+355 694835881 info@insq.gov.al

Ndërkohë që po përpunohen skemat organizative të inspektorateve të reja dhe metodologjitë dhe rregullat e tjera të brendshme të funksionimit të trupave inspektuese, përgatitja e të gjithë inspektorëve me njohuritë dhe shprehitë që kërkon sistemi i ri është një tjetër hap i rëndësishëm metodologjik.

Një pjesë e njohurive mbi sistemin e ri të inspektimeve janë përçuar përmes përfshirjes së një numri inspektorësh të niveleve drejtuese në kryerjen e hapave metodike të reformës. Për rrjedhojë, në çdo ministri dhe trupë inspektuese është krijuar një bërthamë njerëzish që janë familjarizuar me konceptet e sistemit të ri të inspektimit. Gjithashtu, një arritje e rëndësishme është ngritja që në fazat më të hershme të Inspektoratit Qendror, stafi i të cilit është tashmë jo vetëm familjar, por edhe në posedim të plotë të këtyre koncepteve të reja dhe po kryen më së miri rolin e tij drejtues.

Gjithsesi, duke konsideruar se numri i inspektorëve në të gjitha inspektoratet e reja që do të riorganizohen është i madh si dhe metodologjitë dhe procedurat e reja do të përdoren edhe nga trupat inspektuese që nuk riorganizohen, Inspektorati Qendror ka planifikuar një proces intensiv dhe masiv trajnimi të shpejt të të gjithë inspektorëve që do të zënë pozicionet përkatëse në sistemin e ri të inspektorateve.
Pas kësaj faze të parë, për shkak se ligji për inspektimin parashikon çertifikim periodik të inspektorëve, Inspektorati Qendror po përgatit programet e trajnimit në vazhdimësi si dhe të metodave të testimit dhe vlerësimit të njohurive dhe shkallën e përditësimit të tyre nga inspektorët.

Në funksion të asaj çka u parashtrua më sipër, më datë 18 Mars 2013, Inspektorati Qendror trajnoi shefat dhe inspektorët e parandalimit në PMNZSH në fushat e mëposhtme:
1. Ligji nr. 10433, datë 16.06.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”;
2. Ligji nr. 8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin”, i ndryshuar;
3. Ligji nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për Kundërvajtjet Administrative”;
4. Ligji nr. 8485, datë 12.05.1999, “Kodi i Procedurave Administrative”;
5. Ligji nr. 8116, datë 29.03.1996, Kodi i Procedurës Civile, Titulli III, Kreu II, Nenet 324-333 (lidhen me shqyrtimin gjyqësor të mosmarrëveshjeve administrative);
6. Rregullore për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike për inspektorët shtetërorë në Republikën e Shqipërisë.
7. Parimet dhe procedurat e inspektimit me bazë risku.

Trajnimi u krye nga juristi i Inspektoratit Qendror, z. Ledio Braho. Inspektorët shfaqën interes për procedurat e reja të inspektimit dhe gjatë trajnimit lindën pyetje në lidhje me to dhe me amendimet që i janë bërë ligjit të posaçëm nr. 8766, datë 5.4.2001 “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin”.