– Qëllimi kryesor i projekteve të digjitalizimit është që të gjitha sistemet të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo ambient ku kërkohen.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim të zgjeruar me ministra të kabinetit qeveritar dhe me drejtorët e agjencive kryesore dhe institucioneve që kanë në zbatim projekte në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit.
Kryeministri Berisha tha se kjo mbledhje vjen si domosdoshmëri e koordinimit të punës ndërmjet të gjitha ministrive, agjencive dhe strukturave në këtë fushë, për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore të secilit prej tyre që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Nisma e Partneritetit për Qeverisje të Hapur ka rreth 46 objektiva dhe ka si shtyllë kryesore dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj., duke bërë disponibël të dhënat e agjencive përkatëse, në një sportel të vetëm.
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se po punohet për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike, pasi ai harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, shërbimet midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit.
Kryeministri theksoi se kjo kërkon vullnet dhe çdo sistem që ngrihet në të gjitha agjencitë, duhet të ketë si kërkesë bazë përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktivitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen.
Më pas, Kryeministri renditi një sërë detyrash specifike të secilës ministri apo agjenci në këtë drejtim.
Duke vlerësuar punën e bërë nga çdo strukturë dhe duke shprehur besimin për finalizimin me sukses të këtij procesi, Kryeministri u shpreh se nuk ka dhuratë më të bukur që mund t’i bëhet Shqipërisë e shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, sesa realizimi i Shqipërisë dixhitale.
Në fjalën e plotë të tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Ky takim i zgjeruar thirret për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore, të çdo ministrie, të çdo agjencie, që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në partneritetin për qeveri të hapur. Ky anëtarësim kërkon një qeverisje tërësisht transparente, të hapur ndaj qytetarëve të vendit. Tashmë është e faktuar që asgjë nuk është më jetike në rritjen e performancës në luftën kundër korrupsionit, sesa transparenca.
Ministri Pollo ka bërë një shqyrtim të problematikave sipas sektorëve, në raport me këtë nismë. Dua të theksoj këtu se nisma e Partneritetit për qeveri të hapur ka rreth 46 objektiva. Në thelbin e vet, ose si shtyllë më kryesore, ky partneritet ka dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj., bërjen disponibël të të dhënave të agjencive. Në këtë kontekst, ne po punojmë për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike. Ky projekt harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit.
E rëndësishme është që të gjitha projektet tuaja të jenë të përputhshme plotësisht me këtë sistem. Pra, ka rëndësi që agjencia të ketë disponibël të gjitha të dhënat që i duhen nga agjencitë e tjera, për funksionimin e saj si një sportel i vetëm.
Ku konsistojnë pengesat në këtë drejtim? Së pari kjo kërkon vullnet dhe ju, në çdo sistem që ngrini në të gjitha agjencitë, duhet të keni si kërkesë të sistemit, përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktibilitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi kryesor është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen. Kjo kërkon që ju të përcaktoni të dhënat e hapurat, të cilat do jenë pjesë e këtij sistemi, kërkon që ju të shqyrtoni imediatikisht buxhetin për zgjidhjen e domosdoshme që do të bëni, në mënyrë që sistemet tuaja të jenë pjesë integrale e projektit të inter-operabilitetit.
Secila agjenci ka detyrimet e veta.
Ministri Pollo dhe AKSHI duhet të hartojnë një manual ku të saktësohet se çfarë do të jene “të dhënat e hapura”, mënyrën e konvertimit të të dhënave ekzistuese në formatin e të dhënave të hapura. Të gjitha institucioneve duhet t’u dërgohet nga ministri një shkresë për identifikimin e të dhënave, që do të mund të kthehen në të dhëna të hapura, natyrisht kjo sipas mundësisë, kapaciteteve dhe kohës. Por kjo duhet të përcaktohet imediatisht.
Lidhur me Auditin, ministri i linjës, në bashkëpunimin me ministrin e Financave të orientojnë institucionet se si do procedojnë për botimin online të raporteve të auditimit, sipas angazhimit përkatës të ndërmarrë. Ne kemi një vendim që çdo akt kontrolli i çdo natyre do të botohet. Votohet pasi është kompletuar si procedurë burokratike. Ne kemi struktura të auditit të brendshëm pranë institucioneve dhe transparenca e akteve të tyre përbën një nga kërkesat themelore të iniciativës së Partneritetit për Qeveri të Hapur.
Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (MITIK) dhe z. Pollo, si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI):
1. Duhet të fillojë puna për çeljen e një portali me të dhëna qeveritare të formatit open data.
2. Zbatimi i sistemeve e-Parlament, më tej e-President dhe e-Publication, pra Gazeta Zyrtare Elektronike.
3. Zgjerimi i rrjetit qeveritar Govnet
4. Infrastruktura e Ndërveprimit të e-Qeverisjes (e-Government Interoperability Framework- e-GIF)
5. Datacenteri Qendror, që do të mundësojë që të gjithë shërbimet online të jenë të qendërzuara dhe të integruara.
6. Ministri për Inovacionin dhe TIK do të hartojë një ligj të posaçëm “Për njoftimin dhe konsultimin” për rregullimin ligjor të proceseve konsultuese të strukturuara me aktorë të shoqërisë civile, grupet e interesit, duke përfshirë partnerët ekonomikë dhe socialë.
7. Studim për gjithë faqet zyrtare të internetit të institucioneve dhe agjencive qendrore për t’i kthyer ata në user friendly.
8. Inspektim i faqeve zyrtare të internetit të institucioneve te Pushtetit Vendor.
9. Zbatimi i projektit Tracking apo Gjurmueshmëria, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm, qoftë për qytetarin, qoftë për biznesin. Ky projekt do të bëjë të mundur që biznesmeni shqiptar, qytetari, të ndjekë elektronikisht dokumentin, kudo qe ndodhet ai, do të bëjë të mundur të vendosë gishtin direkt mbi burokratin që pengon ecjen e tij, mbi zyrën që fle mbi të. Zbatimi i këtij projekti ka pasur efekte jashtëzakonisht pozitive në nxitjen e investimeve të huaja në atë shtet ku u aplikua për herë të parë. Shqipëria ka nevojë jetike për zbatimin e këtij projekti në kohën më të shkurtër të mundshme.
10. Krijimi i portalit te ri qeveritar shumë funksional, e-albania.al.
11. Krijimi i portalit unik te inspektimeve, “e- Inspection”.
Për më tepër informacion, klikoni në linkun më poshtë :
http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=16403