+355 694835881 info@insq.gov.al

Në datën 6 Mars 2017 në sallën Balsha të Hotel Tirana Internacional u organizua mbledhja për promovimin e krijimit të shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar”, si një organizatë jo-fitimprurëse përfaqësuese e mbrojtëse, si dhe për të përmirësuar interesin e përbashkët të të gjithë prodhuesve shqiptarë që operojnë në Shqipëri, duke i informuar në vazhdimësi, si dhe me synimin për t’ i mbështetur në forma të ligjshme.

Takimin e përshëndetën edhe Kryeministri i vendit Z. Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë e rritjes së produkteve made in albania, si dhe rolin mbështetës e rregullator të agjencive ligj zbatuese për inspektimin e mbështetjen e biznesit vendas e të huaj.

Po ashtu, Z. Astrit SHABANI, , Kryetar – Klubi i Prodhuesve të Kosovës, në fjalën e tij theksoi nevojën e rakordimit të përpjekjeve për produkte cilësore dhe të afta për të konkuruar në tregje të rajonit e me gjerë.

Nebi HOXHA, Kryetar – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në fjalën e tij u shpreh në favor të rritjes së bashkëpunimit e shkëmbimeve midis bizneseve vendase e atyre të rajonit, për rritje të standardit dhe gamës së produkteve bio, të pëlqyeshme e me çmime konkurruese për konsumatorin e rajonit.

Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës u shpreh në favor të rritjes së komunikimeve, e shkëmbimeve si dhe për dobishmërinë e organizimit të bizneseve dhe nevojën që shteti të jetë transparent e mbështetës ndaj biznesit të ndershëm.

Në takim ishte i ftuar dhe mbajti fjalën e tij përshëndetëse edhe Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim Hajdari. Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm, shprehu vendosmërinë e tij për realizimin e Inspektimeve me metodologji të mirë përcaktuar e sipas përcaktimeve ligjore online, në vendin e në prani të biznesit. Inspektorati Qendror si institucioni mbikëqyrës dhe i udhëheqjes metodologjike po punon fort për ndërrimin një herë e mirë të kulturës së inspektimeve për rritjen e efektivitetit dhe transparencës me synim uljen e barrës që rëndon mbi biznesin e ndershëm.