Modulet e Trajnimit dhe Testimi Fillestar & Periodik
Bazuar në ligjin nr. 10433, datë 16.06.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”,
Inspektorati Qendror është institucion publik qendror, me mision përmirësimin e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së veprimtarive të inspektimit në Republikën e Shqipërisë. Në përmbushje të këtij detyrimi ligjor, Inspektorati Qendror bashkërendon veprimtarinë e trajnimit e të kualifikimit të inspektorëve, ku kriteret dhe rregullat e hollësishme janë parashikuar në Udhëzimin e Inspektorit të Përgjithshëm nr. 1, datë 25.02.2020, “Për procedurën e trajnimit, testimit fillestar dhe periodik,si dhe kriteret përkatëse të vlerësimit të inspektorëve shtetërorë dhe vendorë”, në bazë dhe për zbatim të të cilit është hartuar ky modul trajnimi. Nisur nga impakti gjithëpërfshirës që inspektimi ka, rezultatet e synuara janë:
✓ Inspektorë të kualifikuar, me aftësi të mira analitike dhe menaxhuese, me ndjenjë të lartë përgjegjshmërie gjatë kryerjes së veprimtarive të inspektimit.
✓ Inspektorë që performojnë në mënyrë më optimale, të drejtë dhe në zbatim të normave të etikës.
✓ Zhvillimin e performancës së inspektorateve / strukturave që kryejnë funksione inspektimi
nëpërmjet zhvillimit të performancës së inspektorëve apo trupave inspektuese.
✓ Zhvillimin e karrierës së inspektorëve bazuar në perfomancën e tyre dhe trajnimit për fitimin e aftësive shtesë.
Për këtë qëllim IQ, harton këtë program trajnimi si një formë të veçante të përmbajtjes dhe qëllimit të nevojshëm për trajnimin dhe testimin periodik dhe fillestar të inspektorit shtetëror dhe vendor.
Në zbatimi të ligjit për inspektimin në Republikën e Shqipërisë, gjithashtu ky program shihet si nevojë për t’i ofruar inspektorit njohuritë dhe aftësitë e domosdoshme për realizimin e detyrave funksionale, në fushën e inspektimit. Programi është i rëndësishëm pasi përcakton nevojat konkrete se për çfarë duhet të trajnohet dhe testohet inspektori si dhe për çfarë duhet të përgatitet ai, duke e formuar profesionalisht për të garantuar procedura inspektimi profesionale në të gjitha fushat e inspektimit në vend.
Programi i Trajnimit, për punonjësit e Inspektoratit Qendror