+355 694835881 info@insq.gov.al

Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo mori pjesë në Samitin Botëror mbi Shoqërinë e Informacionit (World Summit on the Information Society, WISIS) që u mbajt në datat 14-18 maj 2012 në Gjenevë të Zvicrës.

Samiti Botëror mbi Shoqërinë e Informacionit është një nismë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të krijuar një platformë të përbashkët për promovimin e Shoqërisë së Informacionit në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, duke përfshirë palë të ndryshme të interesit. Qëllimi i WISIS gjithashtu është të arrihet në një vizion dhe përkushtim të përbashkët për të ndërtuar një Shoqëri të Informacionit të orientuar nga qytetarët, gjithëpërfshirëse, dhe kah zhvillimit, ku të gjithë mund të krijojnë, të aksesojnë, të shfrytëzojë dhe të shkëmbejnë informacione.

Në tavolinën e rrumbullakët me ministrat përgjegjës për teknologjinë e informacionit, të cilët merrnin pjesë në samit, Ministri Pollo prezantoi disa nga arritjet e Shqipërisë në këtë fushë, të filluara rreth pesë vite më parë, si çelja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të Licencimit të biznesit, instalimi dhe fillimi i operimit të sistemit të prokurimit elektronik, digjitalizimi i Regjistrit Kombëtar Civil të shtetasve, e duke vijuar me një sërë aktivitetesh të tjera, që bënë realitet ofrimin e shërbimeve të qeverisjes nëpërmjet internetit në sistemin e tatim-taksave, sistemin doganor, apo sistemi i krijuar rishtas për ankimimin online të shtetasve në sistemin gjyqësor.

Shumë nga shërbimet shtetërore për biznesin, u shpreh Ministri, janë online dhe kjo ka ndihmuar në mirëqeverisje dhe përmbushjen e objektivave të Qeverisë për rritje të transparencës dhe zvogëlim të korrupsionit.

Ministri Pollo përmendi gjithashtu arritjet në telekomunikacion, me liberalizimin e tregut, rritjen e konkurrencës, si dhe uljen e çmimeve të bisedave telefonike.

Ministri vijoi se, sfida aktuale, e ministrisë që drejton, mbetet miratimi i një Plani Kombëtar të Broadband-it dhe për këtë po ndërmerren një sërë nismash si miratimi i kuadrit ligjor, në bashkëpunim me AKEP, promovimi i investimeve në këtë fushë, etj. Për prezantimin e planit të hartuar për broadband-in do të organizohet edhe një konferencë në Tiranë në 25 maj 2012.

Për më tepër informacion për WISIS, mund të klikoni në adresën: www.wsis.org .