+355 694835881 info@insq.gov.al

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit për Reformimin e Administratës Publike me financim nga Bashkimi Europian edhe sot më datë 28 Mars 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror edhe u zhvillua takimi me Z. Jean – Pierre DALLE, Inspektorin e Përgjithshëm të Administratës në Republikën e Francës me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari dhe stafin e tij.

Në takim u bë një prezantim i funksionimit të sistemit elektronik për inspektimet online, nga ana e specialistëve të Inspektoratit Qendror dhe u sqaruan pyetjet e interesi i shprehur prej Z. Jean Pierre Dalle, Inspektor i Përgjithshëm për Administratën në Republikën e Francës. Po ashtu u sqaruan edhe aspekte të funksionimit e trajnimit për stafin e Inspektoratit Qendror si dhe të Inspektorateve Shtetërore

Vizita e parë u krye në Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Sigurimeve Shoqërore (ISSHPSH). Nga ana e Kryeinspektorit Shtetëror të Punës Z. Dritan Ylli, pas fjalëve të mirëseardhjes u bë një prezantim i punës dhe i prioriteteve të këtij Inspektorati Shtetëror gjatë tre viteve të fundit.

Si punë dhe prioritet i parë u përmend projekti për dixhitalizimin e Arkivave të kërij institucioni që nga krijimi. Së dyti u përmend projekti për detyrimin e deklarimeve të subjekteve për punonjësit e tyre dhe së treti dhe prioriteti më i rëndësishëm u përmend realizimi i inspektimeve online përmes sistemit elektronik të Inspektoratit Qëndror.

Kryeinspektori i përgjithshëm i Punës iu përgjigj pyetjeve dhe interesit të Inspektorit të Përgjithshëm për Administratën në Republikën e Francës Z. Jean Pierre Dalle. Nga ana e Kryeinspektorit të Punës u shpreh gatishmëria dhe vullneti i mirë për rritjen e efektivitetit dhe transparencës së inspektimeve duke përdorur sistemin elektronik dhe po ashtu u ngrit nevoja për mbështetje me fonde dhe me mundësi trajnimi për rritjen e kapaciteteve dhe formimit profesional të grupeve të inspektimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Në takimin e dytë të zhvilluar në ambientet e Autoritetit Shtetëror të Ushqimit, Drejtoria Rajonale e Tiranës u bë një paraqitje e punës dhe e organizimit të AKU dega Tiranë. Nga ana e Z. Jean Pierre Dalle u shpreh interes për numrin dhe shpeshtësinë e inspektimeve për mënyrën e marrjes dhe analizimit të kampionëve (mostrave) për analizim në laboratorë, si dhe mbi performancën e Inspektorëve, veçanërisht e lidhur me aplikimin e sanksionit të gjobës. Nga ana e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të AKU Tiranë Z. Armando Uruçi u dhanë përgjigje dhe sqarime për mënyrën e organizimit të inspektimeve, si dhe për fillimin e inspektimeve online për Tiranën. Angazhimi i trupave të inspektimit të DRAKU Tiranë ka qenë e do të jetë maksimal për zbatimin e ligjit, dhe rritjen sigurisë ushqimore.

Në takimin e tretë të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Kryeinspektori i ISSH, Z. Eltar Deda bëri një prezantim të funksionimit dhe mënyrës së rekrutimit për Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor. E veçanta e këtij Inspektorati ishte numri shumë i lartë prej 32 000 inspektimesh në vit nga 140 Inspektor në të gjithë territorin e vendit, ku ushtrojnë aktivitet institucionet shtetërore e private të spitaleve, klinikave, shkollave, kopshteve, etj.

Krahas nevojës për ngritje të kapaciteteve dhe përmirësime ligjore, nga ana e Kryeinspektorit të ISSH u shpreh angazhimi për shtrirjen graduale të inspektimeve online që tashmë kryhen në Tiranë në të gjithë territorin e vendit. Më pas Kryeinspektori i Rajonit të Tiranës Z. Gjergji Koja demonstroi kryerjen e procesit të inspektimit online si prioritet i punës së kësaj Drejtorie gjatë muajit të fundit. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dega Tiranë është Inspektorati që ka demonstruar angazhim e profesionalizëm si dhe ka evidentuar nevojat për përmirësime të punës të dala gjatë kryerjes së inspektimeve online.

Të tre Inspektoratet Shtetërore të vizituara nga Inspektori i Përgjithshëm i Administratës së Francës Z. Jean Pierre Dalle, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror dhe stafi i tij mbeten plotësisht të angazhuar për një proces transparent e ligjor të realizimit të inspektimeve online.