+355 694835881 info@insq.gov.al

Ceremonia e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001) të Qendrës Kombëtarë të Licencimit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001), të Qendrës Kombëtarë të Licencimit, nga kompania prestigjioze Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA), e njohur në fushën e menaxhimit të riskut, sigurisë, garantimit të cilësisë dhe klasifikimit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Menaxheri i Biznesit të kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance, z. Davis Ives, drejtues të tjerë të kësaj kompanie, Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, Ministri i Ekonomisë dhe njëkohësisht Zëvendëskryeministër, Edmond Haxhinasto, Drejtori i QKL-së Edmond Palushaj, etj.

Kryeministri Berisha falënderoi Menaxherin e Biznesit te kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance, z. Davis Ives, për këtë vlerësim të drejtë, duke theksuar se Qendra Kombëtare e Licencimit është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe atyre të huaja.

Kryeministri vlerësoi se çdo certifikim përbën një arritje të madhe për ekonominë e vendit, çdo produkt i certifikuar ka një pasaportë për të lëvizur pa viza në tregun e vet. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi drejtuesit e kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance se qeveria shqiptare mbetet shumë e angazhuar të bashkëpunojë me këtë kompani, në mënyrë që të bëhen njohura cilësitë e produkteve dhe shërbimeve të Shqipërisë. Qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur edhe më tej garën e cilësisë, vijoi Kryeministri.

Përmes dhënies së kësaj certifikate, Shqipëria hyn në hartën e një prej kompanive më prestigjioze dhe ikonike në botë që vepron në fushën e standardeve dhe sigurimit të cilësisë, fakt ky i cili luan një rol të madh në garantimin dhe tërheqjen e investitorëve të ndryshëm që duan të investojnë në Shqipëri. Certifikata vërteton se sistemi i menaxhimit dhe proceset e punës të Qendrës Kombëtare të Licencimit, janë në përputhje me standardin kryesor ndërkombëtar të cilësisë. Ky certifikim konfirmon edhe njëherë nivelin dhe cilësinë e lartë të shërbimeve, korrektësinë dhe profesionalizmin e ofruar për subjektet që kërkojnë të licencohen dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë.

Certifikimi i QKL-së është një tregues edhe i përparimit të vendit tonë në përqafimin e standardeve më të avancuara ndërkombëtare në fushën e cilësisë, është një arritje për të gjithë komunitetin e biznesit shqiptar, si dhe është një garanci më shumë për investitorët e huaj, të cilët tashmë kanë jo vetëm fjalën tonë mbi mundësitë dhe kushtet që ata do të gjejnë në Shqipëri, por edhe garancinë e një prej institucioneve më seriozë në botë.

Në përshëndetjen e tij, në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, për Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, për punonjësit e saj të përkushtuar, është një ditë e veçantë pasi, në një hark kohor të shkurtër, ata ia dolën të ngjiten në një stacion shumë të rëndësishëm të punës së tyre, me të cilin merituan sot certifikatën e njërës prej kompanive me traditat më të mëdha në botë, me një histori 250 vjeçare në menaxhimin e riskut, sigurisë dhe vlerësimit të cilësisë. Kompania ka veprimtarinë e vet në 186 vende të planetit.

Qendra Kombëtare e Licencimit mund të themi se është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe ato të huaja. Një studim i para një viti faktonte se 97 për qind e të gjithë aplikantëve, ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ekipin e kësaj qendre. E vërteta është se në qendër funksionon një nga sistemet më të avancuar që ekziston në dhënien e lejeve dhe licencave, por njëkohësisht edhe një nga sistemet më transparente, sistem i cili i bë të mundur biznesit të ndjekë nga portali i kësaj qendre të gjithë rrugët e dokumenteve në kanalet apo labirintet e burokracisë së vendit.

Për më tepër informacion për ceremoninë e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001), të Qendrës Kombëtarë të Licencimit, klikoni në adresën http://keshilliministrave.al/?fq=brenda&m=news&lid=17097

Të dhënat dëshmojnë gjallërinë e ekonomisë shqiptare

Kryeministri Berisha, në vijim të informimit mbi performancën ekonomike, analizoi sot, në mbledhjen e qeverisë, të dhënat për regjistrimin e bizneseve në qarkun e Tiranës dhe punësimin.

Duke sjellë të dhënat e fundit për këto dy tregues, sipas të cilave, numri i bizneseve të vogla të regjistruara vetëm në qarkun Tiranës është rritur me 5988 biznese dhe numri i të punësuarve është rritur me 8 589 persona, Kryeministri Berisha hodhi poshtë deklaratat e opozitës për falimentim të biznesit të vogël, duke i konsideruar ato deklarata “ziliqare e keqdashëse”, të pambështetura në fakte. Kryeministri tha se dinamika e bizneseve flet për gjallëri të ekonomisë shqiptare dhe përgënjeshtron zotin Rama, i cili “zotëron dy mekanizma: pazarin dhe trillimin.”

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha tha:
“Unë do t’i lejoj vetes të qartësoj qytetarët shqiptarë se një propagandë nxirosëse, e ligë, ziliqare e keqdashëse në pafundësi po bëhet këto kohë, në drejtim të jetës ekonomike të vendit dhe ekonomisë në tërësi. Unë kam këtu, të dhënat që faktojnë në mënyrën më të pakundërshtueshme, gjallërinë, vitalitetin e ekonomisë sonë. Në mbledhjen e kaluar, ju njoha me rritjen e shitjeve të përgjithshme me 25.6 përqind, që deklarohet nga vetë tregtarët e biznesmenët. Mund të jenë më shumë, por të deklaruara janë 25.6 përqind.

Le të shohim dinamikën e bizneseve. Është shumë fatkeqe propaganda e zotit Rama. Ky zotëri ka vetëm dy mekanizma, që ia thotë mendja se do ta afrojnë me pushtetin. I pari është pazari e vetëm pazari: më jep, të jap. Por unë nuk mundem, nuk jam njeri i pazareve. Unë jam njeriu i parimeve që besoj e që u përmbahem. Ndaj i bëj edhe një herë thirrje zotit Rama, të heqë dorë nga logjika e pazareve, se bëhet figura më e keqe. Një herë thotë, dal nga parlamenti për ligjin e Gjykatës Administrative, nëse nuk më jep këtë,një herë tjetër thotë unë nuk e bëj këtë, po nuk më dhe këtë. Politika nuk është pazar. Politika është moral, është tërësi principesh e alternativash që mbrohen nga ata që i besojnë. Zoti Rama beson vetëm në forcën e pazarit. Mu kujtua diçka. Ditën kur u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, njëri nga dy ekonomistët kryesorë të PS-së i thotë tjetrit se nuk e kuptonte se çfarë e deshi ai [zoti Rama] këtë detyre. Përgjigja e tjetrit ishte ajo që kujt nuk mund t’i shkojë ndërmend: Ai mori bankën më të madhe të Ballkanit. Ndaj edhe koncepti i tij për partinë është pazari.

Për më tepër informacion për WISIS, mund të klikoni në adresën: http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=17049

Sistemi i ri i inspektimit, Berisha: Më pak burokraci për bizneset

Në drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Task-forcës për reformën e inspektoriateve, për të cilën kryeministri bëri të ditur se ndodhet në fazën e kurorëzimit ligjor të saj.

Duke e vlerësuar këtë reformë si një prej reformave më themelore dhe më të shumëpriturën për biznesin e vendit, kryeministri Berisha u shpreh se ajo hap një kapitull të ri në përpjekjet e maxhorancës për një klimë sa më miqësore dhe të favorshme kundrejt biznesit dhe mbi të gjitha për një kompetivitet të lirë dhe të hapur.

Kryeministri bëri me dije se, reforma kompletohet me ndryshimin ligjor të të gjithë ligjeve ekzistuese për inspektoratet, me miratimin e 7 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat ndjekin miratimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas miratimin në parlament të ligjit.

Berisha theksoi se reforma i jep vendit një nga format më të studiuara dhe më të sukseshmë të inspektimit, duke reduktuar ndjeshëm numrin e inspektoriateve ekzistuese dhe duke lenë vetëm 1/3 e numrit të tyre. Gjithashtu, mbi bazën e akteve ligjore e nënligjore, si dhe të sistemit të ri do të shkurtohet procedura e inspektimit nga 45 ditë që është aktualisht në 12 ditë, duke lehtësuar ndjeshëm barrën burokratike mbi biznesin.

Kreu i qeverisë tha se, sistemi i ri i inspektimit do të vendosë një barrierë të fuqishme ndaj abuzimeve dhe korrupsionit, duke rritur transparencën, nëpërmjet ndjekjes në kohë reale të gjurmës së inspektorit, në vendin e inspektimit. “Gjurma e menjëhershme e inspektorit në vendin e inspektimit, do të transmetohet në kohë reale në zyrat e Inspektorit përgjegjës dhe të Kryeinspektorit të shtetit, çka përbën formën me transparente dhe natyrisht parandalon vizitat e tepërta, kafet shoqërore dhe në mënyrë absolute dhe ryshfetet.”, shpjegoi kryeministri

Për më tepër informacion, klikoni në linkun: http://www.km.gov.al/index.php?fq=brenda&m=news&lid=16894

Riaktivizohet task-forca për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, si dhe mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit

Një nga detyrimet kryesore të shtetit është garantimi i zbatimit të rregullave nga bizneset dhe individët, në veprimtarinë e tyre të përditshme.

Këto rregulla kanë të bëjnë jo vetëm me sigurinë kombëtare, me rendin publik, por edhe me sigurinë e jetës, të shëndetit, të mjedisit etj.

Për këtë arsye, në një shtet demokratik e ligjor ngrihen e funksionojnë trupa inspektuese, të cilat monitorojnë, inspektojnë, edukojnë dhe sipas rastit ndëshkojnë mosrespektimin e rregullave të detyrueshme për çdo subjekt, i cili mund të jetë person fizik apo juridik, privat ose publik.

Riaktivizimi i kësaj task-force, ka për qëllim kontrollin e zbatimit të kërkesave ligjore që parashikohen në ligjin Nr. 9636, datë 06.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, ligjin Nr. 9518, datë 18.04.2006 “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit”.

Roli i Inspektoratit Qendror në këtë nisëm është të përcjellë frymën e Qeverisë për modernizimin dhe rritjen e trasparencës të inspektimeve, duke rritur efektivitetin e trupave inspektuese për parandalimin e risqeve.

Për më tepër informacion, klikoni në linkun: http://www.moh.gov.al/index.php?module=2&item=456

Qeveria ngre Task-Forcë për zhurmat në lokale, për marrjen e masave ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara

Qeveria miraton krijimin e Task-Forcës, për marrjen e masave ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara. Këshilli i Ministrave miratoi dje aktin normativ “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”.

Kryeministri Berisha, duke prezantuar aktin normativ, tha se do të ketë zero tolerancë në tejkalimin e përcaktimeve ligjore. Akti parashikon krahas masave për subjektet që shkelin orarin e lejuar, duke shkaktuar zhurma në mjedis, edhe masa ndaj punonjësve publikë, përgjegjës për zbatimin e ligjit, që e neglizhojnë atë. “Në të gjitha këto raste, ju garantoj se mbrapa qëndron korrupsioni. Cilido që do t’i shurdhohen veshët nga korrupsioni, të shkojë të punësohet atje, se në administratën e shtetit nuk mund të marrë më rrogë. Përkundrazi, do të shkojë për ndjekje penale, se bën një krim”, – u shpreh Kryeministri.

Akti normativ përcakton shkarkime e ulje në detyrë ndaj të gjithë atyre që nuk e zbatojnë atë dhe që janë përgjegjës për zbatimin e tij, qofshin inspektorë të Inspektoratit të Mjedisit, të Shëndetit Publik apo të Policisë së Shteti.

Për më tepër informacion, klikoni në linkun: http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=16750

Qeveria ngre Task-Forcë për zhurmat në lokale, për marrjen e masave ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara

Qeveria miraton krijimin e Task-Forcës, për marrjen e masave ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara. Këshilli i Ministrave miratoi dje aktin normativ “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”.

Kryeministri Berisha, duke prezantuar aktin normativ, tha se do të ketë zero tolerancë në tejkalimin e përcaktimeve ligjore. Akti parashikon krahas masave për subjektet që shkelin orarin e lejuar, duke shkaktuar zhurma në mjedis, edhe masa ndaj punonjësve publikë, përgjegjës për zbatimin e ligjit, që e neglizhojnë atë. “Në të gjitha këto raste, ju garantoj se mbrapa qëndron korrupsioni. Cilido që do t’i shurdhohen veshët nga korrupsioni, të shkojë të punësohet atje, se në administratën e shtetit nuk mund të marrë më rrogë. Përkundrazi, do të shkojë për ndjekje penale, se bën një krim”, – u shpreh Kryeministri.

Akti normativ përcakton shkarkime e ulje në detyrë ndaj të gjithë atyre që nuk e zbatojnë atë dhe që janë përgjegjës për zbatimin e tij, qofshin inspektorë të Inspektoratit të Mjedisit, të Shëndetit Publik apo të Policisë së Shteti.

Për më tepër informacion, klikoni në linkun: http://www.km.gov.al/?fq=brenda&m=news&lid=16750