+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot më datë 11 Korrik 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari zhvilloi një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave, Z. Ardit Bido dhe stafin e tij, për kryerjen e inspektimeve online.

Në fjalën e hapjes, Inspektori i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen e tij, duke falenderuar publikisht Z. Ardit Bido për bashkëpunimin e frytshëm midis Inspektoratit Qendror dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, pasi është institucioni shembull që brenda vetëm tre muajve hartoi dhe përshtati dokumentet standarde dhe listë-verifikimet për dokumentimin e veprimtarisë inspektuese, duke formalizuar kështu edhe trupën e 16-të inspektuese në Shqipëri. Gjithashtu, inspektorët e DPA-s kanë përfunduar edhe fazën e trajnimit lidhur me legjislacionin dhe përdorimin e sistemit online të inspektimit.

Cikli për formalizimin e inspektimeve nga DPA-ja, mbyllet sot me shpërndarjen e kartës së inspektorit dhe paketave portabël, si instrumente kyç për kryerjen e veprimtarisë inspektuese online nëpërmjet sistemit unik të inspektimeve “e- Inspektimi”.

Gjithashtu, Z. Hajdari i bëri thirrje subjekteve private dhe publike, si dhe të gjithë Kryeinspektorëve Shtetëror, duke i rikujtuar se tashmë kemi hyrë në fazën e realizimit të inspektimeve online dhe çdo biznes duhet të krijojë kushte për trupat inspektuese në mënyrë të tillë që inspektimi të jetë i ligjshëm dhe të refuzojnë ato inspektorate që realizojnë inspektime të paligjshme me blloqe.