Sot më datë 15 Mars 2017 u zhvillua nga Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, inspektimi online në subjektin Veliaj Petrol në kryeqytet.
Inspektimet online në Veliaj Petrol, u zhvilluar nën praninë e Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, si dhe të Kryeinspektorit të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Z. Gazmend Osmani.
Nga ana e përfaqësueses së kompanisë u vu theksi tek risia që sjell kryerja e inspektimeve online, duke shkurtuar kohën e inspektimit pranë subjektit, si dhe sjell standardizimin e procesit të inspektimit. Çdo proces dhe hap i procesit të inspektimit online është transparent në prani të subjektit në vendin gjeografik ku ushtron biznesin subjekti që kontrollohet.
Në fjalën e tij, në përfundim të procesit të inspektimit, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari ritheksoi nevojën e bashkëpunimit biznes, inspektorate, si dhe media e publiku i gjerë për ndryshimin një herë e mirë të kulturës së inspektimeve. Kryerja e inspektimeve online vetëm në formën e duhur ligjore duke përdorur paketat portabël dhe sistemin elektronik të Inspektimeve tashmë në kryeqytet do të shtrihet gradualisht në të gjitha rrethet e vendit.
Gazmend Osmani i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, në fjalën e tij shprehu bindjen e tij se kryerja e inspektimeve online do të jetë mënyra e vetme ligjore e kryerjes së inspektimeve nga grupet e inspektorëve të këtij Inspektorati.
Nga ana e gazetarëve dhe mediave të pranishme në inspektim u shpreh interes për procesin dhe u kërkuan shpjegime për mënyrën e deritanishme të kryerjes së inspektimeve, si dhe rolin udhëheqës e mbikëqyrës të Inspektoratit Qendror.