+355 694835881 info@insq.gov.al

Takime të Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës Z. Jean Pierre Dalle në Inspektoratet Shtetërore të Punës të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe atë të Shëndetësisë

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit për Reformimin e Administratës Publike me financim nga Bashkimi Europian edhe sot më datë 28 Mars 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror edhe u zhvillua takimi me Z. Jean – Pierre DALLE, Inspektorin e Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari dhe stafin e tij.

Në takim u bë një prezantim i funksionimit të sistemit elektronik për inspektimet online, nga ana e specialistëve të Inspektoratit Qendror dhe u sqaruan pyetjet e interesi i shprehur prej Z. Jean Pierre Dalle, Inspektor i Përgjithshëm për Administratën në Republikën e Francës. Po ashtu u sqaruan edhe aspekte të funksionimit e trajnimit për stafin e Inspektoratit Qendror si dhe të Inspektorateve Shtetërore

Vizita e parë u krye në Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Sigurimeve Shoqërore (ISSHPSH). Nga ana e Kryeinspektorit Shtetëror të Punës Z. Dritan Ylli, pas fjalëve të mirëseardhjes u bë një prezantim i punës dhe i prioriteteve të këtij Inspektorati Shtetëror gjatë tre viteve të fundit.

Si punë dhe prioritet i parë u përmend projekti për dixhitalizimin e Arkivave të kërij institucioni që nga krijimi. Së dyti u përmend projekti për detyrimin e deklarimeve të subjekteve për punonjësit e tyre dhe së treti dhe prioriteti më i rëndësishëm u përmend realizimi i inspektimeve online përmes sistemit elektronik të Inspektoratit Qëndror.

Kryeinspektori i përgjithshëm i Punës iu përgjigj pyetjeve dhe interesit të Inspektorit të Përgjithshëm për Administratën në Republikën e Francës Z. Jean Pierre Dalle. Nga ana e Kryeinspektorit të Punës u shpreh gatishmëria dhe vullneti i mirë për rritjen e efektivitetit dhe transparencës së inspektimeve duke përdorur sistemin elektronik dhe po ashtu u ngrit nevoja për mbështetje me fonde dhe me mundësi trajnimi për rritjen e kapaciteteve dhe formimit profesional të grupeve të inspektimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Në takimin e dytë të zhvilluar në ambientet e Autoritetit Shtetëror të Ushqimit, Drejtoria Rajonale e Tiranës u bë një paraqitje e punës dhe e organizimit të AKU dega Tiranë. Nga ana e Z. Jean Pierre Dalle u shpreh interes për numrin dhe shpeshtësinë e inspektimeve për mënyrën e marrjes dhe analizimit të kampionëve (mostrave) për analizim në laboratorë, si dhe mbi performancën e Inspektorëve, veçanërisht e lidhur me aplikimin e sanksionit të gjobës. Nga ana e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të AKU Tiranë Z. Armando Uruçi u dhanë përgjigje dhe sqarime për mënyrën e organizimit të inspektimeve, si dhe për fillimin e inspektimeve online për Tiranën. Angazhimi i trupave të inspektimit të DRAKU Tiranë ka qenë e do të jetë maksimal për zbatimin e ligjit, dhe rritjen sigurisë ushqimore.

Në takimin e tretë të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Kryeinspektori i ISSH, Z. Eltar Deda bëri një prezantim të funksionimit dhe mënyrës së rekrutimit për Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor. E veçanta e këtij Inspektorati ishte numri shumë i lartë prej 32 000 inspektimesh në vit nga 140 Inspektor në të gjithë territorin e vendit, ku ushtrojnë aktivitet institucionet shtetërore e private të spitaleve, klinikave, shkollave, kopshteve, etj.

Krahas nevojës për ngritje të kapaciteteve dhe përmirësime ligjore, nga ana e Kryeinspektorit të ISSH u shpreh angazhimi për shtrirjen graduale të inspektimeve online që tashmë kryhen në Tiranë në të gjithë territorin e vendit. Më pas Kryeinspektori i Rajonit të Tiranës Z. Gjergji Koja demonstroi kryerjen e procesit të inspektimit online si prioritet i punës së kësaj Drejtorie gjatë muajit të fundit. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dega Tiranë është Inspektorati që ka demonstruar angazhim e profesionalizëm si dhe ka evidentuar nevojat për përmirësime të punës të dala gjatë kryerjes së inspektimeve online.

Të tre Inspektoratet Shtetërore të vizituara nga Inspektori i Përgjithshëm i Administratës së Francës Z. Jean Pierre Dalle, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror dhe stafi i tij mbeten plotësisht të angazhuar për një proces transparent e ligjor të realizimit të inspektimeve online.

Reformimi dhe Standartizimi i Inspektimeve sipas praktikave më të mira Europiane me qëllim sundimin e ligjit

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit për Reformimin e Administratës Publike me financim nga Bashkimi Europian, sot më datë 27 Mars 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror u zhvillua takimi me Z. Jean – Pierre DALLE, Inspektorin e Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës, Z. Yve Doutriaux, Gjyqtar dhe Anëtar i Këshillit të Lartë për Juridiksionin e Ligjit Administrativ të Republikës së Francës, Znj. Milena Harito, Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike, Përfaqësues të Biznesit shqiptar, të huaj, Profesor të botës Akademike, si dhe Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për prezantimin e përvojës franceze në fushën e inspektimeve, të praktikave më të mira Europiane me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe reformimin e sistemit të inspektimeve në Republikën e Shqipërisë.

Në fjalën e hapjes Inspektori i Përgjithshëm pasi i uroj mirëseardhjen të pranishmëve në takim, e vuri theksin në arritjet për reformimin dhe standartizimin e inspektimeve përmes sistemit elektronik “e-Inspektimi” të Inspektoratit Qendror.

Ai përmendi punën e përbashkët me dhomat e biznesit, universitetet, publikun dhe median për rritjen e transparencës dhe efektivitetit të trupave të inspektimit. Inspektimet online janë një prioritet për punën e të gjitha Inspektorateve. Inspektori i Përgjithshëm ritheksoi vendosmërinë që brenda Qershorit të vitit 2017 të gjithë trupat e inspektimit të Inspektorateve Shtetërore do të kryejnë me dokumentat standarte dhe online pranë bizneseve dhe enteve publike dhe private.
Inspektorati Qendror do të jetë institucioni i cili do të vendosë në një marrëdhënie bashkëpunimi transparent Inspektoratet Shtetërore me biznesin.

Bashkëpunimi me Inspektoratin e përgjithshëm të Administratës të Republikës së Francës sapo ka filluar dhe në takimet e ardhshme do të finalizohet me firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi afatgjatë midis dy institucioneve tona.

Në fjalën e saj Ministrja Znj. Milena Harito theksoi se Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur për modernizimin e inspektimeve nën drejtimin e Inspektoratit Qendror. Sistemi elektronik i inspektimeve thjeshtëzon procedurën e inspektimit, e bën atë standarte dhe uniforme të bazuar në ligj, është tashmë e konsoliduar dhe duhet përdorur nga të gjitha Inspektoratet Shtetërore për kryerjen online të inspektimeve

Më pas u kalua në diskutime nga ana e grupeve të interesit: Prof. Arben Malaj, duke shprehur vlerësimin për praninë e Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Republikës së Francës në Shqipëri, solli optimizmin e tij për rolin që luajnë grupet e interesit si dhe Universitetet në sfidën e vështirë të formalizimit dhe standartizimit të inspektimeve.
Inspektoratet Shtetërore duhet të jenë trupa të pavarura profesioniste e besnike ndaj ligjit e rregullave standarte me integritet e profesionalizëm.

Universiteti Luarasi që unë drejtoj theksoj Prof. Malaj do të jetë partner i denjë për arritjen e suksesit për inspektime ligjore në vendin e biznesit duke përdorur sistemin elektronik “e-Inspektimi”.
Në fjalën e tij Z. Agim Rrapaj, Përfaqësues i Agrobiznesit vendas, e vuri theksin në lidhjen e drejtpërdrejtë që ekziston në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të inspektimeve dhe shtimit të investimeve të drejtpërdrejta.

Biznesi i ndershëm vendas dhe i huaj është i gatshëm të investojë në teknologji dhe zgjidhje për rritjen e sigurisë ushqimore kur aplikohen rregulla të qëndrueshme dhe transparente për të gjitha bizneset.
Ai kërkoj ndihmën e Inspektoratit Francës të Administratës për finalizimin me sukses të inspektimeve online në metodologji të bazuar në risk.

Në fjalën e tyre disa prej Kryeinspektorëve të Inspektorateve Shtetërore duke shprehur vlerësimin e tyre për organizimin e këtij takimi duke prezantuar dhe vështirësitë me të cilat ndeshën me punën e përditshme ,me nevojat që ata kanë për mbështetje me fonde dhe logjistikë për një kuadër ligjor të harmonizuar dhe pa mbivendosje të kompetencave.
Rakordimi i përpjekjeve ndërmjet Agjencive ligje zbatuese për penalizmin e operatorëve të biznesit të pa licencuar është një sfidë për të cilën Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror do të ketë angazhim maksimal.

Në pjesën e dytë të takimit nga ana e Inspektorin e Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës, Z. Jean – Pierre DALLE, u bë prezantimi i mënyrës së funksionimit të inspektimeve për inspektoratin që ai drejton. Takimet me Z. Jean – Pierre DALLE, do të vazhdojë në datën 28 Mars 2017 me vizitën në tre Inspektoratet Shtetërore më të mëdha në Tiranë (Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore), pas një takimi në Inspektoratin Qendror.

Nënshkrimi i Memorandumit për partneritet Bashkëpunimi ndërmjet Inspektorati Qendror me Kolegjin e Universitetit Luarasi

Sot u nënshkrua në ambientet e Inspektoratit Qendror Memorandumi i Bashkëpunimit e partneritetit strategjik ndërmjet Rektorit të Institucionit të Arsimit të Lartë – Kolegjit Luarasi- Profesor Arben Malaj dhe Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi në pranin e stafit të Inspektoratit Qendror dhe studentëve të ekselencës së Kolegjit Luarasi, si dhe mediave të shkruara dhe atyre televizive shënon fillimin e një bashkëpunimi afat gjatë. Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari ftoi akademikët e studentët e këtij kolegji Universitar që të shohin me optimizëm e shpresë , pasi biznesi i ndershëm do të ketë nevojë për kuadro me dije bashkëkohore e shkathtësitë teknologjike që duhen për të ardhmen. Biznesi i ndershëm do të ketë nevojë të punësojë Ju të nderuar studentë për ti edukuar e përgatitur dokumentacionin e duhur që kërkon inspektimi me metodologji të mirë përcaktuar, bazuar në risk, me dokumentacione e lista verifikimi të standardizuara, nën udhëheqjen e Inspektoratit Qendror. Të gjithë ju, familjet tona e shoqëria si e tërë, duan mjedis më të pastër, frymëmarrje pa ndotje, ilaçe të kontrolluara, ushqime të sigurta, shëndetësi e punë të sigurta, mbrojtje të punëtorëve e veçanërisht të minatorëve. Inspektorati Qendror në partneritet me Universitetin Luarasi, me botën akademike, me dhomat e biznesit dhe biznesin e ndershëm do të bëj të mundur një Shqipëri me më pak informalitet, me më pak abuzivitet, e më shumë transparencë e siguri në ushqime e ilaçe. Me qëllim rritjen e efektivitetit të trupave dhe grupeve të Inspektimit të Inspektorateve Shtetërore dhe uljen e barrës administrative që rëndon biznesin, është krijuar regjistri elektronik i Inspektorëve, si dhe janë bërë pjesë e sistemit elektronik për kryerjen e inspektimeve online që të gjitha Inspektoratet Shtetërore.

Kolegji Universitar Luarasi, si përfaqësuese i denjë i Institucioneve të Arsimit të Lartë privat në Shqipëri, do të jetë promotore e praktikave më të mira për kryerjen e inspektimeve me dokumente e lista verifikimi të standardizuara nën udhëheqjen metodologjike e me analiza mbi bazën e riskut të Inspektoratit Qendror.

I pranishëm në nënshkrimin e këtij Memorandumi Bashkëpunimi ishte edhe Z. Arben Shkodra Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse Z. Shkodra e vuri theksin tek funksioni mbikëqyrës e rregullator të Inspektimeve për formalizimin e standardizimin e biznesit, shmangien e abuzivitetit, uljen e informalitetit, uljen e barrës së të bërit biznes si dhe rritjen e efektivitetit të trupave inspektuese. Biznesi, theksoi Z. Shkodra e ka përqafuar dhe e mbështet qasjen e re të inspektimeve online dhe mbështet punën e Inspektoratit Qendror.

Dhoma e tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar do të bëjë publike përmes mjeteve e rrugëve të saj që të gjitha dokumentat standarde, listat e verifikimit, si dhe regjistrat e inspektorëve për të gjitha bizneset përkatëse, anëtar të tyre.
Partneriteti strategjik i Inspektoratit Qendror me Dhomat e Biznesit, me Universitetet e me me vetë biznesin e ndershëm e median do të vazhdojë të jetë i hapur e transparent me qëllim sjelljen e përfitimeve te drejtpërdrejta për vetë biznesin e publikun e gjerë.

Filluan Inspektimet online në kryeqytet edhe për Inspektoratin Shtetëror të Arsimit (ISHA)

Sot në datën 17 Mars 2017, grupet e Inspektimit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) zhvilluan procesin e inspektimit online pranë shkollës 9 Vjecare “Skender Çaçi në Tiranë, si dhe pranë Gjimnazit Partizani.

Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit Z. Bashkim Muça ishte optimist për risinë që sjell kryerja e inspektimeve përmes sistemit elektronik të Inspektoratit Qendror, në përmirësimin e efektivitetit dhe transparncës e standardizimin e procesit të inspektimit.
Inspektorët e ISHA dhe drejtuesit e shkollës 9 Vjecare “Skender Çaçi u shprehën për listat e verifikimit që u kontrolluan, lidhur me vlerësimin e të nxënit për nxënësit.

I pranishëm në këtë moment të rëndësishëm për fillimin e inspektimeve online për Inspektoratin e Arsimit ishte edhe Inspektori I Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari, me stafin e tij.

Në prononcimin e tij për mediat e pranishme që e mbuluan aktivitetin Inspektori I Përgjithshëm ritheksoi vendosmërinë e Institucionit të Inspektoratit Qendror, nën drejtimin e tij për standardizimin e uniformizimin e inspektimeve duke përdorur systemin elektronik për kryerjen e inspektimeve online.
Deri më 31 Mars 2017 të gjitha Inspektoratet Shtetërore duhet që t ‘i realizojnë inspektimet online për Tiranën dhe deri në fund të muajit qershor 2017, Inspektimet online do të kryhen online sipas ligjit për të gjitha Inspektoratet Shtetërore në të gjithë Shqipërinë.

Po ashtu edhe në inspektimin e kryer pranë gjinazit Partizani, Inspektori i Përgjithshëm shpalosi përpara grupit të inspektimit dhe drejtuesve të Gjimnazit Partizani platformën për partneritetin institucione arsimore edukative të të gjitha niveleve, biznes, dhoma biznesi e Inspektorate nën drejtimin metodologjik të Inspektoratit Qëndror. Inspektori i Përgjithshëm njoftoi të pranishmit për nënshkrimin në datën 21 Mars të Memorandumit të Bashkëpunimit me Kolegjin e Arsimit të lartë LUARASI.
Për Institucionin Arsimor, Gjimnazi Partizani u krye inspektimi online me tematikë për Rregulloren e Shkollës.

Inspektimet online janë një detyrim ligjor që do të përmbushet nga Inspektoratet Shtetërore e Inspektorati Qendror me ndihmën e biznesit dhe në partneritet me median e publikun e gjerë.

Nënshkrimi i Memorandumit Inspektorati Qendror me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë e Industrisë së Shqipërisë (U.C.C.I. AL)

U nënshkrua sot në ambientet e Inspektoratit Qendror Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Znj Ines Muçostepa, Kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë e Industrisë së Shqipërisë dhe Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror.

Me qëllim rritjen e efektivitetit të trupave dhe grupeve të Inspektimit të Inspektorateve Shtetërore dhe uljen e barrës administrative që rëndon biznesin, është krijuar regjistri elektronik i Inspektorëve, si dhe janë bërë pjesë e sistemit elektronik për kryerjen e inspektimeve online që të gjitha Inspektoratet Shtetërore.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë së Shqipërisë, si përfaqësuese ligjore e të gjitha Dhomave të Tregtisë e Industrisë në Shqipëri, do të jetë promotore e praktikave më të mira për kryerjen e inspektimeve me dokumente e lista verifikimi të standardizuara nën udhëheqjen metodoligjike të Inspektoratit Qendror.

Inspektorati Qendror ka pajisur me paketa portabël, laptop e printera portabël që të gjitha grupet e inspektimit të Inspektorateve Shtetërore dhe në partneritet me biznesin e institucionet financiare do të bëj të mundur edhe pajisjen e tyre me logjistikën e nevojshme për kryerjen e inspektimeve online përmes sistemit elektronik të inspektimeve, të ndërtaur me financiam nga Qeveria Shqiptare dhe Agjencia Amerikane për Ndihmën dhe Zhvillimin Ndërkombëtar – USAID.

Bashkimi i Dhomava të Tregtisë dhe Industrisë do të bëjë publike përmes mjeteve e rrugëve të saj që të gjitha dokumentat standarde, listat e verifikimit, si dhe regjistrat e inspektorëve për të gjitha dhomat e tregtisë e industrisë si dhe bizneset përkatëse.

Partneriteti Inspektorat Qendror me Dhomat e Biznesit, me vetë biznesin e ndershëm e median do të vazhdojë të jetë i hapur e transparent me qëllim sjelljen e përfitimeve te drejtëpërdrejta për vetë biznesin e publikun e gjerë.

Fillimi i inspektimeve online përmes sistemit elektronik “e-Inspektimi” të Inspektoratit Qendror nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial

Sot më datë 15 Mars 2017 u zhvillua nga Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, inspektimi online në subjektin Veliaj Petrol në kryeqytet.

Inspektimet online në Veliaj Petrol, u zhvilluar nën praninë e Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, si dhe të Kryeinspektorit të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Z. Gazmend Osmani.
Nga ana e përfaqësueses së kompanisë u vu theksi tek risia që sjell kryerja e inspektimeve online, duke shkurtuar kohën e inspektimit pranë subjektit, si dhe sjell standardizimin e procesit të inspektimit. Çdo proces dhe hap i procesit të inspektimit online është transparent në prani të subjektit në vendin gjeografik ku ushtron biznesin subjekti që kontrollohet.

Në fjalën e tij, në përfundim të procesit të inspektimit, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari ritheksoi nevojën e bashkëpunimit biznes, inspektorate, si dhe media e publiku i gjerë për ndryshimin një herë e mirë të kulturës së inspektimeve. Kryerja e inspektimeve online vetëm në formën e duhur ligjore duke përdorur paketat portabël dhe sistemin elektronik të Inspektimeve tashmë në kryeqytet do të shtrihet gradualisht në të gjitha rrethet e vendit.

Gazmend Osmani i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, në fjalën e tij shprehu bindjen e tij se kryerja e inspektimeve online do të jetë mënyra e vetme ligjore e kryerjes së inspektimeve nga grupet e inspektorëve të këtij Inspektorati.

Nga ana e gazetarëve dhe mediave të pranishme në inspektim u shpreh interes për procesin dhe u kërkuan shpjegime për mënyrën e deritanishme të kryerjes së inspektimeve, si dhe rolin udhëheqës e mbikëqyrës të Inspektoratit Qendror.