+355 694835881 info@insq.gov.al

Sot, më datë 10 Maj 2014, Inspektori i Përgjithshëm, Z. Ilir ZELA mori pjesë në hapjen e Javës së Inovacionit, e cila organizohet për herë të parë në Shqipëri nga Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito.
Në hapjen e kësaj jave, morën pjesë edhe Zv.Kryeministri z. Niko Peleshi, Ministrja e Arsimit e Sportit znj. Lindita Nikolla dhe përfaqësues të agjencive e institucioneve specifike të fushës së Inovacionit në Shqipëri.

Inspektori i Përgjithshëm foli për Ligjin për inspektimin Nr. 10433, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” i cili ka krijuar një legjislacion unik që harmonizon kuptimin e termit të inspektimit, ku janë përcaktuar parimet, metodologjitë dhe procedurat e inspektimit, programimet e inspektimit, trajnimet dhe testimet, si dhe format organizative me synim reduktimin e numrit të trupave inspektuese, me parimin “1 ( një) inspektorat për ministri”.
Gjithashtu një rendësi të veçantë, në fjalën e z. ZELA, kishte Portalit unik i inspektimeve, “e-Inspektimi” i cili është një sistem elektronik në kuadrin e platformës së Qeverisjes elektronike, që është zhvilluar si një zgjidhje e përgjithshme për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të funksioneve të inspektimit.
Përmes implementimit të portalit unik të inspektimeve “e-Inspektimi” është synuar:
– në rritjen e transparencës në inspektime;
– në rritjen e përgjegjshmërisë dhe përmirësimin e llogaridhënies në sistemin e inspektimeve;
– uljen e barrës së panevojshme administrative për biznesin, si dhe
– reduktimin e hapësirave korruptive.
Portali “e-Inspektimi” mundëson të gjitha hapat procedurale të inspektimit: Planifikimin; Metodologjinë dhe standardizimin e dokumenteve; Menaxhimin e riskut; Regjistrat e subjekteve, objekte, rregullave; Veprimet; Përgatitja e çështjes për inspektim; Fushën (ambientin e punës) duke përfshirë krijimin dhe gjenerimin on-line të dokumenteve); Afatet (mesazhe njoftimi); Punën pas inspektimit; Menaxhimin e dokumenteve, arkiv dixhitale; Analiza dhe raportimi, monitorimi i aktivitetit të biznesit; dhe komunikimin nëpërmjet internetit.

“Java e Inovacionit” do të organizohet nga datat 10-16 maj 2014 dhe është eventi më i madh dhe i pari i këtij lloj në Shqipëri, i organizuar nga Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike. Gjatë “Javës së Inovacionit” do të këtë një axhendë të ngjeshur aktivitetesh, duke konkretizuar kështu, çështje të rëndësishme si dixhitalizimi në shumë fusha si arsimi, shëndetësia, mjedisi apo energjetika, deri tek dixhitalizimi i të dhënave qeveritare dhe ofrimi i shërbimeve publike online.