+355 694835881 info@insq.gov.al

Në forumin botëror WISIS Ministri Pollo prezanton arritjet e Shqipërisë në fushën e TIK dhe sfidat për Broadband-in

Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo mori pjesë në Samitin Botëror mbi Shoqërinë e Informacionit (World Summit on the Information Society, WISIS) që u mbajt në datat 14-18 maj 2012 në Gjenevë të Zvicrës.

Samiti Botëror mbi Shoqërinë e Informacionit është një nismë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të krijuar një platformë të përbashkët për promovimin e Shoqërisë së Informacionit në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, duke përfshirë palë të ndryshme të interesit. Qëllimi i WISIS gjithashtu është të arrihet në një vizion dhe përkushtim të përbashkët për të ndërtuar një Shoqëri të Informacionit të orientuar nga qytetarët, gjithëpërfshirëse, dhe kah zhvillimit, ku të gjithë mund të krijojnë, të aksesojnë, të shfrytëzojë dhe të shkëmbejnë informacione.

Në tavolinën e rrumbullakët me ministrat përgjegjës për teknologjinë e informacionit, të cilët merrnin pjesë në samit, Ministri Pollo prezantoi disa nga arritjet e Shqipërisë në këtë fushë, të filluara rreth pesë vite më parë, si çelja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të Licencimit të biznesit, instalimi dhe fillimi i operimit të sistemit të prokurimit elektronik, digjitalizimi i Regjistrit Kombëtar Civil të shtetasve, e duke vijuar me një sërë aktivitetesh të tjera, që bënë realitet ofrimin e shërbimeve të qeverisjes nëpërmjet internetit në sistemin e tatim-taksave, sistemin doganor, apo sistemi i krijuar rishtas për ankimimin online të shtetasve në sistemin gjyqësor.

Shumë nga shërbimet shtetërore për biznesin, u shpreh Ministri, janë online dhe kjo ka ndihmuar në mirëqeverisje dhe përmbushjen e objektivave të Qeverisë për rritje të transparencës dhe zvogëlim të korrupsionit.

Ministri Pollo përmendi gjithashtu arritjet në telekomunikacion, me liberalizimin e tregut, rritjen e konkurrencës, si dhe uljen e çmimeve të bisedave telefonike.

Ministri vijoi se, sfida aktuale, e ministrisë që drejton, mbetet miratimi i një Plani Kombëtar të Broadband-it dhe për këtë po ndërmerren një sërë nismash si miratimi i kuadrit ligjor, në bashkëpunim me AKEP, promovimi i investimeve në këtë fushë, etj. Për prezantimin e planit të hartuar për broadband-in do të organizohet edhe një konferencë në Tiranë në 25 maj 2012.

Për më tepër informacion për WISIS, mund të klikoni në adresën: www.wsis.org .

Kryeministri Berisha: “Këtë vit e kemi shpallur vitin e finalizimit të arritjes së Shqipërisë digjitale”

– Qëllimi kryesor i projekteve të digjitalizimit është që të gjitha sistemet të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo ambient ku kërkohen.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim të zgjeruar me ministra të kabinetit qeveritar dhe me drejtorët e agjencive kryesore dhe institucioneve që kanë në zbatim projekte në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit.

Kryeministri Berisha tha se kjo mbledhje vjen si domosdoshmëri e koordinimit të punës ndërmjet të gjitha ministrive, agjencive dhe strukturave në këtë fushë, për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore të secilit prej tyre që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Nisma e Partneritetit për Qeverisje të Hapur ka rreth 46 objektiva dhe ka si shtyllë kryesore dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj., duke bërë disponibël të dhënat e agjencive përkatëse, në një sportel të vetëm.

Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se po punohet për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike, pasi ai harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, shërbimet midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit.

Kryeministri theksoi se kjo kërkon vullnet dhe çdo sistem që ngrihet në të gjitha agjencitë, duhet të ketë si kërkesë bazë përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktivitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen.

Më pas, Kryeministri renditi një sërë detyrash specifike të secilës ministri apo agjenci në këtë drejtim.

Duke vlerësuar punën e bërë nga çdo strukturë dhe duke shprehur besimin për finalizimin me sukses të këtij procesi, Kryeministri u shpreh se nuk ka dhuratë më të bukur që mund t’i bëhet Shqipërisë e shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, sesa realizimi i Shqipërisë dixhitale.

Në fjalën e plotë të tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Ky takim i zgjeruar thirret për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore, të çdo ministrie, të çdo agjencie, që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në partneritetin për qeveri të hapur. Ky anëtarësim kërkon një qeverisje tërësisht transparente, të hapur ndaj qytetarëve të vendit. Tashmë është e faktuar që asgjë nuk është më jetike në rritjen e performancës në luftën kundër korrupsionit, sesa transparenca.

Ministri Pollo ka bërë një shqyrtim të problematikave sipas sektorëve, në raport me këtë nismë. Dua të theksoj këtu se nisma e Partneritetit për qeveri të hapur ka rreth 46 objektiva. Në thelbin e vet, ose si shtyllë më kryesore, ky partneritet ka dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj., bërjen disponibël të të dhënave të agjencive. Në këtë kontekst, ne po punojmë për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike. Ky projekt harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit.

E rëndësishme është që të gjitha projektet tuaja të jenë të përputhshme plotësisht me këtë sistem. Pra, ka rëndësi që agjencia të ketë disponibël të gjitha të dhënat që i duhen nga agjencitë e tjera, për funksionimin e saj si një sportel i vetëm.

Ku konsistojnë pengesat në këtë drejtim? Së pari kjo kërkon vullnet dhe ju, në çdo sistem që ngrini në të gjitha agjencitë, duhet të keni si kërkesë të sistemit, përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktibilitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi kryesor është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen. Kjo kërkon që ju të përcaktoni të dhënat e hapurat, të cilat do jenë pjesë e këtij sistemi, kërkon që ju të shqyrtoni imediatikisht buxhetin për zgjidhjen e domosdoshme që do të bëni, në mënyrë që sistemet tuaja të jenë pjesë integrale e projektit të inter-operabilitetit.

Secila agjenci ka detyrimet e veta.

Ministri Pollo dhe AKSHI duhet të hartojnë një manual ku të saktësohet se çfarë do të jene “të dhënat e hapura”, mënyrën e konvertimit të të dhënave ekzistuese në formatin e të dhënave të hapura. Të gjitha institucioneve duhet t’u dërgohet nga ministri një shkresë për identifikimin e të dhënave, që do të mund të kthehen në të dhëna të hapura, natyrisht kjo sipas mundësisë, kapaciteteve dhe kohës. Por kjo duhet të përcaktohet imediatisht.

Lidhur me Auditin, ministri i linjës, në bashkëpunimin me ministrin e Financave të orientojnë institucionet se si do procedojnë për botimin online të raporteve të auditimit, sipas angazhimit përkatës të ndërmarrë. Ne kemi një vendim që çdo akt kontrolli i çdo natyre do të botohet. Votohet pasi është kompletuar si procedurë burokratike. Ne kemi struktura të auditit të brendshëm pranë institucioneve dhe transparenca e akteve të tyre përbën një nga kërkesat themelore të iniciativës së Partneritetit për Qeveri të Hapur.

Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit (MITIK) dhe z. Pollo, si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI):

1. Duhet të fillojë puna për çeljen e një portali me të dhëna qeveritare të formatit open data.

2. Zbatimi i sistemeve e-Parlament, më tej e-President dhe e-Publication, pra Gazeta Zyrtare Elektronike.

3. Zgjerimi i rrjetit qeveritar Govnet

4. Infrastruktura e Ndërveprimit të e-Qeverisjes (e-Government Interoperability Framework- e-GIF)

5. Datacenteri Qendror, që do të mundësojë që të gjithë shërbimet online të jenë të qendërzuara dhe të integruara.

6. Ministri për Inovacionin dhe TIK do të hartojë një ligj të posaçëm “Për njoftimin dhe konsultimin” për rregullimin ligjor të proceseve konsultuese të strukturuara me aktorë të shoqërisë civile, grupet e interesit, duke përfshirë partnerët ekonomikë dhe socialë.

7. Studim për gjithë faqet zyrtare të internetit të institucioneve dhe agjencive qendrore për t’i kthyer ata në user friendly.

8. Inspektim i faqeve zyrtare të internetit të institucioneve te Pushtetit Vendor.

9. Zbatimi i projektit Tracking apo Gjurmueshmëria, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm, qoftë për qytetarin, qoftë për biznesin. Ky projekt do të bëjë të mundur që biznesmeni shqiptar, qytetari, të ndjekë elektronikisht dokumentin, kudo qe ndodhet ai, do të bëjë të mundur të vendosë gishtin direkt mbi burokratin që pengon ecjen e tij, mbi zyrën që fle mbi të. Zbatimi i këtij projekti ka pasur efekte jashtëzakonisht pozitive në nxitjen e investimeve të huaja në atë shtet ku u aplikua për herë të parë. Shqipëria ka nevojë jetike për zbatimin e këtij projekti në kohën më të shkurtër të mundshme.

10. Krijimi i portalit te ri qeveritar shumë funksional, e-albania.al.

11. Krijimi i portalit unik te inspektimeve, “e- Inspection”.

Për më tepër informacion, klikoni në linkun më poshtë :

http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=16403

Shqipëria me qeverisje transparente. Ministri Pollo merr pjesë në takimin vjetor të Open Government Partnership

Raporti i Open Knowledge Foundation : Shqipëria, e treta nga 100 vende të OGP-së për të dhëna transparente të koorporatave vendase.

Qeveria shqiptare është angazhuar ta shndërrojë administratën e saj në më transparentet në rajon, Evropë e më gjerë. Për këtë Qeveria shqiptare që nga shtatori 2011 ka hyrë në iniciativën globale Open Government Partnership, si dhe para disa ditësh hartoi një plan veprim 1-vjeçar me zotime konkrete për rritjen e transparencës së qeverisjes ( www.mitik.gov.al linku OGP Albania).

Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo (i cili është njëkohësisht edhe Kryetar i Grupit Ndërministror të Punës për hartimin e plan veprimit të Shqipërisë për OGP-në) merr pjesë sot në takimin e dytë vjetor të iniciativës, që zhvillohet në Brazilia, Brazil në datat 17 – 18 prill 2012, me përfaqësues nga më shumë se 50 vende, duke përfshirë Sekretaren e Shtetit të SHBA-ve Znj. Hillary Clinton dhe Presidenten e Brazilit Znj. Dilma Rousseff që bashkëkryesojnë takimin. Përfaqësuesit pritet të ndajnë vizionet dhe planet e tyre për të bërë qeveritë përkatëse më të hapura ndaj qytetarëve.

Në vigjiljen e këtij takimi fondacioni Open Knowledge publikon raportin e vlerësimit të Open Coorparates për 100 vende, që kanë hyrë në iniciativën OGP dhe rendit Shqipërinë të tretën pas Britanisë së Madhe dhe Çekisë sa i përket të dhënave transparente të sipërmarrjeve vendase. Një lajm shumë i mirë ky për vendin tonë, i cili publikon të dhëna për bizneset online me anë të portalit të QKR-së.

Në takimin e OGP-së, Ministri Pollo, ndër të tjera, prezantoi plan veprimin e Shqipërisë në këtë iniciativë, kryefjalë e të cilit është zbatimi i projektit madhor të Qeverisë, Shqipëria Digjitale. Në plan veprim janë renditur disa angazhime që pritet të kryhen brenda këtij viti, ndër të cilat përmendim: çeljen e një portali qeveritar për të publikuar të dhëna zyrtare të formatit open data; amendime të ligjit egzistues ”Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” (Nr. 8503, datë 30.06.1999), si dhe krijimin e një ligji të ri “për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Çfarë është OGP?

Iniciativa Partneritet për Qeverisje të Hapur, OGP, ( www.opengovpartnership.org ) është një nismë e re shumëpalëshe që synon të sigurojë angazhime konkrete nga ana e qeverive për të nxitur transparencën, fuqizimin e qytetarëve në vendimmarrje, luftën kundër korrupsionit, dhe të shfrytëzojë teknologjitë e reja për të forcuar qeverisjen. Në frymën e bashkëpunimit me shumë aktorë, OGP është mbikëqyrur nga një Komitet Drejtues të qeverive dhe organizata të shoqërisë civile.

Për t’u bërë një anëtar i OGP-së, vendet pjesëmarrëse duhet të përqafojnë Deklaratën e OGP-së, të dorëzojnë një planveprimi të qeverisë së tyre (që Shqipëria i ka kryer tashmë), si dhe të angazhohen për raportim të pavarur mbi progresin e bërë.

Iniciativa Open Government Partnership është lançuar në shtator të vitit të kaluar dhe bashkëkryesohet nga presidentët Barack Obama dhe Dilma Roussef të SHBA-ve dhe Brazilit, me anëtarë të parë, shtetet që kanë firmosur Deklaratën e OGP-së: Indonezia, Meksika, Norvegjia, Filipinet, Afrika e Jugut, Britania e Madhe.

I pranishëm në ceremoninë e lançimit të iniciativës së OGP-së në New York, më 21 shtator 2011, Kryeministri z. Sali Berisha u shpreh: “Shqipëria është një vend që po bën përpjekjet më serioze në drejtim të një qeverisje më transparente. Në këtë Forum, Shqipëria gjen një frymëzim dhe angazhohet të zbatojë një për një të gjitha zotimet e angazhimet që rrjedhin nga anëtarësia në këtë nismë.”

Ndërsa në letrën e pranimit të Shqipërisë në OGP, datuar në 2 gusht 2011, ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo shkruan ndër të tjera: “Vendi im, vitet e fundit ka shënuar arritje në luftën kundër korrupsionit dhe kthimin e qeverisjes në më të hapur dhe transparente për qytetarët. Jam i sigurt që pjesëmarrja e Shqipërisë në OGP do të bëjë të mundur që të mësojmë nga eksperiencat e vendeve të tjera dhe gjithashtu Shqipëria t’i paraqesë vendeve anëtare apo aspirante në OGP sfidat dhe sukseset e saj në këtë fushë.”

Për hartimin e plan veprimit të Shqipërisë, me anë të një urdhri të Kryeministrit, më dhjetor 2011, u ngrit Grupi Ndërministror i Punës (i kryesuar nga ministri Pollo) i cili dorëzoi plan veprimin në OGP më 9 prill 2012.

Qeveria shqiptare e konsultoi dhe hartoi këtë plan veprim për një periudhë 3-mujore me kontributet e gjithë institucioneve dhe agjencive qeveritare qendrore. GNP mbajti në shkurt 2012 një tavolinë të rrumbullakët me disa nga përfaqësuesit e OJQ-ve në vend, të cilët kanë ndjekur me interes zhvillimet e iniciativës OGP dhe punën e kryer nga Qeveria për këtë çështje, duke kontribuar në hartimin e këtij plan veprimi.

Konsultimi me OJQ-të dhe publikun e gjerë do të vijojë, me qëllim përmirësimin e këtij dokumenti, vitin e ardhshëm. Po kështu, vitin e ardhshëm, në përditësimin e plan veprimit do të përfshihen nismat që do të ndërmarrë qeverisja vendore në Shqipëri.

Tabela e renditjes së vendeve të OGP-së për të dhëna transparente të koorporatave vendase.

Për më tepër informacion rreth raportit, vizitoni faqen e mëposhtme:
http://blog.okfn.org/2012/04/16/how-open-is-corporate-data-in-open-government-partnership-countries/ .

Në kuadër të monitorimit të zbatimit të Reformës në Inspektime, në datën 8 Maj 2012, në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u zhvillua takimi i parë i sekretariateve teknike të Grupit Ndërinstitucional të Punës

Takimi u drejtua nga znj. Mimoza Hajdarmataj, Inspektore e Përgjithshme, në praninë e konsulentëve të projektit BERIS të Bankës Botërore dhe përfaqësuesve nga ministritë e linjës, si dhe anëtarët e sekretariateve teknike.

Qëllimi i këtij takimi ishte aktivizimi i strukturës së punës dhe sekretariateve teknike mbështetëse sipas një plani të detajuar objektivash specifike dhe kalendari pune. Gjatë takimit u shpjegua më në detaje metodologjia e punës për arritjen e objektivave për përgatitjen e amendimeve ligjore, si dhe bashkimet/shkrirjet dhe riorganizimi i inspektorateve të çdo ministrie.

Në takim u vendos që gjatë muajve Maj – Qershor 2012 ekipi i konsulentëve në bashkëpunim me stafin e Inspektoratit Qendror dhe ekipet e ministrive do të zhvillojnë takime individuale për secilën ministri.

Kryeministri Berisha: Përfundimi me sukses i reformës së inspektorateve garanton një sistem inspektimi jashtë çdo lloj arbitrariteti dhe praktike abuzive

“Ne kemi përzgjedhur sistemin e inspektoriatit dixhital, në kuptimin që një regjistër kombëtar i inspektorëve shtetëror mbahet në Inspektoriatin Qëndror të vendit dhe ky regjistër është regjistri i gjurmës së çdo inspektimi.”

Kryeministri Berisha drejtoi sot, mbledhjen e Task-Force për reformën e inspektoriateve, e cila iu kushtua hapave për fazën përfundimtare të kësaj reforme.

Duke theksuar rëndësinë e sistemit të inspektoriateve, si një sistem themelor për funksionimin e tregut dhe garantimin e standardeve, kryeministri vlerësoi ecurinë dhe arritjet e deritanishme të reformës, e cila mundësoi thjeshtimin nga 36 inspektoriate në 11 të tilla, si dhe instalimin e Inspektoriatit Qendror, i cili udhëheq sistemin e inspektimit në vend, duke garantuar përsosjen e tij të vazhdueshme.

Kryeministri theksoi se implementimi i plotë i kësaj reforme është i domosdoshëm për të luftuar arbitraritetin dhe çdo praktikë abuzive, e cila dëmton në mënyrë të pamerituar biznesin dhe zhvillimin e tij. “Ne kemi përzgjedhur sistemin e inspektoriatit dixhital, në kuptimin që një regjistër kombëtar i inspektorëve shtetëror mbahet në Inspektoriatin Qendror të vendit dhe ky regjistër është regjistri i gjurmës së çdo inspektimi. Asnjë inspektor pas vendosjes së këtij sistemi nuk do të mund të inspektojë pa lënë gjurmë elektronike se ishte, pastaj do jenë të tjerët që do të vlerësojnë duhet të shkonte apo jo, motivet që e shtynë të shkojë, agjenda e tij dhe me rradhë, por lënia e gjurmës është një kusht i domosdoshëm”, u shpreh kryeministri.

Më pas, në mbledhje u diskutua për procedurat e përzgjedhjes së kryeinspektorëve të ministrive të linjave, si dhe emërimin e tyre, pajisjen e tyre me dokumentet përkatëse, ngritjen e një komiteti Ad-Hoc që do të ketë si detyre implementimin me saktësi e vendosmëri të reformës së inspektimit etj..

Inspektorja e Përgjithshme Znj. Mimoza Hajdarmataj në analizën vjetore të Inspektoratit Shtetërore të Punës

Nën drejtimin e Znj. Vikrita Çuto, Kryeinspektore e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe me praninë e Drejtorëve të Drejtorive Rajonale të këtij inspektorati u zhvillua sot analiza vjetore e punës së këtij institucioni për vitin 2011.

E pranishme në këtë analizë pune ishte edhe Znj. Mimoza Hajdarmataj Inspektore e Përgjithshme e Inspektoratit Qendror.

Znj. Vikrita Çuto, gjatë prezantimit të analizës vjetore të punës bëri një analizë të hollësishme të objektivave të planifikuara për vitin 2011 dhe realizimi i tyre për çdo drejtori rajonale.

Më pas fjalën e mori Inspektorja e Përgjithshme Znj. Mimoza Hajdarmataj, e cila pas falënderimit të ftesës në prezantimin e analizës vjetore të Inspektoratit Shtetëror të Punës, vuri theksin te respektimi i standardeve dhe parimeve të inspektimit nga ana e inspektorëve si pjesë e reformës për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Qeveria Shqiptare, nëpërmjet reformës së ndërmarrë në inspektimeve synon të mundësohet arritja e njëkohshme e dy qëllimeve bazë :

– rritjen e efektivitetit të trupave inspektuese në parandalimin e risqeve
– uljen e barrës administrative dhe kostove mbi veprimtarinë e biznesit

Ligji nr. 10433 datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, tashmë ka shtrirë efektet detyruese për sa i përket respektimit të parimeve bazë, mbi të gjitha ato institucione që kryejnë inspektime në kuptim të këtij ligji.
Institucioni që unë drejtoj do të konsiderohet si aleat ndaj biznesit për përmirësimin e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së veprimtarive të inspektimit në vend.

Inspektorati Qendror ka si synim transparencën në procedurat e inspektimit dhe ndihmën e biznesit nëpërmjet denoncimeve online në faqen tonë të internetit për rastet kur konstatohen abuzime nga ana e inspektoreve shtetërore.

Znj. Hajdarmataj shtoi se rritja e efektivitetit të ISHP do të sjellë edhe uljen e informalitetit në tregun e punës, që është edhe një nga qëllimet kryesore të reformës.

Bashkëlidhur gjeni Raportin vjetor për vitin 2011 të Inspektoratit Shtetëror të Punës