+355 694835881 info@insq.gov.al

Këto ditë, Inspektori i Përgjithshëm dhe përfaqësues të Inspektoratit Qendror, patën takime me Kryeinspektorët dhe inspektorët e Inspektorateve Shtetërore të Inspektoratit Shtetëror të Teknikës dhe Industrisë, Drejtorinë e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës, Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera  dhe Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, ku  u pasqyrua analiza e punës së tyre për vitin 2018. Në këto takime, rëndësi pati paraqitja e problematikave që inspektorët kanë hasur gjatë kryerjes së veprimtarisë inspektuese.

Gjatë këtyre analizave u konstatua se, pjesa më e madhe e inspektimeve, rreth 90% e tyre kryhej online, me dokumente standarde dhe të planifikuara. Gjatë veprimtarisë inspektuese këto inspektorate kanë hasur mjaft problematika në lidhje me mungesën e kushteve të punës; mjeteve logjistike (makina); inspektorë pa arsimin përkatës; rroga të ulta si dhe shqetësim i madh, tendenca e disa ministrive dhe aktorëve që nuk e njohin inspektimin, në kuadër të ristrukturimit me shkrirjen e inspektorateve aktuale dhe bashkimin e tyre me drejtori e agjenci që ndërtojnë dhe zbatojnë politika zhvillimore!

Inspektori i Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, në fjalën e mbajtur gjatë takimeve, vlerësoi si histori suksesi arritjet e shënuara për Inspektoratet Shtetërore, të cilat i kryejnë inspektimet online, me dokumente standarde, listë verifikimi dhe me analizë me bazë risku.

Problematikat e diskutuara nga inspektorët gjatë takimeve, u cilësuan ekzistente nga Inspektori i Përgjithshëm dhe për këtë IQ, ka hartuar drafte që priten të finalizohen, duke çuar në riorganizimin e trupave inspektuese në një ndërtesë të vetme, për përmbushjen e kërkesave për kushte më të mira pune. Sfida e përmirësimit të mëtejshëm të situatës së inspektimit, është edhe rritja e pagave në nivel që të mund t’i përgjigjet punës së kryer të inspektorit. Investimi i ndërtesës për riorganizimin e inspektorateve do të zgjidhë, gjithashtu edhe problemin e laboratorëve, të cilët do të jenë të kompletuar, akredituar me standarde bashkëkohore.

Inspektori i Përgjithshëm, i njohu inspektorët me këto drafte, për të cilat ata bënë pyetje e diskutime dhe të gjithë konkluduan, me mbështetjen e këtyre ndryshimeve, që do të rregullojnë e garantojnë sistemin e rekrutimit, karrjerës së tyre dhe do të rrisin transparencën, ulin korrupsionin dhe barrën administrative ndaj biznesit, duke realizuar në finale standardizimin dhe formalizimin e biznesit dhe të ekonomisë shqiptare.