+355 694835881 info@insq.gov.al

Takim pune me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore

Sot më datë 05 Korrik 2017 në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari zhvilloi një takim pune me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e inspektimeve on-line.

Në fjalën e hapjes, Inspektori i Përgjithshëm pasi shprehu pakënaqësinë e tij dhe të Institucionit që ai drejton për mungesën e disa Kryeinspektorëve, ritheksoi detyrimin e Inspektorateve Shtetërore dhe trupave inspektuese për ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe besueshmërisë midis trupave inspektuese dhe bizneseve me qëllim rritjen e efektivitetit dhe transparencës së veprimtarisë inspektuese drejt formalizimit të ekonomisë dhe këshillimin e trupave inspektuese për të qenë sa më të korrekt në marrjen e masave administrative, për të minimizuar aktet administrative të shfuqizuara në proceset e ankimimit. Ky do të jetë një indikator i treguesit për performancën e inspektorit.

Inspektimet on-line si prioritet i Qeverisë, tashmë janë detyrim ligjor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë pavarësisht problematikave e nevojave për mbështetje logjistike që hasen gjatë procesit.

Inspektorati Qendror ka siguruar tashmë shërbimin e internetit për 580 gruper inspektimi të Inspektorateve Shtetërore.

Si vijim e në respektim të Urdhrit nr. 284 prot, datë 03.05.2017 “Për kryerjen e inspektimeve on-line”, janë urdhëruar Inspektoratet Shtetërore dhe trupat inspektuese për kryerjen online të inspektimeve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë përmes sistemit elektronik “e-Inspektimi” duke përdorur laptop dhe printer portabel. Gjithashtu, grupet e inspektimit do të identifikohen pranë subjekteve të inspektimit (bizneseve) me kartën e dixhitalizuar të inspektorit të miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm. Inspektorati Qendror ka nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi me përfaqësuesit e Dhomave dhe Bashkimeve të Biznesit, sipas të cilave përfaqësuesit e biznesit iu kanë kërkuar bizneseve të tyre të mos pranojnë grupe inspektimi pa kartë të aktualizuar Inspektori, si dhe pa paketa portabël.

Nga ana e të pranishmve në takim u ngritën shqetësime për nevojat e mirëfunksionimit të sistemit elektronik të inspektimeve, si dhe nevojat për logjistikë e pajisje elektronike bashkëkohore për kryerjen e inspektimeve online. Moszbatimi i këtij urdhri për kryerjen dhe dokumentimin e veprimtarisë inspektuese on-line vjen ndesh me zbatimin e rregullave dhe kërkesave ligjore.

Vetëm në tre muajt është bërë e mundur konfigurimi i dokumenteve stadarde dhe listave të verifikimit për Drejtorinë e Inspektimit të Arkivave, kjo falë punës dhe vullnetit të mirë të palëve, duke bërë të mundur realizimin e inspektimeve online në një kohë rekord.

Takim ndërmjet Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror dhe Drejtorit Ekzekutiv të Albtelecom Z. Tahsin Yilmaz

Sot, Inspektori I Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari zhvilloi një takim të përzemërt me Drejtorin Ekzekutiv të Albelecom Z Tahsin Yilmaz. Të pranishëm në takim ishin edhe Drejtori i Marketingut të
Albtelecom si dhe stafi i Inspektoratit Qendror.

Inspektori i Përgjithshëm duke ju uruar mirëseardhjen drejtuesve të kompanisë Albtelecom, shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e Albtelecom për furnizimin e 500 modem usb me kartë SIM të cilat do të mundësojnë punë e grupeve të inspektimit në terren për kryerjen e inspektimit online për një afat kohor për gjashtë muaj.

Edhe në kontratën e mëparshme për furnizimin e 80 modem usb Kompania Albtelecom ka paraqitur çmime mjaft konkurruese duke u shpallur fituese pas një procesi të hapur konkurrimi.
Edhe në procesin tenderues për furnizimin e 500 modem usb për lidhjen e internetit, kompania Albtelecom u paraqit denjësisht duke ofruar zgjidhjen më të mirë me çmimin më të lirë të mundshëm në treg. Kjo mbështetje e kompanisë Albtelecom konsiderohet si një partneritet shumë i mirë nga ana e Inspektoratit Qendror, partneritet përmes të cilit 580 grupe inspektimi në terren do të kryejnë inspektimet online në kohë reale.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime dhe ide për projektet dhe prioritetet e punës së Inspektoratit Qendror.

Nënshkrimi i Memorandumit për partneritet Bashkëpunimi ndërmjet Inspektorati Qendror me Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

Sot u nënshkrua në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës Memorandumi i Bashkëpunimit e partneritetit strategjik ndërmjet Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë Profesor Doktor Artan Hoxha dhe Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi në pranin e stafit të Inspektoratit Qendror dhe studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, si dhe mediave të shkruara dhe atyre televizive shënon fillimin e një bashkëpunimi afat gjatë. Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari ftoi akademikët e studentët e Universitetit Shtetëror të Drejtësisë që të shohin me optimizëm e shpresë , pasi biznesi i ndershëm do të ketë nevojë për kuadro me dije bashkëkohore e shkathtësitë teknologjike që duhen për të ardhmen. Biznesi i ndershëm do të ketë nevojë të punësojë Ju të nderuar studentë për t’i edukuar e përgatitur dokumentacionin e duhur që kërkon inspektimi me metodologji të mirë përcaktuar, bazuar në risk, me dokumentacione e lista verifikimi të standardizuara, nën udhëheqjen e Inspektoratit Qendror. Të gjithë ju, familjet tona e shoqëria si e tërë, duan mjedis më të pastër, frymëmarrje pa ndotje, ilaçe të kontrolluara, ushqime të sigurta, shëndetësi e punë të sigurta, mbrojtje të punëtorëve e veçanërisht të minatorëve. Inspektorati Qendror në partneritet me botën universitare të Fakultetit të Drejtësisë, me botën akademike, me dhomat e biznesit dhe biznesin e ndershëm do të bëj të mundur një Shqipëri me më pak informalitet, me më pak abuzivitet, e më shumë transparencë e siguri në ushqime e ilaçe. Me qëllim rritjen e efektivitetit të trupave dhe grupeve të Inspektimit të Inspektorateve Shtetërore dhe uljen e barrës administrative që rëndon biznesin, është krijuar regjistri elektronik i Inspektorëve, si dhe janë bërë pjesë e sistemit elektronik për kryerjen e inspektimeve online që të gjitha Inspektoratet Shtetërore.
Fakulteti i Drejtësisë, si përfaqësuesi më i denjë i Institucioneve të Arsimit të Lartë shtetëror në Shqipëri, do të jetë promotore e praktikave më të mira për kryerjen e inspektimeve me dokumente e lista verifikimi të standardizuara nën udhëheqjen metodologjike e me analiza mbi bazën e riskut të Inspektoratit Qendror.

Të pranishëm në nënshkrimin e Memorandumit ishin edhe Z. Jean Pierre Dalle, Inspektori i Përgjithshëm i Administratës në Republikën e Francës, si dhe përfaqësuesja rezidente e projektit të binjakëzimit për administratën, Znj. Ramona Moldovan.

Nga ana e Z. Dalle u mbajt një orë e hapur Leksioni me studentët e profesorët e pranishëm. Prezantimi kishte të bënte me sistemin Francez të Inspektimeve, si dhe me parimet e përgjithshme të Inspektimit nga këndvështrimi i një vendi të zhvilluar e me përvojë të gjatë.
Nga ana e të pranishmëve u shfaq interes dhe u shkëmbyen mendime lidhur me prezantimin.

Takim i Inspektorit të Përgjithshëm me Drejtorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim e Koordinim – TIKA

Sot në datën 10 Maj 2017 Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari priti Drejtorin e Agjencisë së Ndihmës për Zhvillim Ndërkombëtar – TIKA për Shqipërinë Z. Yavuz ÜMÜTLÜ me ekipin e tij.

Në takim u shkëmbyen mendime dhe ide për mënyrën e funksionimit të Agjencisë TIKA, si dhe kontributin e shtetit Turk në forcimin e bashkëpunimit e ndihmës së ndërsjelltë.
Inspektori i Përgjithshëm, Z Shkëlqim Hajdari, pasi i uroi mirë se ardhjen Z. Umutlu, e njohu ekipin e TIKA me punën, përpjekjet e prioritetet e Inspektoratit Qëndror si Institucioni kryesor, bërthamë për mbikqyrjen dhe rregullimin e veprimtarisë inspektuese në Republikën e Shqipërisë.

Për disa prej fushave e prioriteteve Inspektori i Përgjithshëm kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e Agjencisë TIKA, si një Agjenci me kontribut të qenësishme për bashkëpunim e zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Po ashtu, Inspektori i Përgjithshëm kërkoi ndihmën e Drejtorit për Shqipërinë të TIKA për vendosjen e kontakteve institucionale me institucionin ekuivalent për inspektimet në Republikën e Turqisë.
Takimi ishte tejet miqësor e me shpresë për një bashkëpunim të frytshëm e afatgjatë.

Inspektorati Qendror

Institucioni

Takim pune me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore.

Sot më datë 03 Maj 2017 në ambientet e Inspektoratit Qendror, Z. Shkëlqim Hajdari zhvilloi një takim pune me 15 (pesëmbëdhjetë) Kryeinspektorët dhe Zv. /Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e inspektimeve on-line.

Në fjalën e hapjes, Inspektori i Përgjithshëm ndër të tjera theksoi detyrimin e Inspektorateve Shtetërore dhe Trupave inspektuese për zbatimin e ligjit nr. 152/2013 “Ligjin për nëpunësin civil”, ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe besueshmërisë midis trupave inspektuese dhe bizneseve me qëllim rritjen e efektivitetit të veprimtarisë inspektuese drejt formalizimit të ekonomisë dhe këshillimin e trupave inspektuese për të qenë sa më të korrekt në marrjen e masave administrative, për të minimizuar aktet administrative të shfuqizuara në proceset e ankimimit. Një indikator i treguesit për performancën e inspektorit do të jenë vendimet e marra prej tyre.

Inspektimet on-line si prioritet i Qeverisë, tashmë janë detyrim ligjor jo vetëm i Drejtorive Rajonale Tiranë, por duhet të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë pavarësisht problematikave që mund të hasin gjatë përdorimit të sistemit elektronik.

Inspektorati Qendror është i angazhuar për të siguruar shërbimin e internetit edhe për Drejtoritë Rajonale të Inspektorateve Shtetërore.

Për një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional Inspektori i Përgjithshëm propozoi takime periodike me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore në fillim të çdo muaji.

Menjëherë pas takimit, Inspektori i Përgjithshëm ka nxjerrë Urdhrin nr. 284 prot, datë 03.05.2017 “Për kryerjen e inspektimeve on-line”, ku urdhërohen Inspektoratet Shtetërore dhe Trupat inspektuese për kryerjen online të inspektimeve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në sistemin “e-Inspektimi” nëpërmjet paketave portabel, si dhe grupet e inspektimit do të identifikohen pranë subjekteve të inspektimit me kartën e dixhitalizuar të inspektorit të miratuar nga Inspektori i Përgjithshëm.
Moszbatimi i këtij urdhri për kryerjen dhe dokumentimin e veprimtarisë inspektuese on-line do t’Ju ngarkojë me përgjegjësi ligjore.

Inspektorati Qendror dhe Këshilli i Inspektorateve të Maqedonisë angazhohen për inspektimet e formalizuara online në të dyja vendet me përkrahjen e Agjenicë Amerikane të Ndihmës për Zhvillimin Ndërkombëtar- USAID

Krahas punës për rritjen e efikasitetit e transparencës së punës së Inspektorateve Shtetërore e atyre të Qeverisjes vendore, Inspektorati Qendror ka punuar e po punon edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe sjelljes së përvojës e praktikave më të mira Europiane në fushën e Inspektimeve me vendet e rajonit e me gjerë.

Sot në datën 19 Prill 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror ishin për vizitë me ftesë të Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, Kryetari dhe Presidenti i Këshillit të Inspektorateve të Republikës së Maqedonisë Z. Vlatko Ilievski, bashkë me anëtarët e Këshillit Z. Fitim Lloga dhe Z. Qeramedin Selimi.

Vizita kishte si synim ndërtimin e urave të bashkëpunimit me qëllim shkëmbimin e përvojave e praktikave më të mira në fushën e inspektimeve. Po ashtu, takimi ishte me diskutime të hapura e të frytshme midis ekspertësh për njohjen e shkëmbimin e praktikave, e të certifikimeve, të procedurave dhe të standardeve në fushën e inspektimit të ushqimeve, ilaçeve, si dhe të fushave me interes të përbashkët.

Reforma në inspektime është një proces i vështirë e delikat, proces në të cilin duhen njohur e shkëmbyer përvojat e praktikat më të mira jo vetëm në nivel europian por edhe midis vendeve fqinje me problematika e sfida të përbashkëta. Realizimi me sukses i inspektimeve online nga ana e Inspektoratit Qendror, fuqizimi i kartës së Inspektorit, trajnimi i vazhdueshëm e certifikimi janë midis të tjerave çështje me interes, ku vendi ynë ka shënuar progres.

Në fjalën e tij Kryetari i Këshillit të Inspektorateve Z. Vlatko Ilievski theksoi sfidat e vendit të tij në fushën e inspektimeve. Aktualisht në Maqedoni ka 28 Inspektorate dhe status të përcaktuar për Inspektimet online “e-Inspektorat”. Megjithëse Maqedonia ka shënuar progres në fushën e trajnimit dhe të certifikimit të Inspektorëve, Maqedonia po punon për hartimin dhe përmirësimin e listave të verifikimit dhe dokumenteve standarde. Por me gjithë përkufizimet në ligj ende nuk janë ndërtuar aplikacionet dhe sistemet që bëjnë të mundur inspektimet online “e-Inspektorat”.
Inspektorati Qendror që tashmë i ka shtrirë inspektimet online në Tiranë, si pjesë e përvojës së fituar e pikave të Marrëveshjes së nënshkruar u angazhua për të dhënë ndihmën dhe kontributin e tij në hartimin e përmirësimin e listave të verifikimit, si dhe do të ndihmojë Këshillin e Inspektorateve të Maqedonisë për futjen së shpejti të Inspektimit online dhe në Republikën e Maqedonisë.

Takimi u finalizua me nënshkrimin e një Memorandumit të Mirëkuptimit (MiM) e bashkëpunimit midis dy Institucioneve homologe të dy vendeve, pika të rëndësishme të së cilës do të jenë njohje dhe shkëmbimi i certifikatave, procedurave e dokumentacioneve për inspektimet në të dyja vendet, shkëmbimi i ekspertëve dhe i përvojave më të mira, si dhe rakordimi i përpjekjeve të përbashkëta për lehtësimin e barrës së biznesit e rritjes së efikasitetit të trupave të inspektimit në të dyja vendet.
Inspektimet online, me dokumenta të standardizuara e lista verifikimi standarde e transparente, me akt administrativ të lëshuar në vendin e inspektimit janë çelësi i duhur për luftimin e korrupsionit dhe praktikave klienteliste në fushën e inspektimeve në të dyja vendet.
Memorandumi i nënshkruar i mirëkuptimit do t ‘ i shërbej rritjes së tregtisë e shkëmbimeve midis të dyja vendeve, si dhe përmirësimit të klimës së biznesit, për ta bërë rajonin e Ballkanit Perëndimor më tërheqës ndaj investimeve të huaja.

Këshilli i Inspektorateve të Republikës së Maqedonisë, duke shprehur vlerësimin për arritjet e sfidat e Inspektoratit Qendror u angazhua për projekte të përbashkëta si në nivel ndërshtetëror ashtu edhe në nivel të Komisionit Europian me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor e rregullator në fushën e inspektimeve, si dhe implementimin së afërmi të sistemit elektronik për inspektimet online