Raporti i Open Knowledge Foundation : Shqipëria, e treta nga 100 vende të OGP-së për të dhëna transparente të koorporatave vendase.
Qeveria shqiptare është angazhuar ta shndërrojë administratën e saj në më transparentet në rajon, Evropë e më gjerë. Për këtë Qeveria shqiptare që nga shtatori 2011 ka hyrë në iniciativën globale Open Government Partnership, si dhe para disa ditësh hartoi një plan veprim 1-vjeçar me zotime konkrete për rritjen e transparencës së qeverisjes ( www.mitik.gov.al linku OGP Albania).
Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo (i cili është njëkohësisht edhe Kryetar i Grupit Ndërministror të Punës për hartimin e plan veprimit të Shqipërisë për OGP-në) merr pjesë sot në takimin e dytë vjetor të iniciativës, që zhvillohet në Brazilia, Brazil në datat 17 – 18 prill 2012, me përfaqësues nga më shumë se 50 vende, duke përfshirë Sekretaren e Shtetit të SHBA-ve Znj. Hillary Clinton dhe Presidenten e Brazilit Znj. Dilma Rousseff që bashkëkryesojnë takimin. Përfaqësuesit pritet të ndajnë vizionet dhe planet e tyre për të bërë qeveritë përkatëse më të hapura ndaj qytetarëve.
Në vigjiljen e këtij takimi fondacioni Open Knowledge publikon raportin e vlerësimit të Open Coorparates për 100 vende, që kanë hyrë në iniciativën OGP dhe rendit Shqipërinë të tretën pas Britanisë së Madhe dhe Çekisë sa i përket të dhënave transparente të sipërmarrjeve vendase. Një lajm shumë i mirë ky për vendin tonë, i cili publikon të dhëna për bizneset online me anë të portalit të QKR-së.
Në takimin e OGP-së, Ministri Pollo, ndër të tjera, prezantoi plan veprimin e Shqipërisë në këtë iniciativë, kryefjalë e të cilit është zbatimi i projektit madhor të Qeverisë, Shqipëria Digjitale. Në plan veprim janë renditur disa angazhime që pritet të kryhen brenda këtij viti, ndër të cilat përmendim: çeljen e një portali qeveritar për të publikuar të dhëna zyrtare të formatit open data; amendime të ligjit egzistues ”Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” (Nr. 8503, datë 30.06.1999), si dhe krijimin e një ligji të ri “për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Çfarë është OGP?
Iniciativa Partneritet për Qeverisje të Hapur, OGP, ( www.opengovpartnership.org ) është një nismë e re shumëpalëshe që synon të sigurojë angazhime konkrete nga ana e qeverive për të nxitur transparencën, fuqizimin e qytetarëve në vendimmarrje, luftën kundër korrupsionit, dhe të shfrytëzojë teknologjitë e reja për të forcuar qeverisjen. Në frymën e bashkëpunimit me shumë aktorë, OGP është mbikëqyrur nga një Komitet Drejtues të qeverive dhe organizata të shoqërisë civile.
Për t’u bërë një anëtar i OGP-së, vendet pjesëmarrëse duhet të përqafojnë Deklaratën e OGP-së, të dorëzojnë një planveprimi të qeverisë së tyre (që Shqipëria i ka kryer tashmë), si dhe të angazhohen për raportim të pavarur mbi progresin e bërë.
Iniciativa Open Government Partnership është lançuar në shtator të vitit të kaluar dhe bashkëkryesohet nga presidentët Barack Obama dhe Dilma Roussef të SHBA-ve dhe Brazilit, me anëtarë të parë, shtetet që kanë firmosur Deklaratën e OGP-së: Indonezia, Meksika, Norvegjia, Filipinet, Afrika e Jugut, Britania e Madhe.
I pranishëm në ceremoninë e lançimit të iniciativës së OGP-së në New York, më 21 shtator 2011, Kryeministri z. Sali Berisha u shpreh: “Shqipëria është një vend që po bën përpjekjet më serioze në drejtim të një qeverisje më transparente. Në këtë Forum, Shqipëria gjen një frymëzim dhe angazhohet të zbatojë një për një të gjitha zotimet e angazhimet që rrjedhin nga anëtarësia në këtë nismë.”
Ndërsa në letrën e pranimit të Shqipërisë në OGP, datuar në 2 gusht 2011, ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo shkruan ndër të tjera: “Vendi im, vitet e fundit ka shënuar arritje në luftën kundër korrupsionit dhe kthimin e qeverisjes në më të hapur dhe transparente për qytetarët. Jam i sigurt që pjesëmarrja e Shqipërisë në OGP do të bëjë të mundur që të mësojmë nga eksperiencat e vendeve të tjera dhe gjithashtu Shqipëria t’i paraqesë vendeve anëtare apo aspirante në OGP sfidat dhe sukseset e saj në këtë fushë.”
Për hartimin e plan veprimit të Shqipërisë, me anë të një urdhri të Kryeministrit, më dhjetor 2011, u ngrit Grupi Ndërministror i Punës (i kryesuar nga ministri Pollo) i cili dorëzoi plan veprimin në OGP më 9 prill 2012.
Qeveria shqiptare e konsultoi dhe hartoi këtë plan veprim për një periudhë 3-mujore me kontributet e gjithë institucioneve dhe agjencive qeveritare qendrore. GNP mbajti në shkurt 2012 një tavolinë të rrumbullakët me disa nga përfaqësuesit e OJQ-ve në vend, të cilët kanë ndjekur me interes zhvillimet e iniciativës OGP dhe punën e kryer nga Qeveria për këtë çështje, duke kontribuar në hartimin e këtij plan veprimi.
Konsultimi me OJQ-të dhe publikun e gjerë do të vijojë, me qëllim përmirësimin e këtij dokumenti, vitin e ardhshëm. Po kështu, vitin e ardhshëm, në përditësimin e plan veprimit do të përfshihen nismat që do të ndërmarrë qeverisja vendore në Shqipëri.
Tabela e renditjes së vendeve të OGP-së për të dhëna transparente të koorporatave vendase.
Për më tepër informacion rreth raportit, vizitoni faqen e mëposhtme:
http://blog.okfn.org/2012/04/16/how-open-is-corporate-data-in-open-government-partnership-countries/ .