Në ambientet e Ministrisë së Shendetësisë, sot me datë 25.11.2016, u organizua një takim i përbashkët pune me pjesëmarrjen e Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm, Inspektorati Qendror, Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë dhe Z. Eltar Deda, Kryeinspekor, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.
Në fjalën e tij Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e përdorimit të portalit “e-Inspektimi”, ku e gjithë veprimtaria inspektuese do të kryhet online në kohë reale, nëpërmjet paketave portabël (laptop, printer dhe usb), gjë e cila do të sjellë rritjen e efektshmërinë së inspektimeve ndaj subjekteve apo enteve publike, do të përmirësojë transparencën dhe të garantojë konkurrencën e lirë. Ky lloj inspektimi është fillimi i një reforme që ne duam të bëjmë në inspektim, e cila është prioritet i Qeverisë Shqiptare në kuadrin e ndërtimit të sistemeve bashkëkohore në të gjithë administratën, ku inspektimi ashtu sikurse për ju edhe për inspektoratet e tjera, është një hap shumë i rëndësishëm në interes të enteve që kontrollohen, në interes të bizneseve që kontrollohen në mënyrë që perceptimi i publikut për trupat e inspektimit të jetë ndryshe. Tashmë, trupat e inspektimit do të jenë në bashkëpunim të hapur dhe transparent me ato që kontrollohen. Inspektimet do të kryhen mbi bazën e një metodologjie për të prodhuar një akt administrativ të pakontestueshëm në rrugë ligjore. E gjitha kjo do të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, informalitetit dhe bizneseve të pandershme, që për hir të së vërtetës, ne përplasemi çdo ditë”, ka pohuar z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror.
Në përfundim të takimit u shpërndanë edhe kartat e inspektorëve, për grupin e parë të Inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Sipas ligjit çdo inspektor do te identifikohet gjatë inspektimit nëpërmjet kartës së Inspektorit, të dhënat dhe detajet e të cilave mund të kontrollohen lehtësisht online nga subjektet që inspektohen.
Ministri Beqaj, gjatë fjalës së tij, ka nënvizuar se kjo është një risi në punën e inspektorëve, si dhe një përpjeke për të garantuar cilësi në ofrimin e kujdesit shëndetësor në të mirë të qytetarëve tanë, por edhe për të krijuar në mjedis shëndetësor, qofshin këto sistemin publik apo jopublik të funksionojnë në mënyrë transparente dhe me konkurrencë të ndershme.