+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot me datë 13.03.2014, në ambjentet e Inspektoratit Qendror, u bë prezantimi i portalit unik të inspektimeve “e-Inspektimi”, në këtë prezantim morën pjesë: Znj. Milena Harito, Ministër i Inovacionit dhe Administratës Publike, Znj. Gentiana Sula, Zv/Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Z. Marc Ellingstad, General Developement Officer USAID, Z. Dritan Ylli, Kryeinspektor i ISHPSHSH, Z. Ergys Agasi, Kryeinspektor i Inspektoratit të Mjedisit dhe Z. Eltar Deda, Kryeinspektor i Inspektoratit të Shëndetësisë.

Inspektorati Qendror, ka finalizuar fazën e ndërtimit të platformës “e-Inspektimi”, në kuadrin e platformës “e-Government”, duke hapur rrugën për standardizimin e procedurave të inspektimit, bashkërendimin e inspektimeve në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe monitorimin e një procesi transparent të inspektimit në çdo inspektorat, shkëmbim informacioni ndërmjet trupave inspektuese dhe institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces.

Qëllimi kryesor i këtij sistemi elektronik është që të jetë një instrument i fuqishëm për funksionimin e përditshëm të inspektorëve, në mënyrë që të lehtësojnë punën e tyre, të ndërtojnë dhe monitorojnë një proces transparent të inspektimit. Kjo platformë e sistemit elektronik, mbulon të gjitha informacionet e nevojshme për të përgatitur dhe të kryer një procedurë inspektimi.

Veprimtaria e përditshme e inspektorateve shtetërore dhe e inspektorëve, do të gjejë pasqyrim në portalin unik të inspektimit “e-Inspektimi”. Synimi final i këtij portali është që proceset dhe aktet e dokumentimit të procedurës së inspektimit të jenë tërësisht në format elektronik dhe të aksesueshme në kohë reale. Njëkohësisht, ky portal do të komunikojë lirshëm me regjistrat e tjerë elektronikë në funksionim, si ai i QKR, i QKL etj.

Për të siguruar këtë platformë të vetme dhe të integruar, Inspektorati Qendror në bashkëpunim me USAID kanë bërë të mundur pajisjen e inspektorëve shtetërorë me paketa portabël inspektimi, që kanë në përbërje një laptop, një skaner, një printer portabël dhe një lidhje interneti nëpërmjet një USB. Kjo paketë është thelbësore për aksesimin në portal dhe kryerjen e inspektimeve në kohë reale në terren, duke e bërë çdo inspektim të gjurmueshëm dhe rezultatet e konstatimeve të patjetërsueshme, duke eliminuar përfundimisht procesverbale dhe akte shkresore të panevojshme.

Ky sistem online inspektimi do të rrisë transparencën, si dhe efektivitetin e tyre, duke parandaluar kështu informalitetin dhe korrupsionin.

Vënia në funksionim e këtij portali, është pjesë e zbatimit të reformës në inspektime dhe shërben për modernizimin e strukturave të kontrollit, të zbatimit të legjislacionit dhe rregullave në Republikën e Shqipërisë.