Rreth Institucionit
Objektivi parësor dhe gjithëpërfshirës i reformës në fushën e inspektimeve është përmirësimi i klimës së të bërit biznes, si dhe zhvillimi i mëtejshëm i veprimtarisë dhe sistemit të inspektimeve në tërësi, së bashku me të gjithë komponentët e tij. Reforma synon të sigurojë mbrojtjen e interesit publik, forcimin e transparencës dhe rritjen e llogaridhënies në të gjitha nivelet e veprimtarisë inspektuese, duke ulur barrën administrative për bizneset dhe duke rritur profesionalizmin, efektivitetin dhe performancën e trupave inspektuese si në nivel qendror ashtu edhe vendor.
Garantimi i pavarësisë funksionale të inspektorateve realizohet përmes vendosjes së parimeve themelore të inspektimit, me fokus programimin e inspektimeve të bazuara në vlerësimin e riskut. Një komponent thelbësor i këtij procesi është ndërtimi i një kulture parandaluese dhe edukative, ku inspektimi i parë mbështetet në vendosjen e paralajmërimit si masë administrative kryesore, me synim këshillimin dhe parandalimin, e jo ndëshkimin e subjektit të inspektuar.
Një nga risitë kryesore të kësaj reforme është krijimi dhe funksionimi i Bordit të Inspektimeve si një strukturë e përhershme, bashkërenduese dhe orientuese e veprimtarisë inspektuese, në bashkëpunim me Inspektorin e Përgjithshëm. Ky mekanizëm përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit të inspektimit dhe sigurimit të një mjedisi më të rregullt, më efektiv dhe në përputhje me zbatimin e ligjeve dhe rregullave në Republikën e Shqipërisë në fushën e inspektimit.
Rregullimi i marrëdhënieve të punësimit të trupave inspektuese dhe ngritja e një sistemi meritokracie për rekrutimin dhe zhvillimin e karrierës synohet të realizohen përmes testimit, certifikimit dhe ngritjes së nivelit profesional sipas fushës përkatëse të inspektimit.
Inspektorati i Përgjithshëm do të garantojë një proces transparent për shqyrtimin e ankimit administrativ ndaj vendimit përfundimtar të inspektimit, duke shmangur konfliktin e interesit. Ky mekanizëm do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimit të subjekteve ndaj procedurës administrative të ankimit dhe pritet të çojë në uljen e numrit të rasteve që ndjekin rrugën gjyqësore, duke përmirësuar kështu efikasitetin dhe besueshmërinë e përgjithshme të sistemit të inspektimeve.