+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot në datën 7 Mars, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror priti në ambientet e Inspektoratit Qendror një ekip të Projektit me financim nga Agjencia Amerikane e Ndihmës – USAID të Republikës së Maqedonisë, për Modernizimin e Autoritetit të Inspektimeve në Maqedoni.

Në fillim të takimit Znj. Meri Cuculoska, si personi i USAID në Maqedoni për financimin e Projektit bëri prezantimin e qëllimit të Projektit dhe të dy pjesëtarëve të Projektit të pranishme në takim: Znj. Rosalija Vasilevska, Zv/ Drejtuese e Projektit dhe të Znj. Suzana Aleksova, si Konsulente e Projektit.

Qëllimi i projektit për Modernizimin e Autoriteteve te Inspektimit në Maqedoni ishte për të bërë një studim, analizë krahasuese për trainimet dhe modalitetet e trajnimit për vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Europian, për përmirësimin e punës monitoruese dhe të njohurive dhe efektivitetit në kryerjen e inspektimeve në Maqedoni. Agjencia Amerikane e ndihmës USAID ka financuar projektin MIA, me anën e të cilit synon krijimin e një qendre të qëndrueshme të trajnimit të inspektorëve.

Edhe qëllimi i vizitës së përfaqësueses së USAID në Maqedoni si dhe drejtuesve të Projektit MIA në Inspektoratin Qendror kishte të bënte me shkëmbimin e ideve dhe përfitimin e përvojës së Inspektoratit Qendror në fushën e trajnimeve, të certifikimit të Inspektorëve si dhe komponentit të përdorimit të Teknologjisë së Informacionit për mbështetjen e inspektimeve.

Nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, pasi iu urua mirëseardhja vizitorëve iu bë një ekspoze e Inspektoratit Qendror, të punës e arritjeve për kryerjen e inspektimeve siç e parashikon ligji, me dokumente të standardizuara, me metodologji të mirë përcaktuar, nën udhëheqjen dhe drejtimin metodologjik të Inspektoratit Qendror.

Në Shqipëri, pasi është ndërtuar e bërë funksional sistemi elektronik për kryerjen e inspektimeve online (projekt ky me financim nga fondet e Qeverisë shqiptare dhe me ndihmën e USAID), ka filluar procesi i inspektimeve online, fillimisht për Tiranën.

Objektivi është, theksoi Inspektori i Përgjithshëm, që brenda gjatë mujorit të parë të kryhet procedura e inspektimeve online për të gjitha Inspektoratet Shtetërore dhe deri në fund të vitit 2017 do të jenë pjesë integrale e sistemit elektronik për kryerjen e inspektimeve online edhe Inspektorët pranë Bashkive.

Gjatë takimit nga ana e drejtuesve të projektit MIA u shpreh interes lidhur me ligjin për inspektimet, funksionimin e inspektimit, në të gjithë hierarkinë e tij si dhe vecanërisht lidhur me ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimet.

Inspektori i Përgjithshëm shprehu gatishmërinë për tíu gjendur në ndihmë kurdo që të kërkohet dhe po ashtu shprehu gatishmërinë e Inspektoratit Qendror për nënshkrimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit më institucionin e ngjashëm (Këshillin e Inspektorëve) të Maqedonisë, në vizitën më të afërt që pritet të ketë në Inspektoratin Qendror, në Tiranë Presidenti i atij Këshilli.