+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot më datë 05 Korrik 2017 në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari zhvilloi një takim pune me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e inspektimeve on-line.

Në fjalën e hapjes, Inspektori i Përgjithshëm pasi shprehu pakënaqësinë e tij dhe të Institucionit që ai drejton për mungesën e disa Kryeinspektorëve, ritheksoi detyrimin e Inspektorateve Shtetërore dhe trupave inspektuese për ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe besueshmërisë midis trupave inspektuese dhe bizneseve me qëllim rritjen e efektivitetit dhe transparencës së veprimtarisë inspektuese drejt formalizimit të ekonomisë dhe këshillimin e trupave inspektuese për të qenë sa më të korrekt në marrjen e masave administrative, për të minimizuar aktet administrative të shfuqizuara në proceset e ankimimit. Ky do të jetë një indikator i treguesit për performancën e inspektorit.

Inspektimet on-line si prioritet i Qeverisë, tashmë janë detyrim ligjor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë pavarësisht problematikave e nevojave për mbështetje logjistike që hasen gjatë procesit.

Inspektorati Qendror ka siguruar tashmë shërbimin e internetit për 580 gruper inspektimi të Inspektorateve Shtetërore.

Si vijim e në respektim të Urdhrit nr. 284 prot, datë 03.05.2017 “Për kryerjen e inspektimeve on-line”, janë urdhëruar Inspektoratet Shtetërore dhe trupat inspektuese për kryerjen online të inspektimeve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë përmes sistemit elektronik “e-Inspektimi” duke përdorur laptop dhe printer portabel. Gjithashtu, grupet e inspektimit do të identifikohen pranë subjekteve të inspektimit (bizneseve) me kartën e dixhitalizuar të inspektorit të miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm. Inspektorati Qendror ka nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi me përfaqësuesit e Dhomave dhe Bashkimeve të Biznesit, sipas të cilave përfaqësuesit e biznesit iu kanë kërkuar bizneseve të tyre të mos pranojnë grupe inspektimi pa kartë të aktualizuar Inspektori, si dhe pa paketa portabël.

Nga ana e të pranishmve në takim u ngritën shqetësime për nevojat e mirëfunksionimit të sistemit elektronik të inspektimeve, si dhe nevojat për logjistikë e pajisje elektronike bashkëkohore për kryerjen e inspektimeve online. Moszbatimi i këtij urdhri për kryerjen dhe dokumentimin e veprimtarisë inspektuese on-line vjen ndesh me zbatimin e rregullave dhe kërkesave ligjore.

Vetëm në tre muajt është bërë e mundur konfigurimi i dokumenteve stadarde dhe listave të verifikimit për Drejtorinë e Inspektimit të Arkivave, kjo falë punës dhe vullnetit të mirë të palëve, duke bërë të mundur realizimin e inspektimeve online në një kohë rekord.