+355 694835881 info@insq.gov.al

Në datën 26 prill 2013, në ambientet e hotel Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit Investimeve (AIDA) dhe Agjencinë Kombëtare të Ushqimit (AKU) u organizua një takim, ne formë bashkëbisedimi me bizneset agropërpunuese. Gjatë këtij takimi, Inspektorja e Përgjithshme Znj. Mimoza Hajdarmataj, ka deklaruar se konsultimi i vazhdueshëm me biznesin është një nga instrumentet kryesore për rritjen e cilësisë rregullatore, mbi të cilën mbështetet platforma e Qeverisë për Reformën Rregullatore.

Rregullimi i inspektimeve nëpërmjet një ligji horizontal, pra unifikimi i procedurave, standardeve të veprimtarisë së inspektorateve, përbën një risi madhore të sistemit të inspektimit.

Reforma në inspektime është cilësuar si një nga më prioritaret e Qeverisë në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit. Kjo do të përmirësojë mjedisin e biznesit, konkurrencën e lirë e të hapur, uljen e barrës burokratike, duke reduktuar ndjeshëm numrin e ditëve të inspektimit për bizneset.

Inspektorati Qendror ka përcaktuar angazhime të qarta për inspektoratet për rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë, kapaciteteve të inspektorateve, si dhe partneritetit ndaj biznesit, nëpërmjet mbështetjes dhe këshillimit.