Kryeministri Berisha, në vijim të informimit mbi performancën ekonomike, analizoi sot, në mbledhjen e qeverisë, të dhënat për regjistrimin e bizneseve në qarkun e Tiranës dhe punësimin.
Duke sjellë të dhënat e fundit për këto dy tregues, sipas të cilave, numri i bizneseve të vogla të regjistruara vetëm në qarkun Tiranës është rritur me 5988 biznese dhe numri i të punësuarve është rritur me 8 589 persona, Kryeministri Berisha hodhi poshtë deklaratat e opozitës për falimentim të biznesit të vogël, duke i konsideruar ato deklarata “ziliqare e keqdashëse”, të pambështetura në fakte. Kryeministri tha se dinamika e bizneseve flet për gjallëri të ekonomisë shqiptare dhe përgënjeshtron zotin Rama, i cili “zotëron dy mekanizma: pazarin dhe trillimin.”
Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha tha:
“Unë do t’i lejoj vetes të qartësoj qytetarët shqiptarë se një propagandë nxirosëse, e ligë, ziliqare e keqdashëse në pafundësi po bëhet këto kohë, në drejtim të jetës ekonomike të vendit dhe ekonomisë në tërësi. Unë kam këtu, të dhënat që faktojnë në mënyrën më të pakundërshtueshme, gjallërinë, vitalitetin e ekonomisë sonë. Në mbledhjen e kaluar, ju njoha me rritjen e shitjeve të përgjithshme me 25.6 përqind, që deklarohet nga vetë tregtarët e biznesmenët. Mund të jenë më shumë, por të deklaruara janë 25.6 përqind.
Le të shohim dinamikën e bizneseve. Është shumë fatkeqe propaganda e zotit Rama. Ky zotëri ka vetëm dy mekanizma, që ia thotë mendja se do ta afrojnë me pushtetin. I pari është pazari e vetëm pazari: më jep, të jap. Por unë nuk mundem, nuk jam njeri i pazareve. Unë jam njeriu i parimeve që besoj e që u përmbahem. Ndaj i bëj edhe një herë thirrje zotit Rama, të heqë dorë nga logjika e pazareve, se bëhet figura më e keqe. Një herë thotë, dal nga parlamenti për ligjin e Gjykatës Administrative, nëse nuk më jep këtë,një herë tjetër thotë unë nuk e bëj këtë, po nuk më dhe këtë. Politika nuk është pazar. Politika është moral, është tërësi principesh e alternativash që mbrohen nga ata që i besojnë. Zoti Rama beson vetëm në forcën e pazarit. Mu kujtua diçka. Ditën kur u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, njëri nga dy ekonomistët kryesorë të PS-së i thotë tjetrit se nuk e kuptonte se çfarë e deshi ai [zoti Rama] këtë detyre. Përgjigja e tjetrit ishte ajo që kujt nuk mund t’i shkojë ndërmend: Ai mori bankën më të madhe të Ballkanit. Ndaj edhe koncepti i tij për partinë është pazari.
Për më tepër informacion për WISIS, mund të klikoni në adresën: http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=17049