Misioni dhe Funksionet
Bazuar në ligjin me nr. 99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” është krijuar Inspektorati i Përgjithshëm, si një institucion publik qendror buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit.
Inspektorati i Përgjithshëm ka si mision të tij të sigurojë përmirësimin dhe rritjen e nivelit të efektivitetit dhe përgjegjshmërisë gjatë kryerjes së veprimtarisë së inspektimit në Republikën e Shqipërisë.
I. Inspektorati i Përgjithshëm ka këto detyra dhe përgjegjësi:
1) miraton dhe aplikon rregulla për dokumentimin e veprimtarisë së inspektimit, si dhe raporton veprimtarinë e inspektorateve;
2) krijon një bazë të dhënash të qendërzuar, me profile individuale të subjekteve të inspektimit, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e efektivitetit të inspektimeve, në respektim të parimeve të këtij ligji;
3) koordinon dhe monitoron veprimtaritë e inspektimit;
4) monitoron zbatimin e politikave dhe standardeve të inspektimit, të miratuara nga bordi i inspektimeve, si edhe të treguesve të performancës në fushën e inspektimit;
5) raporton përpara bordit të inspektimeve për çështjet që janë në funksion të këtij të fundit;
6) jep mendime për çdo nismë ligjore dhe nënligjore në fushën e inspektimit;
7) fillon menjëherë procedurën për ngritjen e komisionit disiplinor, kur konstaton shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore gjatë ushtrimit të detyrës për inspektorët e të gjitha niveleve;
8) kryen trajnimin, kualifikimin dhe çertifikimin e inspektorëve në bashkërendim me inspektoratet qendrore dhe vendore;
9) administron dhe përdor sistemin unik elektronik të inspektimit, që shërben për kryerjen e veprimtarisë inspektuese, shkëmbimin e të dhënave ndërmjet inspektorateve qendrore dhe vendore, bazës së të dhënave të institucioneve të tjera;
10) përcakton llojet e mjeteve teknologjike për kryerjen e veprimtarisë inspektuese online;
11) trajton të gjitha informacionet, ankesat, denoncimet e ardhura nga qytetarë ose persona fizikë apo juridikë për veprimtaritë e inspektorëve, si dhe procedurat e inspektimit të drejtuara, sipas formave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative, përfshirë edhe ankesat që kryhen në platformën ndërqeveritare të ndërveprimit;
12) miraton çdo kërkesë nga inspektoratet qendrore dhe vendore për zbatimin, ndryshimin apo veprimet në sistemin unik “e-Inspektimi”;
13) lëshon kartën e inspektorit për inspektoratet qendrore, ndërsa për inspektoratet vendore kryhet nga kryetari i bashkisë;
14) përcakton rregullat për realizimin e veprimtarisë inspektuese në raste të jashtëzakonshme, kur nuk është i mundur përdorimi i sistemit elektronik të inspektimit;
15) mbikëqyr në terren procedurën e inspektimit të inspektorateve qendrore dhe vendore.
II. Inspektorati i Përgjithshëm ka këto detyra dhe përgjegjësi për inspektoratet qendrore:
1) jep mendim këshillimor për programet vjetore dhe miraton programet mujore të inspektimit, të hartuara nga inspektoratet qendrore;
2) bashkërendon dhe mbikëqyr ligjshmërinë e veprimtarive inspektuese të inspektorateve qendrore;
3) mbikëqyr zbatimin e kërkesave ligjore nga inspektorët qendrorë për programimin, autorizimin dhe kryerjen e procesit të inspektimit;
4) jep mendim brenda 10 ditëve pune nga data e paraqitjes për programet buxhetore afatmesme dhe afatgjata, të hartuara nga inspektoratet qendrore;
5) kryen procedurat për ngritjen e komisionit të rekrutimit dhe ngritjes në detyrë të inspektorëve, komisionit disiplinor, si dhe komisionit të ankimit për vendimin përfundimtar.
III. Inspektorati i Përgjithshëm, për inspektoratet vendore, ka këto detyra dhe përgjegjësi:
1) koordinon, mbikëqyr ligjshmërinë e veprimtarive inspektuese të inspektorateve vendore, shmang mbivendosjet e kompetencave me inspektoratet qendrore, mbikëqyr procedurat e rekrutimit, ankimit dhe largimit të inspektorëve vendorë nga detyra, me qëllim garantimin e respektimit të standardeve në fushën e inspektimit;
2) mbikëqyr zbatimin e kërkesave ligjore nga inspektorët vendorë për programimin, autorizimin dhe kryerjen e procesit të inspektimit.
Inspektorati i Përgjithshëm për realizimin e funksioneve të tij ka të drejtë të kërkojë të gjithë informacionin e nevojshëm për veprimtarinë e inspektorateve qendrore dhe vendore, të inspektojë dosjet e inspektimit, si dhe çdo dokument tjetër të lidhur me programimin e kryerjen e procedimeve administrative të inspektimit.