+355 694835881 info@insq.gov.al

Takim i Inspektorit të Përgjithshëm me Drejtorin e projektit anti Korrupsion, si dhe me ekspertët Z. Adre SIMON dhe Znj. Claudia Simon

Sot në datën 8 Mars 2017, me kërkesë të drejtuesve të Projektit për Formulimin, Koordinimin dhe Zbatimin e Politikave anti – Korrupsion pranë Qeverisë Shqiptare, me financim nga BE, u zhvillua në ambientet e Inspektoratit Qendror një takim midis Inspektorit të Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari dhe Z. Detleff Kreutzer, si dhe me ekspertët Z. Andre SIMON dhe Znj. Claudia Simon.

Takimi ishte informues lidhur me përfshirjen e Inspektoratit Qendror për trainime e fuqizim kapacitetesh, si dhe mundësimin e përfshirjes së Inspektoratit Qendror si pjesë e Projektit të Formulimit e Zbatimit të Politikave Anti Korrupsion, së afërmi.

Nga ana e bashkëbiseduesve u shkëmbyen mendime lidhur me inspektimet, me sfidat e Inspektoratit Qendror, si dhe me përcaktimin më ta qartë ligjor të përgjegjësive dhe kompetencave qoftë të Inspektoratit Qendror ashtu edhe të Inspektorateve Shtetërore.

Me interes ishte shkëmbimi i mendimeve dhe të dhënave lidhur me tregues të raportuar të punës së Inspektorateve Shtetërore, që kanë dalë gjatë analizave të punës së Inspektorateve Shtetërore e raportimeve të tyre periodike pranë Inspektoratit Qendror.

Nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari u prezantuan sfidat e përpjekjet e tij për reformimin e sistemit të Inspektimeve, shtrirjen dhe përdorimin e sistemit elektronik për kryerjen e inspektimeve online, fillimisht në Tiranë dhe gradualisht në të gjithë Shqipërinë. Reforma në
Inspektime ka pot ë njëjtin ndikim dhe shtrirje të efekteve për fuqizimin dhe formalizimin e ekonomisë shqiptare ashtu si edhe reforma në sistemin e drejtësisë, nënvizoi Inspektori i Përgjithshëm.
Nga ana e ekspertëve u kërkua informacion lidhur me bashkëpunimin e agjencive ligj zbatuese në mbështetje të punës së Inspektoratit Qendror.

Si frymë e përgjithshme e takimit u shpreh domosdoshmëria e mbështetjes së reformimit të sistemit të inspektimeve, si dhe e rritjes së kapaciteteve e mbështetjes së punës së Inspektoratit Qendror.

Takim i Inspektorit të Përgjithshëm me përfaqësues të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë

Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari zhvilloi në datën 8 Mars 2017, në ambientet e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë një takim të frytshëm më Z. Tarik Shahoviç, Specialist i Lartë për Sektorin Privat, me Znj. Jieun Choi, Ekonomiste për Tregtinë e Konkurueshmërinë e Bankës Botërore, si dhe me Znj. Irena Gribizi, Koordinatore për Klimën e Investimeve të Bankës Botërore për Shqipërinë.

Në takim u prezantuan objektivat dhe prioritetet e punës së Inspektoratit Qendror, si dhe u shpalosën projektet për të cilat nevojitet ndihma dhe mbështetja e Institucioneve donatore, si dhe e organizatave e organizmave ndërkomëtare.
Nga ana e përfaqësuesve të Bankës Botërore u shpreh vlerësim dhe entuziazëm për bërjen realitet të inspektimeve online përmes sistemit elektronik “e-Inspektimi”.

Banka Botërore është një Institucion huadhënës që punon me kërkesën e qeverive të vendeve që shohin interes të përbashkët në projekte afatmesme dhe afat gjata.

Një aspekt i mundshëm për mbështetje e konsiderim nga ana e Bankës Botërore mund të ishte Lehtësimi dhe Mbështëtja me Mjete Teknologjike bashkëkohore e Agjencive Ligj-zbatuese (Inspektoratet Shtetërore, Inspektorët veterinerë, të Mjedisit, të Ushqimit, Fito Sanitare, si dhe ato të Mbikqyrjes së Tregut) për Inspektimet në pikat e kalimit kufitar. Do të ishte me interes kordinimi dhe rakordimi i përpjekjeve mes tre vendeve, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në këtë drejtim, si fazë e parë e Projektit, për të cilin mund të aplikohet pranë Bankës Botërore.

Takim i Inspektorit të Përgjithshëm me drejtuesit e Projektit të financuar nga USAID në Maqedoni “Për Modernizimin e Autoriteteve të Inspektimit në Maqedoni- MIA”

Sot në datën 7 Mars, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror priti në ambientet e Inspektoratit Qendror një ekip të Projektit me financim nga Agjencia Amerikane e Ndihmës – USAID të Republikës së Maqedonisë, për Modernizimin e Autoritetit të Inspektimeve në Maqedoni.

Në fillim të takimit Znj. Meri Cuculoska, si personi i USAID në Maqedoni për financimin e Projektit bëri prezantimin e qëllimit të Projektit dhe të dy pjesëtarëve të Projektit të pranishme në takim: Znj. Rosalija Vasilevska, Zv/ Drejtuese e Projektit dhe të Znj. Suzana Aleksova, si Konsulente e Projektit.

Qëllimi i projektit për Modernizimin e Autoriteteve te Inspektimit në Maqedoni ishte për të bërë një studim, analizë krahasuese për trainimet dhe modalitetet e trajnimit për vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Europian, për përmirësimin e punës monitoruese dhe të njohurive dhe efektivitetit në kryerjen e inspektimeve në Maqedoni. Agjencia Amerikane e ndihmës USAID ka financuar projektin MIA, me anën e të cilit synon krijimin e një qendre të qëndrueshme të trajnimit të inspektorëve.

Edhe qëllimi i vizitës së përfaqësueses së USAID në Maqedoni si dhe drejtuesve të Projektit MIA në Inspektoratin Qendror kishte të bënte me shkëmbimin e ideve dhe përfitimin e përvojës së Inspektoratit Qendror në fushën e trajnimeve, të certifikimit të Inspektorëve si dhe komponentit të përdorimit të Teknologjisë së Informacionit për mbështetjen e inspektimeve.

Nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, pasi iu urua mirëseardhja vizitorëve iu bë një ekspoze e Inspektoratit Qendror, të punës e arritjeve për kryerjen e inspektimeve siç e parashikon ligji, me dokumente të standardizuara, me metodologji të mirë përcaktuar, nën udhëheqjen dhe drejtimin metodologjik të Inspektoratit Qendror.

Në Shqipëri, pasi është ndërtuar e bërë funksional sistemi elektronik për kryerjen e inspektimeve online (projekt ky me financim nga fondet e Qeverisë shqiptare dhe me ndihmën e USAID), ka filluar procesi i inspektimeve online, fillimisht për Tiranën.

Objektivi është, theksoi Inspektori i Përgjithshëm, që brenda gjatë mujorit të parë të kryhet procedura e inspektimeve online për të gjitha Inspektoratet Shtetërore dhe deri në fund të vitit 2017 do të jenë pjesë integrale e sistemit elektronik për kryerjen e inspektimeve online edhe Inspektorët pranë Bashkive.

Gjatë takimit nga ana e drejtuesve të projektit MIA u shpreh interes lidhur me ligjin për inspektimet, funksionimin e inspektimit, në të gjithë hierarkinë e tij si dhe vecanërisht lidhur me ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimet.

Inspektori i Përgjithshëm shprehu gatishmërinë për tíu gjendur në ndihmë kurdo që të kërkohet dhe po ashtu shprehu gatishmërinë e Inspektoratit Qendror për nënshkrimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit më institucionin e ngjashëm (Këshillin e Inspektorëve) të Maqedonisë, në vizitën më të afërt që pritet të ketë në Inspektoratin Qendror, në Tiranë Presidenti i atij Këshilli.

Inspektori i Përgjithshëm merr pjesë në promovimin e Shoqatës Bashkimi i Prodhuesve Vendas

Në datën 6 Mars 2017 në sallën Balsha të Hotel Tirana Internacional u organizua mbledhja për promovimin e krijimit të shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar”, si një organizatë jo-fitimprurëse përfaqësuese e mbrojtëse, si dhe për të përmirësuar interesin e përbashkët të të gjithë prodhuesve shqiptarë që operojnë në Shqipëri, duke i informuar në vazhdimësi, si dhe me synimin për t’ i mbështetur në forma të ligjshme.

Takimin e përshëndetën edhe Kryeministri i vendit Z. Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë e rritjes së produkteve made in albania, si dhe rolin mbështetës e rregullator të agjencive ligj zbatuese për inspektimin e mbështetjen e biznesit vendas e të huaj.

Po ashtu, Z. Astrit SHABANI, , Kryetar – Klubi i Prodhuesve të Kosovës, në fjalën e tij theksoi nevojën e rakordimit të përpjekjeve për produkte cilësore dhe të afta për të konkuruar në tregje të rajonit e me gjerë.

Nebi HOXHA, Kryetar – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në fjalën e tij u shpreh në favor të rritjes së bashkëpunimit e shkëmbimeve midis bizneseve vendase e atyre të rajonit, për rritje të standardit dhe gamës së produkteve bio, të pëlqyeshme e me çmime konkurruese për konsumatorin e rajonit.

Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës u shpreh në favor të rritjes së komunikimeve, e shkëmbimeve si dhe për dobishmërinë e organizimit të bizneseve dhe nevojën që shteti të jetë transparent e mbështetës ndaj biznesit të ndershëm.

Në takim ishte i ftuar dhe mbajti fjalën e tij përshëndetëse edhe Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari. Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm, shprehu vendosmërinë e tij për realizimin e Inspektimeve me metodologji të mirë përcaktuar e sipas përcaktimeve ligjore online, në vendin e në prani të biznesit. Inspektorati Qendror si institucioni mbikëqyrës dhe i udhëheqjes metodologjike po punon fort për ndërrimin një herë e mirë të kulturës së inspektimeve për rritjen e efektivitetit dhe transparencës me synim uljen e barrës që rëndon mbi biznesin e ndershëm.

Inspektimet online përmes sistemit elektronik të Inspektoratit Qendror – Inspektorati Shtetëror Shëndetësor – Tiranë

Sot më datë 28 Shkurt 2017 u zhvillua nga Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Tiranë inspektimi online në dy subjekte në kryeqytet.

Inspektimet online për kompaninë e fasonerisë Muka, u zhvilluar nën praninë e Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, si dhe të Kryeinspektorit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Tiranë, Z. Gjergji Koja.

Nga ana e përfaqësueses së kompanisë u vu theksi tek risia që sjell kryerja e inspektimeve online, duke shkurtuar kohën e inspektimit pranë subjektit, si dhe sjell standardizimin e procesit të inspektimit. Çdo proces dhe hap i procesit të inspektimit online është transparent në prani të subjektit në vendin gjeografik ku ushtron biznesin subjekti që kontrollohet.

Në fjalën e tij përpara mediave të pranishme, në përfundim të procesit të inspektimit, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari ritheksoi nevojën e bashkëpunimit biznes, inspektorate, si dhe media e publiku I gjerë për ndryshimin një herë e mirë të kulturës së inspektimeve. Kryerja e inspektimeve online vetëm në formën e duhur ligjore duke përdorur paketat portabël dhe sistemin elektronik të Inspektimeve tashmë në kryeqytet do të shtrihet gradualisht në të gjitha rrethet e vendit, Brenda muajit Korrik të këtij viti. Po Brenda vitit 2017, përveç detyrimit nga të gjitha inspektorateve shtetërore për kryerjen e inspektimeve online do të bëhet edhe integrimi i inspektorëve pranë Bashkive të vendit në sistemin elektronik të Inspektoratit Qendror.

  1. Gjergji Koja Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Rajonal të Tiranës, në fjalën e tij shprehu bindjen e tij se kryerja e inspektimeve online do të jetë mënyra e vetme ligjore e kryerjes së inspektimeve nga grupet e inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës.

Nga ana e gazetarëve dhe mediave të pranishme në inspektim u shpreh interes për procesin dhe u kërkuan shpjegime për mënyrën e deritanishme të kryerjes së inspektimeve, si dhe rolin udhëheqës e mbikëqyrës të Inspektoratit Qendror.

Prezantimi i analizës së punës, dhënia e kartës së Inspektorëve me integrimin në sistemin informatik të inspektimeve “e-Inspektimi” për Zyrën e Mbrojtjes nga Rrezatimet – ZMR

Sot më datën 24 Shkurt 2017 u zhvillua në ambientet e Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimet (ZMR) analiza a punës si dhe shpërndarja e kartave Inspektor për Inspektorët e kësaj Zyre. Në këtë aktivitet përveç drejtuesve të zyrës dhe të gjithë inspektorëve ishin të pranishëm edhe Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari me ekipin e tij drejtues.

Si pjesë e analizës së veprimtarisë së ZMR u prezantuan puna dhe përpjekjet e saj nën drejtimin metodologjik të Inspektoratit Qendror. Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet megjithëse me zyrën e saj vetëm në Tiranë e shtrin aktivitetin e saj në mbrojtje të jetës dhe shëndetit kundër rrezatimeve në të gjithë territorin e vendit.

Inspektori i Përgjithshëm i kërkoi Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimet që t’i vazhdojnë përpjekjet për: a) Kontrollin periodik të pajisjeve dhe sistemeve të cilat janë burime rrezatimi, si dhe bashkëpunimin ndërmjet këtij Inspektorati dhe Institutit të Fizikës Bërthamore, si dhe b) Vënia në eficencë e matjes e ndjekjes së rrezatimeve që vijnë nga antenat celulare dhe nga antenat dhe emetuesit e tjerë të valëve në hapësirë.

Realizimi i Inspektimeve online me integrimin e ZMR në sistemin informatik të inspektimeve “e-Inspektimi”, si dhe me pajisjen e të 11 Inspektorëve të këtij Inspektorati me kartat e Inspektorit e bën edhe punën e këtij inspektorati më transparente dhe më efektive.