OECD, IGA dhe Dhomat e Biznesit mbështesin reformën në veprimtarinë inspektuese.
Inspektori i Pergjithshem, Shkëlqim Hajdari ka njoftuar finalizimin e dokumenteve standarde dhe check-listave me Inspektoratet e Bashkisë së Tiranës.Në një takim me përfaqësues të biznesit, Inspektori i Përgjithshëm kërkoi ndihmën dhe bashkëpunimin e bizneseve për implementimin e kësaj reforme që synon rritjen e transparencës dhe uljen e barrës ndaj bizneseve.
“Dje finalizuam check-listat me Inspektoratet e Bashkisë së Tiranës, ku zoti Jean Pierre Dalle diskutoi për rreth 3 orë check listat me kryeinspektorët e Tiranës që ishin këtu. Nis verifikimi me qëllim që të ulim barrën ndaj biznesit, domethënë që një autoritet shtetëror inspektimi dhe një autoritet lokal inspektimi të mos inspektojnë të njëjtën gjë”, tha Hajdari.Ky i fundit, u fokusua te ndryshimet ligjore që së shpejti pritet të konkretizohet me qëllim që të ndryshohet mentaliteti i gjobitjes së bizneseve.Po ashtu, Inspektori i Përgjithshëm tha se në fillim të vitit do të kalohen ndryshimet strukturore të inspektorateve shtetërore me qëllim që të shmangen inspektimet me objekt të përbashkët dhe të ulen shpenzimet.
Daniel Trnka, përfaqësues i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim mbështeti dhe vlerësoi draftet për inspektim, ndërsa tha se çdo inspektim duhet të bazohet në metodologjinë dhe vlerësimin e riskut, pasi të dhënat tregojnë se bizneset duan të respektojnë rregullat dhe ligjet:
“Draftet janë hap i rëndësishëm për të përmirësuar fushën e inspektimeve në Shqipëri dhe për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe në mirëqenien shoqërore. këto reforma kanë si qëllim të krijojnë transparencën në inspektime dhe do të eleminohet korrupsioni”.
Inspektori i Përgjithshëm i Administratës në Francë, Jean Pierre Dalle, i pranishëm në këtë takim, vlerësoi reformën e ndërmarrë nga Inspektorati Qendror, teksa tha se është një reformë që nuk e gjen kudo. Më tej, ai u kërkoi përfaqësuesve të bizneseve që t’ua shpjegojnë anëtarëve të tjerë dhe t’i njohin me këtë reformë të rëndësishme.
Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka u shpreh mjaft pozitiv ndaj reformës, ndërsa falënderoi veçanërisht Inspektorin e Përgjithshëm për këmbënguljen e tij për ta çuar deri në fund këtë reformë të rëndësishme.
Reformë rrënjësore në AKU…
Sot, në ambientet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u zhvillua takimi i Inspektorit të Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari me Kryeinspektorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Z. Agim Ismaili, për të diskutuar zbatimin e Rregullores si një proces i rregullt ligjor, si dhe implementimin e zëvendësimit të kryerjes së inspektimeve online nga pajisjet laptop e printer, në sistemin e tabletës. Të pranishëm në takim ishin dhe 12 Kryeinspektorët e Drejtorive Rajonale të AKU-së.
Kryeinspektori i AKU-së Z. Ismali, në fjalën e tij, falënderoi Inspektoratin Qendror për mbështetjen permanente që i ka mundësuar këtij inspektorati nëpërmjet Urdhrave, Udhëzimeve, Rregulloreve dhe pajisjeve të një teknologjie të lartë (tabletave), për kryerjen e procesit të inspektimit si një proces i rregullt administrativ.
Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari theksoi në fjalën e tij, se Kryeministri Rama dhe Qeveria Shqiptare, dhe unë si Inspektor i Përgjithshëm, kemi prioritet absolut, rritjen e elementëve të sigurisë ushqimore në Shqipëri, të cilat për nga rëndësia përbejnë elemente të sigurisë kombëtare për ruajtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Nëpërmjet procedurave të rregullta ligjore të Inspektimeve, transparente, ligjore, me analizë risku, të programuara, online, duhet të synohet të ulet barra administrative ndaj bizneseve të ndershme dhe nga ana tjetër të formalizohen e standardizohen biznese dhe aktivitetet prodhuese që kanë probleme në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Njëkohësisht, ka filluar trajnimi i trupave të inspektimit për përdorimin e tabletës, e cila do të filmojë dhe tregojë në kohë reale të gjithë procesin e inspektimit. U dakordësua që në fillim të muajit Dhjetor, në Tiranë , Shkodër dhe Vlorë, Inspektori i Përgjithshëm dhe punonjësit e IQ, të trajnojnë të gjithë trupën e inspektoreve të AKU-së në Republikën e Shqipërisë.