“Ne kemi përzgjedhur sistemin e inspektoriatit dixhital, në kuptimin që një regjistër kombëtar i inspektorëve shtetëror mbahet në Inspektoriatin Qëndror të vendit dhe ky regjistër është regjistri i gjurmës së çdo inspektimi.”
Kryeministri Berisha drejtoi sot, mbledhjen e Task-Force për reformën e inspektoriateve, e cila iu kushtua hapave për fazën përfundimtare të kësaj reforme.
Duke theksuar rëndësinë e sistemit të inspektoriateve, si një sistem themelor për funksionimin e tregut dhe garantimin e standardeve, kryeministri vlerësoi ecurinë dhe arritjet e deritanishme të reformës, e cila mundësoi thjeshtimin nga 36 inspektoriate në 11 të tilla, si dhe instalimin e Inspektoriatit Qendror, i cili udhëheq sistemin e inspektimit në vend, duke garantuar përsosjen e tij të vazhdueshme.
Kryeministri theksoi se implementimi i plotë i kësaj reforme është i domosdoshëm për të luftuar arbitraritetin dhe çdo praktikë abuzive, e cila dëmton në mënyrë të pamerituar biznesin dhe zhvillimin e tij. “Ne kemi përzgjedhur sistemin e inspektoriatit dixhital, në kuptimin që një regjistër kombëtar i inspektorëve shtetëror mbahet në Inspektoriatin Qendror të vendit dhe ky regjistër është regjistri i gjurmës së çdo inspektimi. Asnjë inspektor pas vendosjes së këtij sistemi nuk do të mund të inspektojë pa lënë gjurmë elektronike se ishte, pastaj do jenë të tjerët që do të vlerësojnë duhet të shkonte apo jo, motivet që e shtynë të shkojë, agjenda e tij dhe me rradhë, por lënia e gjurmës është një kusht i domosdoshëm”, u shpreh kryeministri.
Më pas, në mbledhje u diskutua për procedurat e përzgjedhjes së kryeinspektorëve të ministrive të linjave, si dhe emërimin e tyre, pajisjen e tyre me dokumentet përkatëse, ngritjen e një komiteti Ad-Hoc që do të ketë si detyre implementimin me saktësi e vendosmëri të reformës së inspektimit etj..