+355 694835881 info@insq.gov.al

Me date 15.02.2013, Drejtori i Misionit USAID/Shqipëri, Jim Barnhart, dhe Inspektorja e Përgjithshme, Mimoza Hajdarmataj, nënshkruan një marrëveshje për të mbështetur sistemin e E-Inspektimit në Shqipëri. Në fjalën e tij, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, theksoi rëndësinë që kanë nismat “e-qeverisje” për një qeverisje të hapur, dhe rolin që luan Inspektoriati Qendror në rritjen e transparencës. Barnhart vuri në pah rëndësinë e reformës së inspektimit dhe faktin që, për herë të parë, Qeveria e SHBA-së po jep asistencë nëpërmjet sistemeve të Qeverisë Shqiptare. Me anë të kësaj marrëveshjeje, USAID-i do t’i ofrojë Inspektoriatit Qendror 260 Paketa Portabël të Inspektimit, që përbëhen nga kompjutera laptop dhe nga skanera e printera portabël. Inspektorët do t’i përdorin këto paketa në terren, për inspektime eficiente, on-line dhe në kohë reale.

Inspektimet shtetërore janë jetike për të siguruar që rregulloret në mbrojtje të shëndetit të njerëzve, të sigurisë dhe të mjedisit, të jenë funksionale. Por, në Shqipëri, procesi i inspektimit zgjat shumë dhe u kushton bizneseve, të cilat harxhojnë mesatarisht 45 ditë në vit për t’u vënë në dispozicion të inspektimeve të ndryshme.

Për të përmirësuar transparencën dhe për të rritur efektshmërinë e inspektimeve shtetërore të bizneseve dhe të institucioneve, Qeveria e Shqipërisë krijoi, në vitin 2011, Inspektoriatin Qendror, për të bashkërenduar dhe përmirësuar cilësinë e të gjitha inspektimeve. Si pjesë e kësaj reforme, ajo filloi gjithashtu punën për ngritjen e “Portalit të E-Inspektimit”, që konsiston në pajisje e programe elektronike dhe në politika e procedura që ndihmojnë inspektorët shtetërorë të bashkërendojnë, të zhvillojnë dhe të monitorojnë inspektimet në mënyrë të besueshme dhe transparente.

Projekti është unik në këtë lloj, sepse është hera e parë që USAID/Shqipëri do të përdorë sistemet e shtetit shqiptar të prokurimit dhe të financave, për kanalizimin e fondeve të SHBA-së, të destinuara për asistencën për zhvillim.

Bashkëlidhur gjeni fjalimin e plotë të Inspektores së Përgjithshme, Zj. Mimoza HAJDARMATAJ