+355 694835881 info@insq.gov.al

Ne kuader te 100 Vjetorit te Pavaresise, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në orën 00.00 të datës 28/11/2012 lançon Portalin e ri Unik Qeveritar per qytetaret Shqipetar.

Portali do te jete i aksesueshem ne adresen URL : www.e-albania.al

Me poshte gjeni nje info te shkurter pershkruese te tij .

Portali Unik Qeveritar – Porta unike e shërbimeve qeveritare për qytetarët dhe biznesin

Portali unik qeveritar është pjesa qendrore e një bashkimi solid të qeverisë në aspektin e shërbimeve elektronike të ofruara ndaj qytetarit dhe biznesit. Portali është projektuar që të ndërveprojë si një qark inteligjent, duke shërbyer si një pikë e vetme aksesi për qytetarët, ndaj shërbimeve të ofruara nga institucionet e administratës publike.
Proceset e brendshme dhe sistemet e informacionit do të jenë të lidhura me portalin qeveritar për të shkëmbyer, përpunuar informacion si dhe elemente të shërbimeve në ”kanalet e brendshme shpërndarëse”.
Ky portal, i cili në formën e tij të parë, vjen për qytetarin shqiptar në ditën e 100 Vjetorit të Pavarësisë, i sjell qytetarit një derë të vetme ku të trokasi për të marrë informacion mbi shërbimet e ofruara nga Qeveria Shqiptare. Në këtë portal mund të merret informacion rreth llojeve të shërbimeve, dokumentacionit shoqërues për të marrë një shërbim, tarifat dhe kostot, në rastet kur ato aplikohen, vendodhjen gjeografike si dhe kontaktet e nevojshme, sipas zyrave përkatëse që ofrojnë shërbimin. Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë të këtij portali, i cili në këtë fazë të tij ka më tepër një karakter informues ndaj qytetarit, por që në vijimësi të këtij projekti të iniciuar nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit (MITIK), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe i financuar nga Bashkimi Europian, brenda pak muajsh (gusht 2013), do të integrohen edhe dy shërbimet e para online për qytetarët shqiptarë apo dhe të huaj.
Portali unik qeveritar është pjesë e një projekti madhor, që synon ndërveprimin e të gjitha bazave të të dhënave shtetërore dhe si rrjedhojë ofrimin e shërbimeve digjitale, në kohë reale, pa pasur nevojë që për të dhënat dytësore të kërkuara nga një shërbim të drejtohesh pranë zyrave të ndryshme të administratës publike.
Krijimi i ndërveprimit të sistemeve qeveritare është një punë graduale dhe madhore, që AKSHI e ka nisur që me krijimin e saj si Agjenci në 2007 dhe fillimin e operimit të saj në 2008, me anë të zgjerimit të rrjetit ndërqeveritar, GovNet si dhe ngritjes graduale të infrastrukturës së komunikimit dhe shërbimeve. Ky rrjet tashmë ka arritur të integrojë të gjitha institucionet qendrore në Tiranë duke i ofruar atyre konektivitet të sigurtë dhe shërbime të përqendruara për administratën publike. Evolimi i këtij rrjeti fizik, së bashku me infrastrukturën përkatëse ka mundësuar hedhjen e bazave për krijimin e bërthamës së ndërveprimit të sistemeve të informacionit, që do të integrojë të gjitha sistemet qeveritare në Republikën e Shqipërisë, duke rritur kështu numrin e shërbimeve digjitale.
Portali Unik Qeveritar do të jetë kurorëzimi i ndërveprimit të sistemeve dhe ndërfaqësimit unik të tyre në një platformë të vetme duke i dhënë qytetarëve më shumë shërbime online, por dhe duke ofruar mundësi informative në lajmet periodike të tij, të cilat do të jenë të fokusuar tek qytetari si dhe një sërë informacionesh të tjera rreth Shqipërisë apo kalendaret e aktiviteteve më të rëndësishme për qytetarët shqiptar duke u shtuar dita ditës me shërbime të reja për të.