+355 694835881 info@insq.gov.al

Konferencë për “Të drejtat e pronësisë intelektuale”

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (American Chamber of Commerce) në datën 6 Dhjetor 2012 organizoi konferencën për “Të drejtat e pronësisë intelektuale”. Ndër të tjerë të ftuar në konferencë ishin Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë/ Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Shkëlqesia e Tij z. Alexander Arvizu dhe Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri Shkëlqesëia e Tij z. Ettore Sequi. Konferenca moderohej nga Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, z. David Anderson. Pjesëmarrësit në konferencë ishin nga fusha e biznesit dhe të gjitha grupet e tjera të interesit.

E ftuar në këtë konferencë, për të prezantuar ecurinë e puës së Inspektoriatit Qëndror dhe Reformës në Sistemin e Inspektimit në Shqipëri si dhe mbi pozicionin e Inspektoriatit Qëndror në mënyrë të veçantë në lidhje me inspektorët e çështjeve të IPR-it, ishte edhe Inspektorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

Prezantimi i Inspektores së Përgjithshme, duke qenë në interes të zbatimit të kërkesave ligjore në fushën e të drejtave të pronësisë intelektuale, ngjalli interes te të gjithë të pranishmit në konferencë. Reforma në Inspektime i kalojn funksionet inspektuese në fushën e pronësisë intelektuale nga Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit tek Inspektorati Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut që pritet të funksionojë nga 1 Janari i vitit 2013.

Për informacion më të detajuar në lidhje me këtë temë gjeni prezantimin e Inspektores së Përgjithshme.

Portali Unik Qeveritar – Porta unike e shërbimeve qeveritare për qytetarët dhe biznesin

Ne kuader te 100 Vjetorit te Pavaresise, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në orën 00.00 të datës 28/11/2012 lançon Portalin e ri Unik Qeveritar per qytetaret Shqipetar.

Portali do te jete i aksesueshem ne adresen URL : www.e-albania.al

Me poshte gjeni nje info te shkurter pershkruese te tij .

Portali Unik Qeveritar – Porta unike e shërbimeve qeveritare për qytetarët dhe biznesin

Portali unik qeveritar është pjesa qendrore e një bashkimi solid të qeverisë në aspektin e shërbimeve elektronike të ofruara ndaj qytetarit dhe biznesit. Portali është projektuar që të ndërveprojë si një qark inteligjent, duke shërbyer si një pikë e vetme aksesi për qytetarët, ndaj shërbimeve të ofruara nga institucionet e administratës publike.
Proceset e brendshme dhe sistemet e informacionit do të jenë të lidhura me portalin qeveritar për të shkëmbyer, përpunuar informacion si dhe elemente të shërbimeve në ”kanalet e brendshme shpërndarëse”.
Ky portal, i cili në formën e tij të parë, vjen për qytetarin shqiptar në ditën e 100 Vjetorit të Pavarësisë, i sjell qytetarit një derë të vetme ku të trokasi për të marrë informacion mbi shërbimet e ofruara nga Qeveria Shqiptare. Në këtë portal mund të merret informacion rreth llojeve të shërbimeve, dokumentacionit shoqërues për të marrë një shërbim, tarifat dhe kostot, në rastet kur ato aplikohen, vendodhjen gjeografike si dhe kontaktet e nevojshme, sipas zyrave përkatëse që ofrojnë shërbimin. Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë të këtij portali, i cili në këtë fazë të tij ka më tepër një karakter informues ndaj qytetarit, por që në vijimësi të këtij projekti të iniciuar nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit (MITIK), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe i financuar nga Bashkimi Europian, brenda pak muajsh (gusht 2013), do të integrohen edhe dy shërbimet e para online për qytetarët shqiptarë apo dhe të huaj.
Portali unik qeveritar është pjesë e një projekti madhor, që synon ndërveprimin e të gjitha bazave të të dhënave shtetërore dhe si rrjedhojë ofrimin e shërbimeve digjitale, në kohë reale, pa pasur nevojë që për të dhënat dytësore të kërkuara nga një shërbim të drejtohesh pranë zyrave të ndryshme të administratës publike.
Krijimi i ndërveprimit të sistemeve qeveritare është një punë graduale dhe madhore, që AKSHI e ka nisur që me krijimin e saj si Agjenci në 2007 dhe fillimin e operimit të saj në 2008, me anë të zgjerimit të rrjetit ndërqeveritar, GovNet si dhe ngritjes graduale të infrastrukturës së komunikimit dhe shërbimeve. Ky rrjet tashmë ka arritur të integrojë të gjitha institucionet qendrore në Tiranë duke i ofruar atyre konektivitet të sigurtë dhe shërbime të përqendruara për administratën publike. Evolimi i këtij rrjeti fizik, së bashku me infrastrukturën përkatëse ka mundësuar hedhjen e bazave për krijimin e bërthamës së ndërveprimit të sistemeve të informacionit, që do të integrojë të gjitha sistemet qeveritare në Republikën e Shqipërisë, duke rritur kështu numrin e shërbimeve digjitale.
Portali Unik Qeveritar do të jetë kurorëzimi i ndërveprimit të sistemeve dhe ndërfaqësimit unik të tyre në një platformë të vetme duke i dhënë qytetarëve më shumë shërbime online, por dhe duke ofruar mundësi informative në lajmet periodike të tij, të cilat do të jenë të fokusuar tek qytetari si dhe një sërë informacionesh të tjera rreth Shqipërisë apo kalendaret e aktiviteteve më të rëndësishme për qytetarët shqiptar duke u shtuar dita ditës me shërbime të reja për të.

Ceremonia e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001) të Qendrës Kombëtarë të Licencimit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001), të Qendrës Kombëtarë të Licencimit, nga kompania prestigjioze Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA), e njohur në fushën e menaxhimit të riskut, sigurisë, garantimit të cilësisë dhe klasifikimit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Menaxheri i Biznesit të kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance, z. Davis Ives, drejtues të tjerë të kësaj kompanie, Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, Ministri i Ekonomisë dhe njëkohësisht Zëvendëskryeministër, Edmond Haxhinasto, Drejtori i QKL-së Edmond Palushaj, etj.

Kryeministri Berisha falënderoi Menaxherin e Biznesit te kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance, z. Davis Ives, për këtë vlerësim të drejtë, duke theksuar se Qendra Kombëtare e Licencimit është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe atyre të huaja.

Kryeministri vlerësoi se çdo certifikim përbën një arritje të madhe për ekonominë e vendit, çdo produkt i certifikuar ka një pasaportë për të lëvizur pa viza në tregun e vet. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi drejtuesit e kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance se qeveria shqiptare mbetet shumë e angazhuar të bashkëpunojë me këtë kompani, në mënyrë që të bëhen njohura cilësitë e produkteve dhe shërbimeve të Shqipërisë. Qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur edhe më tej garën e cilësisë, vijoi Kryeministri.

Përmes dhënies së kësaj certifikate, Shqipëria hyn në hartën e një prej kompanive më prestigjioze dhe ikonike në botë që vepron në fushën e standardeve dhe sigurimit të cilësisë, fakt ky i cili luan një rol të madh në garantimin dhe tërheqjen e investitorëve të ndryshëm që duan të investojnë në Shqipëri. Certifikata vërteton se sistemi i menaxhimit dhe proceset e punës të Qendrës Kombëtare të Licencimit, janë në përputhje me standardin kryesor ndërkombëtar të cilësisë. Ky certifikim konfirmon edhe njëherë nivelin dhe cilësinë e lartë të shërbimeve, korrektësinë dhe profesionalizmin e ofruar për subjektet që kërkojnë të licencohen dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë.

Certifikimi i QKL-së është një tregues edhe i përparimit të vendit tonë në përqafimin e standardeve më të avancuara ndërkombëtare në fushën e cilësisë, është një arritje për të gjithë komunitetin e biznesit shqiptar, si dhe është një garanci më shumë për investitorët e huaj, të cilët tashmë kanë jo vetëm fjalën tonë mbi mundësitë dhe kushtet që ata do të gjejnë në Shqipëri, por edhe garancinë e një prej institucioneve më seriozë në botë.

Në përshëndetjen e tij, në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, për Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, për punonjësit e saj të përkushtuar, është një ditë e veçantë pasi, në një hark kohor të shkurtër, ata ia dolën të ngjiten në një stacion shumë të rëndësishëm të punës së tyre, me të cilin merituan sot certifikatën e njërës prej kompanive me traditat më të mëdha në botë, me një histori 250 vjeçare në menaxhimin e riskut, sigurisë dhe vlerësimit të cilësisë. Kompania ka veprimtarinë e vet në 186 vende të planetit.

Qendra Kombëtare e Licencimit mund të themi se është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe ato të huaja. Një studim i para një viti faktonte se 97 për qind e të gjithë aplikantëve, ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ekipin e kësaj qendre. E vërteta është se në qendër funksionon një nga sistemet më të avancuar që ekziston në dhënien e lejeve dhe licencave, por njëkohësisht edhe një nga sistemet më transparente, sistem i cili i bë të mundur biznesit të ndjekë nga portali i kësaj qendre të gjithë rrugët e dokumenteve në kanalet apo labirintet e burokracisë së vendit.

Për më tepër informacion për ceremoninë e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001), të Qendrës Kombëtarë të Licencimit, klikoni në adresën http://keshilliministrave.al/?fq=brenda&m=news&lid=17097