Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Ekonomise,Tregëtisë dhe Energjitikës, marrjen e masave të menjëhershme për shkurtimin, në jo më shumë se 40 ditë, të kohës se nevojshme për lidhjen e energjisë për bizneset.
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Task Forcës për reformën Rregullatore, ku u diskutua raporti mbi “Sistemin e Inspektimit ne Shqipëri—analize dhe opsione”, i hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë, në bashkëpunim me ekspertët e administratës shqiptare.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha u shpreh se reforma e inspektimit, është një prej reformave më thelbësore. Inspektimet, theksoi kryeministri përbëjnë një kusht themelor të funksionimit të shtetit ligjor, garantimit të konkurrencës së lirë, por nga ana tjetër janë barrë dhe arbitraritet për biznesin. Në këtë mënyrë, vijoi kryeministri, thjeshtimi i tyre, vendosja e një sistemi sa më të reduktuar, të mundshëm dhe eficent duhet të jetë qëllimi i kësaj reforme.
Kryeministri Berisha u shpreh se Task Forcë ka mbi një vit që është angazhuar në reformën e inspektimeve, duke kontraktuar ekspertë ndërkombëtarë shumë të njohur për reformën rregullatore, në nivelin evropian dhe botëror, të cilët kanë analizuar gjendjen aktuale të inspektorateve në Shqipëri dhe kanë bërë sugjerimet e tyre.
Kryeministri theksoi se reforma e inspektimit parashikon edhe reduktimin e domosdoshëm të numrit të inspektoriateve, në mënyrë që të arrihet një transformim i thellë i këtij sistemi. “Një ndër problemet e mëdha të këtij vendi është numri i madh i inspektorateve, e cila nuk ka qenë vetëm një sëmundje shqiptare. Reforma parashikon reduktimin e domosdoshëm të numrit të inspektorateve. Në procesin e reformimit të inspektoriateve vende të ndryshme kanë arritur objektiva të ndryshëm. Disa kanë bërë reduktime drastike të tyre, të tjerë më të pakta. Në qoftë se nuk arrijmë në një transformim të thellë të këtij sistemi, nuk mund të kemi kompetivitetin e duhur, apo lirinë e duhur të tregut, etj.Duke e vlerësuar këtë reformë, si më të rëndësishmet që do të ndërmerret, kryeministri u shpreh se mbi të gjitha inspektoriatet do të ndërtohen duke i nxjerrë nga korrupsioni. “Tani do të ecim shpejt, vendosmërisht dhe do të shohim modelin. Modeli më i mirë është ai që përjashton korrupsionin dhe rrit eficencën”
Gjithashtu në mbledhjen e Task-Forcës për reformën rregullatore u diskutua edhe ngritja e njësisë “One Stop Shop për aplikimet energjetike. Shqipëria sot është i vetmi vend ne Evrope i cili ka 2 “one-stop-shop” ne nivelin kombetar: QKR dhe QKL. Por reforma rregullatore do te avancoje me tej, duke prekur sektorët e energjisë dhe atë minerar. Ngritja e njësisë “One-Stop-Shop” për aplikimet energjetike është shpallur si nje prioritet ne programin qeveritar për vitin 2010. Gjatë mbledhjes u bë një prezantim mbi versionet e ndryshme te ketij modeli, ne mënyre qe institucioni i ri te jete një ndihme reale ndaj investitorëve te huaj dhe vendas përsa i përket investimeve ne sektorin e energjetikes.
Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha u ndal nder të tjera, në kohën jashtëzakonisht të gjatë që autoriteteve kompetente në Shqipëri u duhet për lidhjen e bizneseve me energjinë, e cila sipas raporteve ndërkombëtare është 144 ditë. Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministri Ekonomise,Tregëtisë dhe Energjitikës, zoti Dritan Prifti të marrë masa të menjëhershme që këto autoritete ta shkurtojnë në mënyrë drastike kohën e nevojshme për lidhjen e energjisë për bizneset, në jo më shumë se 40 ditë.
Mbledhja e Task Force për reformën rregullatore diskutoi ndër të tjera edhe projektligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive publike”. Ky projektligj ka si objekt përcaktimin e rregullave që lidhen me kushtet dhe procedurat për ofertat publike të blerjes së titujve të emetuar nga një shoqëri aksionare.