Qeveria miraton krijimin e Task-Forcës, për marrjen e masave ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara. Këshilli i Ministrave miratoi dje aktin normativ “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”.
Kryeministri Berisha, duke prezantuar aktin normativ, tha se do të ketë zero tolerancë në tejkalimin e përcaktimeve ligjore. Akti parashikon krahas masave për subjektet që shkelin orarin e lejuar, duke shkaktuar zhurma në mjedis, edhe masa ndaj punonjësve publikë, përgjegjës për zbatimin e ligjit, që e neglizhojnë atë. “Në të gjitha këto raste, ju garantoj se mbrapa qëndron korrupsioni. Cilido që do t’i shurdhohen veshët nga korrupsioni, të shkojë të punësohet atje, se në administratën e shtetit nuk mund të marrë më rrogë. Përkundrazi, do të shkojë për ndjekje penale, se bën një krim”, – u shpreh Kryeministri.
Akti normativ përcakton shkarkime e ulje në detyrë ndaj të gjithë atyre që nuk e zbatojnë atë dhe që janë përgjegjës për zbatimin e tij, qofshin inspektorë të Inspektoratit të Mjedisit, të Shëndetit Publik apo të Policisë së Shteti.
Për më tepër informacion, klikoni në linkun: http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=16750