+355 694835881 info@insq.gov.al

Si vijim i punës në kuadër të Projektit të Binjakëzimit për Reformimin e Administratës Publike me financim nga Bashkimi Europian, në datat 10, 11 dhe 12 Prill 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror vijoi takimi dhe diskutimet profesionale me Z. Jean – Pierre DALLE, Inspektorin e Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës dhe Znj. Ramona Moldovan, Përfaqësuese Rezidente e Projektit të binjakëzimit me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe reformimin e sistemit të inspektimeve në Republikën e Shqipërisë.

Krahas prezantimit të përvojës franceze dhe praktikave europiane në fushën e inspektimeve, nga ana e stafit të Inspektoratit Qendror u soll përvoja e deritanishme në zbatimin e ligjit të inspektimeve, si një proces i mirfilltë administrativ.
Shkëmbimi i ideve dhe mendimeve ishte me interes edhe për harmonizimin e kërkesave të ligjit Nr. 10433 “Për Inspektimet në Republikën e Shqipërisë” me parashikimet në ligjin Nr. 44/2015, Kodi i ri i Procedurave Administrative.

Inspektorati Qendror përmes sistemit elektronik të inspektimeve online ka bërë të mundur fillimin e procesit të standardizimit dhe unifikimit të dokumentacionit për inspektimet dhe listave verifikuese sipas parashikimeve të ligjeve specifike sipas fushave të inspektimeve.
Vetëm me dokumentacione të standardizuara e lista verifikimi të hartuara nga vetë inspektoratet shtetërore, duke kryer inspektimet online sipas parashikimeve ligjore, do të rritet efektiviteti, transparenca e besueshmëria e ekipeve të inspektimit.

Gjatë fjalës së tij Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari e vuri theksin në nevojën për një qaje të re me status të qartë të Inspektoratit Qendror, të kartë inspektori të përforcuar, me procedura transparente e kritere të mirë përcaktuara për marrjen në punë e karrierën e Inspektorëve si të Inspektorateve Shtetërore ashtu edhe atyre të qeverisjes vendore.

Nevojitet një trajtim më i mirë me paga e logjistikë për të gjithë inspektorët e inspektorateve shtetërore.

Inspektorati Qendror dhe Inspektorati Francez i Administratës do të finalizojnë një Memorandum Bashkëpunimi në vizitën a ardhshme të Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës Franceze, Z. Jean Pierre Dalle dhe nënshkrim i Memorandumit të Bashkëpunimit do të nënshkruhet gjatë muajit Qershor në Paris.

Bashkëpunimi ndërmjet Inspektoratit Qendror dhe Inspektoratit të Administratës së Francës do të jetë afatgjatë dhe do të konkretizohet si bashkëpunim e partneritet për reformimin e sistemit të inspektimeve sipas ligjit europian- acquis communitaire.