+355 694835881 info@insq.gov.al

Më 15 qershor 2012, Inspektorati Qendror organizoi konferencën “Reforma në Inspektim: “Një vit progres, rezultatet dhe hapat e mëtejshme”, në mjediset e Hotel Tirana International. Kjo konferencë u mbajt me qëllim vlerësimin e progresit të arritur nga hyrja në fuqi e Ligjit horizontal për Inspektimin, miratuar një vit më parë, si dhe hapat e ndërmarra në zbatim të tij.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të biznesit vendas dhe të huaj, si Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Industrisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, përfaqësues të USAID, AIDA, Rritje Albania, përfaqësues të ministrive që kanë në varësi trupa inspektuese, përfaqësues të institucione që kryejnë veprimtari inspektuese, Autoriteti i Konkurrencës…etj,
E pranishme në konferencë ishte edhe Znj. Suzana GUXHOLLI, këshilltare e Kryeministrit për Çështjet Ekonomike, e cila mbajti fjalën e saj përshëndetëse.

Fjalën e hapjes e mbajti Znj. Mimoza HAJDARMATAJ, Inspektore e Përgjithshme, ku ndër të tjera theksoi se Reforma në Inspektim, si pjesë e programit ambicioz të Qeverisë për Reformën Rregullatore, ka për qëllim transformimin e klimës së biznesit dhe arritjen e objektivave kryesorë: Rritja e efektivitetit të trupave inspektuese në parandalimin e rreziqeve; Ulja e barrës administrative dhe kostove mbi veprimtarinë e biznesit.

Zoti Artan HOXHA, moderator i konferencës, gjatë prezantimit të tij, në cilësinë e Konsulentit të Bankës Botërore (projekti BERIS), bëri një përshkrim historik të procesit të inspektimit në R.SH si dhe synimet e reformës rregullatore në inspektim.

Zonja HAJDARMATAJ, gjatë prezantimit bëri një përshkrim të ecurisë së punës së Inspektoratit Qendror për realizimin me sukses reformës në inspektim, afateve kohore për paraqitjen në Këshillin e Ministrave dhe parlament të amendimeve të ligjeve të posaçme të cilat kanë synuar harmonizimin e tyre me ligjin nr.10 433, datë 16.06.2011, si edhe akteve nënligjore për organizimin e trupave inspektuese.

Zonja Inspektore e Përgjithshme duke vlerësuar se ndërtimi i sistemit elektorinik të inspektimeve “e-Inspection” është një nga risitë e kësaj reforme, theksoi rëndësinë e këtij portali i cili do të shërbejë për programimin, bashkërendimin e inspektimeve, shkëmbimin e të dhënave ndërmjet inspektorateve të ndryshme, si dhe për informimin e publikut, kështu do të bëjë të mundur që kontrollet në biznese të kryen në mënyrë efikase, transparente dhe të përgjegjshme. Portali “e-inspection” do të fillojë të funksionojë në janar të vitit 2013 që përkon edhe me periudhën kur pritet të kenë marrë formë të plotë dhe të kenë filluar nga puna Inspektoratet Shtetërore.
Bashkëlidhur gjeni prezantimet e Inspektores së Përgjithshme, Znj. Mimoza Hajdarmataj,
– Reforma në inspektim, progresi dhe hapat e mëtejshëm.
– Portali e-Inspection do të përmirësojë menaxhimin e informacionit mbi inspektimet.

Gjatë konferencës Z. Genc JUKA, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), prezantoi rezultatet e punës të arritura nga AKU si një nga përvojat më të mira në drejtim të organizimit të trupave inspektuese dhe procedurave të inspektimit.

Bashkëlidhur gjeni fjalën e Z. Juka,
– Rezultatet e reformës në inspektim, implementimi i ligjit horizontal.

Në konferencë mori pjesë edhe Z. Cezar CORDOVA, konsulent ndërkombëtar, kontraktuar nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Z. Cordova gjatë prezantimit të tij u fokusua në dy aspekte kryesore: transparenca në procedurat e inspektimit dhe planifikimi i inspektimeve bazuar në nivelin e riskut.
Bashkëlidhur gjeni prezantimin e Z. Cezar Cordova,
– Qasjet në reformimin e sistemit të inspektimit në Europë dhe Ballkan.
– Vizioni – Zhvillimi i principeve dhe procedurave të inspektimit më transparente dhe mbi bazë risku.