+355 694835881 info@insq.gov.al

Marrëveshja ndermjet usaid dhe inspektoratit qëndror finalizohet me sukses

Një ndër risitë kryesore të Reformës në Inspektime, është dixhitalizimi i procedimit të inspektimit dhe kryerjen e saj online në kohë reale, nëpërmjet portalit e-Inspektimi. Për këtë është e rëndësishme pajisja e inspektorëve me kite portative të inspektimit që mundësojnë aksesimin e tyre online gjatë procedimit të inspektimit në biznese.

Inspektorati Qendror dhe USAid më datë 15 Shkurt 2013 nënshkruan një marrëveshje për të mundësuar pajisjen e inspektorëve me këto kite për inspektoratet pilot që janë: Autoriteti Shëndetësor Rajonal (ASHR), Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Peshkimit (ISHMPUP), Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) dhe Zyra Shqiptare Për Të Drejtat e Autorit (ZSHDA). Marrëveshja parashikon pajisjen me kite inspektimi të 260 inspektorëve dhe çdo kit përbëhet nga një kompjuter laptop dhe nga një skaner e printer portabël.

Aktualisht Inspektorati Qendror, së bashku me subjektin e kontraktuar për pajisjen e inspektorëve me kite inspektimit, po trajnon këta të fundit në përdorimin efektiv të tyre gjatë procedimit të inspektimeve online, sipas procedurave të reja të Ligjit për Inspektimin, nëpërmjet portalit e-Inspektimi.

Takim me bizneset agropërpunuese

Në datën 26 prill 2013, në ambientet e hotel Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit Investimeve (AIDA) dhe Agjencinë Kombëtare të Ushqimit (AKU) u organizua një takim, ne formë bashkëbisedimi me bizneset agropërpunuese. Gjatë këtij takimi, Inspektorja e Përgjithshme Znj. Mimoza Hajdarmataj, ka deklaruar se konsultimi i vazhdueshëm me biznesin është një nga instrumentet kryesore për rritjen e cilësisë rregullatore, mbi të cilën mbështetet platforma e Qeverisë për Reformën Rregullatore.

Rregullimi i inspektimeve nëpërmjet një ligji horizontal, pra unifikimi i procedurave, standardeve të veprimtarisë së inspektorateve, përbën një risi madhore të sistemit të inspektimit.

Reforma në inspektime është cilësuar si një nga më prioritaret e Qeverisë në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit. Kjo do të përmirësojë mjedisin e biznesit, konkurrencën e lirë e të hapur, uljen e barrës burokratike, duke reduktuar ndjeshëm numrin e ditëve të inspektimit për bizneset.

Inspektorati Qendror ka përcaktuar angazhime të qarta për inspektoratet për rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë, kapaciteteve të inspektorateve, si dhe partneritetit ndaj biznesit, nëpërmjet mbështetjes dhe këshillimit.

Projekti Rritje Albania organizon takimin e parë me bizneset e qarkut të Fierit lidhur me Pronësinë Industriale dhe Reformën e Inspektimit

Projekti Rritje Albania /Zhvillimi i Ndërmarrjeve Konkurruese (CED), një projekt i financuar nga USAID-i, synon të fuqizojë rritjen e qëndrueshme ekonomike me bazë të gjerë në Shqipëri. Projekti ndihmon ndërmarrjet jo-bujqësore të bëhen më konkurruese, të rritin shitjet dhe të krijojnë vende të reja pune.

Në vitin 2011, Projekti Rritje Albania bashkëfinancoi Konferencën e 1rë të DPI-së për të rritur ndërgjegjësimin e palëve të interesuara për probleme që lidhen me rëndësinë e DPI-së, si një mjet për promovimin e inovacionit, mjedisit të shëndetshëm dhe konkurrues për biznesin, mbrojtjen e konsumatorit, si dhe rritjen ekonomike dhe konkurrencën.

Në veçanti, prioritetet kryesore për Shqipërinë janë:
• Miratimi i Ligjit të ri për të Drejtat e Autorit Zbatimi efektiv i Ligjit për Inspektimet;
• Rritja e ndërgjegjësimit për problemet e DPI-së dhe trajnim lidhur me zbatimin e DPI-së;
• Miratimi i rregullimeve në Kodin Penal për t’u dhënë prokurorëve të shtetit autoritin që u kërkon detyra për ndjekjen penale të shkeljeve të drejtave të autorit;
• Trajtimi dhe zgjidhja e problemit të piraterisë televizive;
• Krijimi i gjykatave të specializuara për çështje të PI (përfshi ato administrative);
• Përmirësimi i burimeve, trajnimit dhe ekspertizës së Zyrës Shqiptare për të Drejtat e

Autorit dhe Departamentit të DPI-së pranë Doganës Shqiptare
Duke vazhduar me përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit të biznesit mbi çështje që lidhen me të drejtat e pronësisë intelektuale dhe inspektimin, Rritje Albania po organizon një numër tryezash të rrumbullakta në periudhën prill-maj 2013 lidhur me Pronësinë Industriale dhe Reformën e Inspektimit. Në datën 25 Prill u organizua takimi i parë me bizneset e qarkut të Fierit. Rritje Albania po bashkpunon me DPPM-në dhe Inspektoratin Qendror, të cilët do të mbulojnë pjesën e prezantimeve teknike dhe atë me Pyetje & Përgjigje. Përveç marrjes së informacionit të vlefshëm dhe praktik për pronësinë industriale dhe reformën e inspektimit, të gjithë pjesëmarrësve do t’u jepen materiale të ndryshme promocionale të përgatitura nga DPPM-ja dhe Inspektorati Qendror.

Ndër të tjera, sesionet e trajnimit me tryeza të rrumbullakta do t’i ndihmojnë bizneset të kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së Pronësisë Industriale, ku të gjejnë informacion dhe mbështetje, cilat janë rreziqet dhe përfitimet në rast se biznesi regjistron ose jo patentat, markat tregtare, dizajnetenjot industriale, ç’është reforma e inspektimit dhe si duhen informuar bizneset para inspektimit, cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre, harmonizimi me legjislacionin e BE-së, etj.