+355 694835881 info@insq.gov.al

Takim pune me Inspektoren e Përgjithshme për Administratën Franceze dhe Përfaqësuesve të Projektit të Binjakëzimit

Në ambientet e Inspektoratit Qendror, sot më datë 27.10.2016, u organizua një takim me znj. Dominique Dalmas, Inspektore e Përgjithshme për Administratën, pranë Ministrisë së Brendshme të Francës,  znj. Ramona Moldovan, Këshilltare rezidente e projektit të binjakëzimit, në mbështetje të reformës së shërbimit civil në Shqipëri, pranë Departamentit të Administratës Publike, z. Emmanuel Vergne, Këshilltar pranë Ministres së Shtetit për Inovacionin  dhe Administratën Publike, Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm dhe përfaqësues të Inspektoratit Qendror.

Ky takim i rëndësishëm vjen si vazhdim i bashkëpunimit shumë të mirë të nisur me mbështetjen e Ambasadës Franceze, për reformimin dhe fuqizimin e inspektimeve në Shqipëri sipas kërkesave dhe praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Europian.

Nga ana e Inspektoratit Qendror u prezantua gjendja e inspektimeve në Shqipëri në nivel qendor dhe vendor. U shkëmbyen ide dhe mendime lidhur me mangësitë dhe mbivendosjen e kompetencave ligjore midis ligjeve specifike të inspektorateve shtetërore, ligjin për inspektimin, si dhe ligjin për nëpunësit civil, duke trajtuar problematikat e hasura dhe propozime për adresimin e këtyre çështjeve. Takimi u hap nga Znj. Ramona Moldovan e cila pasi bëri një panoramë të kontributit të projektit të binjakëzimit në fushën e përmirësimeve ligjore, ja kaloj fjalën Znj. Dominique Dalmas. Nga ana e Inspektores së Përgjithshme të Administratës Franceze, u bë një ekspoze e mënyrës së funksionimit të institucionit që ajo drejton, si dhe përvoja nga puna e tyre. Nga ana e Këshilltarit pranë Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike u prezantua mundësia e përfitimit të ekspertizës dhe shkëmbimit të eksperiencave në kuadër të programit TAIEX, po ashtu u shkëmbyen mendime lidhur me organizimin e seminareve dhe të një konference rajonale, pjesë e së cilës mund të jenë prezantues të njohur nga fusha e inspektimeve dhe bota akademike e vendeve të BE, si dhe vendeve të rajonit.

Nga ana e Inspektoratit Qendror u shpreh gatishmëria për të kontribuar në susksesin e përpjekjeve të përbashkëta për harmonizimin e legjislacionit sipas kërkesave të BE, si dhe lehtësimin e barrës administrative ndaj biznesit vendas dhe të huaj që operojnë në Republikën e Shqipërisë.

Shkëlqim Hjadari, takime në Londër me homologët britanikë

Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare e cila u zhvilluar nga data 11 -13 Tetor në Londër, Britani e Madhe.

Në këtë Konference me teme: “Bashkëpunimi ligjor dhe balancimi i interesave publike midis trupave të inspektimit dhe biznesit”, morën pjesë mbi 90 shtete nga Europa, Azia, Afrika, Amerika dhe Australia, si përfaqësues të Qeverive, trupave të inspektimit, korporatave të biznesit, të BERZH, BB, si dhe organizmave të tjera ndërkombëtare. Kjo Konferencë u organizua nga Departamenti Britanik i Strategjive të Biznesit, Energjisë dhe Industrisë, nën kujdesin e Ministres Margot James MP, e cila çeli punimet e saj. Po ashtu, Konferencën e përshëndeti Baronesha Nicholson e Winterbourne, e ngarkuar e Mbretëreshës se Britanisë së Madhe, për Tregtinë Botërore.

Inspektori i Përgjithshëm zhvilloi takime me përfaqësues të Inspektorateve të Gjermanisë, Armenisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, etj. Një takim të veçantë Inspektori i Përgjithshëm zhvilloi me Drejtorin e Departamentit të Zhvillimit të Strategjive të Biznesit, Energjisë dhe Industrisë të Britanisë së Madhe, Z. Graham Russel (Inspektor i Përgjithshëm). Gjate ketij takimi, Z. Russell u njoh me gjendjen e Inspektimit ne Shqipëri, kuadrin ligjor, organizimin e tij. Me qëllim ristrukturimin dhe reformimin e inspektimit, rritjen e transparencës, goditjen e korrupsionit dhe rritjen e bashkëpunimit ligjor me biznesin, në takim u ra dakord që Departamenti i drejtuar nga Z. Graham Russell do të asistojë Inspektoratin Qendror në Shqipëri me ekspertizën e praktikat bashkëkohore në fushën e inspektimit. Po kështu, u ra dakord që brenda këtij viti, Z. Russell së bashku me dy personalitete të shquara të botës akademike në fushën e inspektimeve, Profesor të Universitetit të Oksfordit Z. Christopher Hodges dhe Florentin Blank të vijnë në Tiranë me qëllim organizimin e një Konference Rajonale për standardizimin bashkëkohor të inspektimeve në rajonin tonë. Në këtë Konferencë do të marrin pjesë drejtuesit e trupave të Inspektimit të Maqedonisë, Turqisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi e Kosovës, organizmat e njohura ndërkombëtare BERZH, BB, si dhe Unioni i Biznesit Shqiptar dhe ai i biznesit të vendeve pjesëmarrëse.

Pritja e Inspektorit të Përgjithshëm me Ambasadorin Francez

Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari priti sot Ambasadorin francez në Tiranë Z. Bernard Fitoussi.

Ambasadori Fitoussi ka mbajtur gjithashtu në të shkuarën detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Francës.
Z. Hajdari dhe Z. Fitoussi diskutuan në lidhje me projektet e Inspektoratit Qendror dhe bashkëpunimin me palën franceze në këtë fushë.

Inspektori i Përgjithshëm Z. Hajdari mori mbështetjen e plotë nga Z. Fitoussi, për nxitjen e marrëdhënieve në fushën e inspektimit si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në aspektin e bashkëpunimit me BE.

Trajnimi i trupave inspektuese të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit për kryerjen e inspektimeve online.

Inspektorati Qendror si vijim i përpjekjeve për realizimin online të procesit të inspektimeve nëpërmjet portalit unik të inspektimeve “e-Inspektimi” dhe paketave portabël në datat 22 dhe 23 Shtator 2016 ka kryer trajnimin fillestar të trupave inspektuese të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit është inspektorati i radhës për të cilin janë përgatitur dokumentet standarde, listat e verifikimit si dhe janë bërë konfigurimet e nevojshme për realizimin online të inspektimeve.

Nga ana e inspektorëve u ndoq me interes i gjithë moduli i trajnimit si dhe u prezantuan procedurat praktike të inspektimeve në fushën e arsimit.

Takim për partneritet e bashkëpunim për fuqizimin e klimës së shëndetshme të biznesit

Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm zhvilloi sot në mjediset e Inspektoratit Qendror një takim pune për partneritet e bashkëpunim me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Z. Nikolin Jaka, si dhe me nënkryetarin e Bashkimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Z. Arben Shkodra.

Qëllimi i takimit ishte ndërtimi i partneritetit për krijimin e një sistemi bashkëkohor të inspektimeve në linjë me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian, eliminimin e kostos së panevojshme administrative për biznesin, për të bërë të mundur kontributin sa më të madh të tij në rritjen ekonomike të vendit nëpërmjet reduktimit të masës së informalitetit të ekonomisë, si dhe përmirësimit të efikasitetit në përpjekjet tona për minimizimin e praktikave korruptive.

Takimi, referuar edhe misionit e qëllimit të organizatave të tyre si mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të biznesit pranë organeve shtetërore publike e qeveritare, vendimmarrëse, për fuqizimin e klimës së shëndetshme të biznesit ishte frytdhënës dhe me objektiva konkrete.

Takim me Inspektoratin Shtetëror të Arsimit

Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, me stafin e tij realizuan sot takimin e radhës me Kryeinspektorin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit Z. Bashkim Muça dhe me trupën inspektuese të këtij Inspektorati.

Tematika e takimit me Inspektoratin Shtetëror të Arsimit kishte të bënte me rakordimin e përpjekjeve për fillimin e përdorimit të portalit “e-Inspektimi” nëpërmjet paketave portabël nga inspektorët e këtij inspektorati. Inspektorati Qendror do të pajisë me paketa portabël inspektimi dhe do të trajnojë grupet e inspektorëve për kryerjen e inspektimeve online në kohë reale, nëpërmjet portalit e-Inspektimi.

Takimi ishte shumë pozitiv lidhur me nevojën e përdorimit të shpejtë të portalit unik të inspektimit “e-Inspektimi” edhe nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, tashmë pjesë e portalit.