontrollit, që i lënë një afat 1 mujor apo 2 javor sipas rregullit. Edhe për të bërë ndonjë vetërregullim siç e ka sot ligji p.sh i Tatimeve etj”.

INSPEKTORATI QENDROR DHE USAID, GARANTOJNË KRYERJEN E INSPEKTIMEVE ONLINE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

“INSPEKTORATET E MAQEDONISË SË VERIUT SË SHPEJTI ME INSPEKTIME ONLINE……”

Në datat 22 – 27 Shtator 2019, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror të Republikës së Shqipërisë Z. Shkëlqim Hajdari, dhe specialist të këtij institucioni në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve, të nënshkruar në Prill 2017, në Tiranë, u takuan në Shkup, me homologen, Znj. Filipovska Graskoska, Presidente e Këshillit të Inspektorateve të Maqedonisë së Veriut, Kryeinspektorë të Inspektorateve Shtetërore kryesore, si dhe me drejtues të USAID për projektin, “Modernizimi i autoriteteve inspektuese të Maqedonisë së Veriut”.

Inspektori i Përgjithshëm Z. Hajdari, gjatë takimit me Znj. Filipovska Graskoska, si dhe Kryeinspektorët Shtetërorë, paraqiti platformën e inspektimeve online si dhe të gjitha hapat, të cilat çuan në arritjen e suksesit për vendin tonë në fushën e inspektimeve, si i vetmi vend, i cili kryen procedurat inspektuese me dokumente standarde, listë verifikimi, vlerësim risku, transparente, efektive nëpërmjet tabletave në sistemin online, “e-inspektimi”.

Në takimin e zhvilluar midis tyre, Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se ky model inspektimi, ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit, duke ulur barrierat administrative si dhe minimizuar nivelin e korrupsionit në Republikën e Shqipërisë.

Znj. Filipovska, paraqiti pasqyrën e funksioneve të Këshillit të Inspektorateve, si organ Qendror, metodologjist, licencues dhe trajnues të Inspektorateve Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo vlerësoj standardet e arritura nga Inspektorati Qendror i Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë realizuar kryerjen e inspektimeve me dokumente standarde, listë verifikimi, bazuar në metodologjinë e vlerësimit të riskut, me tableta, me sistem GPS, foto dhe video & audio rekorder, online pranë dhe në prani të biznesit. Kjo përvojë juaja, theksoi ajo, duhet të implementohet edhe tek ne.

Gjatë këtyre ditëve, specialistët e Inspektoratit Qendror, zhvilluan takime pune me, Kryeinspektorët dhe specialistët e inspektorateve kryesore të Maqedonisë së Veriut, ku paraqitën etapat në të cilat ka kaluar i gjithë procesi ligjor dhe teknik, për të arritur në finalizimin e kësaj metode të kryerjes së inspektimeve.

Drejtuesi i Zyrës Qendrore të USAID, Z. Aleksandar Shahov, për Ballkanin Perëndimor, me seli në Shkup, në takimin me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror, të Republikës së Shqipërisë, vlerësoi se kjo reformë, është implementuar me sukses vetëm në Shqipëri dhe mori përsipër implementimin e këtij modeli edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, brenda këtij viti, USAID dhe Inspektorati Qendror i Republikës së Shqipërisë, do të organizojnë në Tiranë një Konferencë, me pjesëmarrjen e Inspektorateve Qendrore dhe Kryeinspektorëve të Inspektorateve Shtetërore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnje Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.

Kjo konferencë, ka për qëllim unifikimin e procedurave inspektuese sipas modelit Shqiptar, rritjen e ndërveprimit midis vendeve, përmirësimin dhe formalizimin e klimës ekonomike, uljen e barrierave administrative dhe korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të punimeve, do të themelohet “Shoqata e Inspektorëve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Kjo reformë, do të formalizojë dhe standardizojë biznesin dhe ekonominë e këtyre vendeve, me standardet e vendeve të BE.