+355 694835881 info@insq.gov.al

Prezantim i Inspektorit të Përgjithshëm të Sfidave dhe Arritjeve të Inspektoratit Qendror

Sot, më datë 10 Janar 2018, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ku ka qenë i ftuar Inspektorati Qendror, u zhvillua takimi i 4-t i Komitetit Drejtues të Projektit të Binjakëzimit të financuar nga BE-ja “Mbështetje për formulimin, bashkërendimin dhe zbatimin e politikave anti-korrupsion”, të kryesuar nga Zëvendësministre Znj. Teuta Vodo dhe më pjesëmarrjen e Znj. Vilma Petro, Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë, Z. Pirro Vengu, Drejtoria e Antikorrupsionit në Kryeministri, dhe Komitetit Drejtues të Projektit Z. Helmut Weichhart, Z. Peter Weis, Z. Detlef Kreutzer, Znj. Lena Anderson dhe Z. Johannes Windisch.
Në këtë takim, Z. Shkëlqim HAJDARI, prezantoi gjendjen dhe sfidat që i është dashur të menaxhojë sapo morri detyrën si Inspektor i Përgjithshëm, si dhe arritjet e Inspektoratit Qendror kohë pas kohe duke formalizuar inspektimet me dokumente standarde, listë verifikimi, të pajisur me kartën e inspektorit, online dhe me bazë risku, duke e kthyer tashmë në një proces të rregullt administrativo ligjor.

Duke marrë parasysh objektivat kryesore të Inspektoratit Qendror, në shmangien e korrupsionit, klientelizmit dhe praktikat abuzive ndaj biznesit, Z. Hajdari shpalosi dy projekte të cilat do të godasin abuzivizmin e trupave jo profesionalë të inspektimit apo edhe korrupsionin nga biznese jo të ndershme:
Projekti i Sistemit Elektronik për Inspektimet online, me regjistrim të plotë të procesit inspektues (audio, data, video). Ky projekt përfshin pajisjen e inspektorëve me Tableta e Printer Termik, e cila synon që të arrihet performancë më e rritur dhe transparencë e fleksibilitet në punën e inspektorëve; Regjistrimi dhe ruajtja e të dhënave të të gjithë procesit inspektues do të realizohet në audio & video deri kur vendimi administrativ do të marrë formën e prerë; Do të bëhet e mundur identifikimi i pozicionimit gjeografik të të gjithë procesit inspektues në vendin ku subjekti e zhvillon aktivitetin dhe jo nga zyrat e inspektorëve
Projekti i godinës së re multifunksionale për grupimin e inspektorateve shtetërore, i cili do të ofrojë: përmirësimin e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së veprimtarisë së inspektimit duke ofruar për biznesin dhe qytetaret shërbim sipas standardeve Evropiane; grupimin e inspektorateve shtetërore duke rritur bashkëpunimin e të gjitha trupave inspektuese dhe realizimin e inspektimeve të përbashkëta me kosto sa më të ulët administrative; pajisje me mjete më cilësore transporti si dhe elektronike për ekipet inspektuese; efiçencë dhe përgjegjshmëri në reagimin ndaj kërkesave/ankesave të qytetarëve/bizneseve etj.

Këto projekte gjetën mbështetjen e plotë nga përfaqësuesit e Qeverisë Shqiptare dhe anëtarët përfaqësues të Bashkimit Europian në këtë takim.

TAKIM ME KRYEINSPEKTORËT E INSPEKTORATEVE SHTETËRORE

Inspektori i Përgjithshëm: Realizimi i procedurës së inspektimit si një proces i rregullt ligjor

Sot, më datë 06 Dhjetor 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim HAJDARI, zhvilloi takimin e përmuajshëm të punës me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e punës së inspektorateve.

Inspektori i Përgjithshëm paraqiti pranë të pranishmëve ecurinë e procesit punës për ristrukturimin e institucioneve me funksione inspektuese, si dhe të ecurisë së inspektimeve, për muajin Nëntor 2017, ku theksoi se shumica e inspektorateve shtetërore po kryejnë inspektime online.

Inspektimet jo-ligjore (me blloqe), tashmë janë histori e së shkuarës, pasi inspektimet realizohen vetëm on-line, me dokumente standarde, listë verifikimi, të pajisur me kartën e inspektorit, si një proces i rregullt administrativo ligjor, ashtu siç është detyrimi ligjor për të gjithë Inspektoratet Shtetërore, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si një prioritet i Qeverisë Shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit shkz. Edi Rama.

Inspektori i Përgjithshëm kërkoi ri-trajnimin e inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujrave dhe Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit për përmirësimin e aftësive në realizim e procedurës së inspektimit online.

Në fjalën e tij, Inspektori i Përgjithshëm kërkoi që programet vjetore dhe mujore të inspektimit të jenë të bazuara në analizën e vlerësimit të riskut, që paraqet çdo subjekt objekt inspektimit, ku përveç detyrimit ligjor, kjo vjen edhe si rrjedhojë e angazhimit të Inspektoratit Qendror në projektin anti-korrupsin, të drejtuar nga Bashkimi Europian.

Në përfundim të fjalës së tij, Inspektori i Përgjithshëm, ri-theksoi nevojën e rritjes së transparencës, zvogëlimin e barrës ndaj biznesit, si dhe dhënien e ndihmës për ta standardizuar dhe formalizuar.

TAKIM ME KRYEINSPEKTORËT E INSPEKTORATEVE SHTETËRORE

Inspektori i Përgjithshëm: Fund inspektimeve të paligjshme dhe korruptive

Sot, më datë 01 Nëntor 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim HAJDARI, zhvilloi takimin e përmuajshëm të punës me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për vijueshmërinë e inspektimeve on-line.

Në fjalën e hapjes, Inspektori i Përgjithshëm pasi shprehu pakënaqësinë e tij dhe të Institucionit që ai drejton për mungesën e disa Kryeinspektorëve në takim, u paraqiti të pranishmëve ecurinë e procesit punës për ristrukturimin e institucioneve me funksione inspektuese, si dhe bëri një paraqitje të ecurisë së inspektimeve online për muajin Tetor 2017.

Inspektimet on-line janë detyrim ligjor për të gjithë Inspektoratet Shtetërore, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe prioritet i Qeverisë Shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit shkz. Edi Rama.

Inspektori i Përgjithshëm kërkoi që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Inspektorati Shtetëror i Ujit, të ndërpresin menjëherë inspektimet e paligjshme.

Ligji nr. 10433, datë 16.06.2011, “Për inspektimet në Republikën e Shqipërisë” dhe Vendimi  nr. 1, datë 12.10.2017, i Zv. Kryeministres, si kryetare e Komitetit Drejtues për Ristrukturimin e Institucioneve të Varësisë”, i detyron trupat inspektuese t’i kryejnë inspektimet të planifikuara, duke e njoftuar biznesin sipas detyrimit ligjor, të pajisur me kartën e inspektorit, si dhe online në prani të biznesit.

Inspektori i Përgjithshëm, urdhëroi që brenda 10 (dhjetë) ditëve, Inspektoratet Shtetërore të mësipërme (ISHMP, IKMT, AKU, ISHSH dhe ISHU) ti kryejnë inspektimet me dokumente standarde, listë verifikimi, të pajisur me kartën e inspektorit ,onlinë, si një proces i rregullt administrativo ligjor, ashtu si 11 (njëmbëdhjetë) inspektoratet e tjera shtetërore, të cilat e realizojnë me sukses procedurën e inspektimit online.

Në përfundim të fjalës së tij, Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se kjo mënyrë e kryerjes së inspektimit, përveç se detyrim ligjor, do të shmang korrupsionin, klientelizmin dhe praktikat abuzive ndaj biznesit, si dhe njëkohësisht do ti kthejë trupat e inspektimit në profesionistë. Një proces i tillë ligjor administrativ rrit transparencën, zvogëlon barrën ndaj biznesit, si dhe e ndihmon atë për t’u standardizuar dhe formalizuar. Gjatë takimit, sektori i IT të IQ dhe IT e  Inspektorateve Shtetërore diskutuan në nivel teknik zgjidhjen e të gjitha problematikave për sigurimin e funksionimit të sistemit elektronik të inspektimit.

Prezantimi i hapave për reformimin dhe ristrukturimin ligjor të Inspektorateve Shtetërore dhe Agjencive me funksione inspektuese për luftimin e korrupsionit e reduktimin e kostove ndaj biznesit.

Sot më datën 17 Tetor 2017, në orën 14:00 në ambientet e Inspektoratit Qendror u zhvillua një takim i Zëvendëskryeministres Znj. Senida MESI dhe Inspektorit të Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari me Kryeinspektoret e të gjitha Inspektorateve Shtetërore.

Inspektorati Qendror ka bërë të mundur pajisjen me laptop e printer portabël si dhe me lidhjen Internet (përmes pajisjes USB Modem) për të gjitha grupet e inspektimeve të Inspektorateve Shtetërore. Inspektimet online me dokumenta e lista verifikimi të standardizuara duke përdorur sistemin elektronik janë kërkuar të kryhen online në të gjithë vendin duke filluar nga muaji Korrik 2017. Aktualisht vetëm Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Drejtoria Rajonale e Tiranës ka kryer e po kryen në vazhdimësi inspektime online.

Në fjalën e saj Znj. Senida MESI, pasi bëri një prezantim të shkurtër për reformimin e inspektorateve shtetërore e agjencive me funksione inspektuese, shprehu vlerësimin e mbështetjen e saj për kryerjen e inspektimeve të formalizuara duke rritur transparencën e ulur kostot ndaj biznesit. Reformimi i Inspektorateve Shtetërore dhe Agjencive të tjera që kryejnë inspektime janë prioritet i qeverisë shqiptare. Reforma synon që t’i organizojë Inspektoratet Shtetërore mbi bazë objekti e qëllimi të përbashkët me qëllim shmangien e inspektimeve të njëjta nga Inspektorate të ndryshme siç ka ndodhur.  Qeveria është e vendosur theksoi Zv. Kryeministrja, për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës së punës së Inspektorateve Shtetërore në zbatim të ligjit. Duhen minimizuar e bërë zero fenomenet e gjobvënies apo sjelljeve abuzive të trupave të inspektimit. Duhen minimizuar inspektimet e programuara, ato të kryhen vetëm mbi bazën e analizës së riskut dhe për raste të pashmangëshme. Inspektimet rastësore duhen bërë vetëm në koordinim e bashkëpunim më Inspektoratin Qëndror, sipas dokumenteve standarde e listave të verifikimit. Për më tepër Znj. Mesi e vuri theksin tek transformimi i Inspektorateve në trupa profesionistësh dhe me sistem karriere.

Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm bëri një paraqitje të sintetizuar të punës e përpjekjeve gjatë vitit të fundit, në bashkëpunim me bizneset e dhomat e biznesit, vendase e të huaja për standardizimin e inspektimeve me lista verifikimi e dokumente të publikuara në faqen e internetit dhe të njohura për bizneset. Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se inspektimet online janë zgjidhja shëruese për korrupsionin e klientelizmit në fushën e inspektimeve.

Vetëm inspektimet e formalizuara me dokumenta standarde, e lista verifikimi transparente, të realizuara përmes sistemit elektronik për inspektimet do të kryhen nga inspektorët e inspektorateve shtetërore në të gjithë vendin. Kjo është rruga e vetme e standardeve që kërkon Bashkimi Europian dhe që shnang korrupsionin, rrit transparencën dhe mbështet biznesin e ndershëm dhe lufton informalitetin. Ristrukturimi do të mbështetet duke marrë eksperincën dhe asistencën e vendeve më të zhvilluara të BE-së në fushën e Inspektimeve.

Roli i inspektorëve shtetëror do të fokusohet më shumë në këshillime e udhëzime për biznesin, se sa sanksione e devijime nga zbatimi i ligjit.

Të gjitha Inspektorët e Inspektorateve Shtetërore, sipas shembullit më të mirë të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Rajonal të Tiranës, do të kryejnë vetëm inspektime online, si një proces i rregullt ligjor e administrativ.

Inspektorati Qendror

Bashkëngjitur gjeni Vendimin Nr. 1 të dates 12.10.2017, të Komitetit Drejtues të Ristrukturimit të Institucioneve të Varësisë

Takimet 6 Tetor

Inspektori i Pergjithshem Z. Shkelqim Hajdari, ne Paris, nenshkruan Marreveshjen per fillimin e bashkëpunimit me Z. Michel Rouzeau, Inspektor i Përgjithshëm i Administratës në Francë – IGA
Në kuadër të bashkëpunimit disa mujor midis Inspektorattit Qendror të Republikës së Shqipërisë dhe Inspektoratit të Përgjithshëm të Administratës së Francës, me ftesë të Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Francës Z. Michel Rouzeau, prej disa ditësh po kryn një vizitë në Francë Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoraratit Qendror.
Qëllimi i kësaj vizite, është njohja nga afër e organizimit dhe e funksionimit të Inspektoratit të Përgjithshëm të Administratës Franceze – IGA, organizimi dhe funksionimi i Inspektorateve Teknike, Shtetërore Franceze, si dhe mënyra e ndërveprimit të Inspektoratit Qendror Francez me Inspektoratet e tjera.
Fillimisht, u zhvilluan takime njohëse e prezantuese në Shkollën Franceze të Administratës – ENA, me Drejtorin e Shkollës Z. Patrick Gerard, si dhe me Z. Peirre Thenard, Drejtor i Mardhënieve me Jashtë të ENA-s.
Po kështu, u zhvilluan takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Ekonomisë Z. Bruno Verlon, i cili prezantoi në mënyrë te detajuar organizimin e Inspektorateve shtetërore.
U zhvilluan takime në Inspektoratin e Punës, me Z. Laurent Vilboeuf, Inspektoratin e Përgjithshëm të Ceshtjeve Sociale, Znj. Nathalie Destais, Inspektoratin e Doganave, Z. Francois Richard, Inspektoratin e Konkurrencës Mbrojtjes së Konsumatorit, (Z. Philippe Sage Vellier), Inspektoratin e Ushqimit Z. Alain Moulinner, me Drejtorin e Drejtorisë së Antikorrupsionit të Republikës së Francës Z. Charles Duchaine etj.
Në datën 6 Tetor u u zhvillua një takim i gjatë pune dy-palësh midis Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Francës. Inspektori i Përgjithshëm i IGA, Z. Michel Rouzeau shprehu vlerësimin e tij për kryerjen online të inspektimeve me dokumente standarde e lista verfikimi të unifikuara nga ana e Inspektoratit Qendror të Shqipërisë, duke theksuar se mbështetja ligjore e proceduriale e kësaj mënyre inspektimi nga ana e IGA do ta ktheje sistemin e inspektimeve në Shqipëri model, për të gjitha vendet e Ballkanit Përendimor. Në përfundim të takimit drejtuesit e këtyre dy institucioneve ranë dakort për fillimin e një bashkëpunimi afatgjatë, për marrjen dhe implementimin e përvojës Franceze në fushën e Inspektimeve në Republikën e Shqipërisë, sipas standardeve e kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Europian. Fushat kryesore te ketij bashkepunimi do te jene:
1. Hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, te nevojshme për zbatimin e versionit të ri të ligjit të lartpërmendur, në përputhje me legjislacionin acquis Europian;
2. Evoluimi i statusit të inspektorit, procedurat e rekrutimit dhe administrimit të tyre, si dhe çështjet lidhur me pagat;
3. Trajnimi i stafit të inspektimit me praktikat e bashkepunimit te tyre me biznesin, të zbatuara nga IGA;
4. Mbajtja e kontakteve të krerëve të Inspektorateve Shtetërore me korrespondentët e tyre teknik në Francë.
Të dy Inspektorët e Përgjithshëm nënshkruan marrëveshjen, për fillimin e bashkëpunimit duke përcaktuar fushat konkrete ku do të bashkëpunohet për reformimin strukturor dhe ligjor të Inspektorateve Shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Finalizimi i këtij bashkëpunimi do të realizohet me vizitën e Inspektorit të Përgjithshëm të Administratës së Francës në Tirane. Z. Michel Rouzeau.

SHKARKO MATERIALIN KËTU

Takim i Inspektorit të Përgjithshëm me Profesor e Ekspertë të shquar të fushave të tyre të ekspertizës

Në takimin e sotëm të zhvilluar në ambientet e Inspektoratit Qendror me Profesor e ekspertë të fushave të ndryshme, objekte të inspektimit, me temë reformimin e sistemit të inspektimeve në Republikën e Shqipërisë, fillimisht të pranishmëve ju urua mirë se ardhja dhe u shpreh vlerësimi për angazhimin e tyre në interes të publikut dhe formalizimit të ekonomisë.

Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm bëri një përmbledhje të arritjeve e sfidave për reformimin e inspektimeve në Shqipëri, për rritjen e efektivitetit e transparencës të trupave inspektuese goditjen e korrupsionit duke ulur barrën e biznesit për formalizimin e ekonomisë e përmirësimin e klimës së biznesit (fjala e plotë e Inspektorit të Përgjithshëm në linkun e mëposhtëm).

Fjala e plotë e Inspektorit të Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari

Në fjalën e tij Këshilltari i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare Z. Sandër Lleshi, theksoi nevojën e reformimit të sistemit të inspektimeve në Republikën e Shqipërisë nga dy këndvështrime: Reforma në strukturë dhe reforma në procedurë.

Në fjalën e tij ekspertët e konsulentët që kanë hartuar ligjin ekzistues “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ligji 10433, Z, Artan Hoxha, Z, Jordan Daci, dhe Z. Zhani Shapo sollën në vëmendje të të pranishmëve parimet e mëshiruara në ligjin për inspektimet, si dhe u shprehën pozitivisht për nevojën e përmirësimeve e ndryshimeve ligjore.

Në fjalën e tij Z. Alban Zusi, President i Qendrës Shqipëtare të eksporteve shprehu entuziazmin e tij dhe të bizneseve që ai përfaqëson, si dhe shprehu mbështetjen e plotë për reformimin e sistemit të inspektimeve. Më poshtë lutem gjeni linkun me fjalën e plotë të Z. Zusi.

Mendime për draft ligjin 10 433 “Për inspektimin në RSH”, nga Qendra e Eksporteve Shqipëtare

Në fjalën e tij Z Arjan Jaupllari u shpreh për reformimin e sistemit të inspektimeve, dhe krijimin e Komisionit të Apelimit pranë Inspektoratit Qendror. Ai po ashtu u shpreh për nevojën e thithjes së investimeve për krijimin e laboratorëve private të certifikuara e të akredituara. Nga ana e tij u shpreh vlerësim për mundësimin e një objekti multifunksional në truallin aktual të Inspektoratit Qendror, ndërtesë në të cilën të vendosen të gjitha Inspektoratet Shtetërore, si dhe ato Inspektorate që kanë Drejtori Qendrore për Tiranën.

Profesor Rexhep Uka duke shprehur vlerësim për ndryshimin e imazhit te Inspektoratit Qendror, si Institucion bërthamë rregullatore për të gjitha Inspektoratet Shtetërore e ato të Qeverisjes vendore, duhet të përshtat ligjet e praktikat më të mira në fushën e inspektimeve me kritere të matshme për kontrollin e subjekteve dhe me tregues konkret për matjen e performancës së Inspektorëve Shtetërorë.

Z. Arben Shkodra si përfaqësues i unionit të prodhuesve theksoi se biznesi e ka pritur shumë mirë kryerjen e inspektimeve online me dokumente standarde e lista verifikimi të implementuara në sistemin elektronik për Inspektimet Online. Biznesi theksoi ai mbështet çdo përpjekje të reformimit të sistemit të inspektimeve që ka për synim rritjen e transparencës dhe uljen e barrës së biznesit. Biznesi i ndershëm shtoi ai, kërkon rregulla të qarta, e transparente, të unifikuara për të gjithë.

Gjithashtu, në takimin e sotëm shprehën mendimin e pozicionin e tyre si ekspertë te fushave përkatëse edhe Znj. Frosina Gjino, për Punën dhe Sigurinë në Punë; Z. Roland Kristo si ekspert për peshkimin, Z. Vladimir Pasku për fushën e arsimit, Z. Vullnet Haka si biznesmen, Z. Bardhyl Balteza, biznesmen, Z. Arsen Proko si shkencëtar për pyjet, përfaqësues të Biznes Albania, si dhe të Shoqatës së Transportit ndër urban e ndërkombëtar, Z. Kujtim Harshova. Nga ana e Z. Romeo Sherko si biznesmen dhe ekspert I sistemit elektronik për inspektimet online pasi u shpreh vlerësimi I tij për reformimin e sistemit të inspektimeve theksoi nevojën e parashikimit të fondeve të duhura jo vetëm për objektin multifunksional të ndërtesës së re por edhe për programme e sisteme elektronike bashkëkohore që të mbështesin inspektimet online me dokumente standarde e check lista të implementuara në sistemin elektronik për inspektimet online. Po ashtu u shpreh nevoja për përmirësimin gradual të pajisjeve të inspektimeve (tablet e printera elektronik).

Në takim shprehu mendimin dhe vlerësimin e tij lidhur me këtë diskutim të hapur edhe konsulenti anglez pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Menaxhimit të Ujërave Z. Rober Connor. Ky ekspert I fushës së veterinarisë shprehu mbështetjen e tij për inspektime me dokumente standarde e check lista të implementuara në sistemin elektronik thjeshtim e standardizim të procedurave, për një sistem inspektimesh të bazuar ne karrierën profesionale të inspektorëve sipas meritës e përvojës, për laboratorë sa më profesionale e të bazuara në ekspertizë.

Si përmbledhje e diskutimeve të mësipërme nga takimi u konkludua se:

1. Inspektoratet Shtetërore dhe trupat apo agjencitë që ushtrojnë funksione inspektuese, pra që prodhojnë akte administrative duhet të ri formatohen/ristrukturohen në bazë të objektit (të fushave) e të qëllimit të inspektimit. Kjo sjell nevojën e uljes së numrit të Inspektorateve Shtetërore;

2. Sistemi I karrierës në inspektime duhet garantuar me ndryshime ligjore dhe duhen specifikuar qartazi kriteret, numrin e viteve për tu ngjitur në karrierë, autoritetin kontrollues e monitorues të performancës së tyre, trajnimin e vazhdueshëm të Inspektorëve shtetëror e atyre vendor;
3. Rritjen e qartësimin e kompetencave të Inspektoratit Qendror si struktura e koordinimit, udhëheqjes metodologjike e dhe mbikëqyrjes së Inspektorateve Shtetërore.
Nga ana e ekspertëve të pranishëm në takim u kërkua sjellja e mendimeve dhe opinioneve te tyre me rrugë elektronike, si dhe diskutimi i materialeve të shpërndara edhe me grupet e tyre të interesit.